Cikël poetik nga Katiola Karoli
Kujtohemi tepër vonë
Shoqëri mediokre, hipokrite nē kulm
Kujtohemi vonë kur gjaku derdhet lumë
Kur vritet pafajësisht nëna dhe fëmija
Dalim në protestë si femra të lira.
Kujtohemi vonë të mbrojmë të drejtat
Në këtë botë hipokrite mbulohet e vërteta
Nuk ka më vlera as fjala dhe as postera
Flijohet pafajësia nga njerëz fytyrë-mostra.
Kjo ështē jeta
Kjo është jeta
Me lumenj të stërmëdhenj dhimbjesh
Dhe rrëke shumë të vogla gëzimesh.
Kjo është jeta
Me lumturi, trishtim, vuajtje
Dashuri dhe plot zhgënjime.
Kjo është jeta
E dhimbshme dhe e dashur
E bukur dhe e shëmtuar.
Kjo është jeta
Herë-herë e urryer
Mijra herë e adhuruar.
Pesha e globit
Në duar sot po mbaj globin
Megjithë vuajtjet e gërmat e tij
Si për çudi nuk ndjej lodhje
As peshën nuk po ia ndjej atij.
E mbaj në duar dhe e vështroj
Ky glob si lodër po më duket.
Fatin e njerëzimit kam në dorë
Dhe ec ngadalë që mos lëkundet.
Ku ta vendos sot këtë glob
Mbi re gëzimi, kaltërsi qiellore
Apo ta ul mbi fusha të gjelbërta
Apo afër diellit që ta ngrohë.
Ngadalë ec dhe po mendoj
Ky glob ka nevojë për qetësi
Në krahët ëngjëlli po e vendos
Mbuluar me dashuri dhe dlirësi.