Sadik Bejko: Sëmundja profesionale e ligësisë
Ese
Sussana Tamaro, shkrimtarja e njohur italiane, në një intervistë të botuar për publikun shqiptar më 8 Qershor 2016 në gazetën “Shqip”, pyetjes “…përse e refuzuat ftesën për të marrë pjesë në politikë më 2008?”, i është pergjigjur: “Sepse nuk kisha dhe nuk kam atë ligësi, që është aq e domosdoshme për të hyrë në politikë”.
Pra, sipas kësaj filozofie, një sasi, një dozë ligësie, si fillim, na qenka e domosdoshme për të qenë në politikë.
Po…për të vazhduar gjatë në politike, sa doza ligësie të duhen?
Për të vazhduar gjatë në politikë kjo dozë ligësie ashtu si ajri duhet marrë ne porcione të përhershme e qëndrueshmërisht në rritje. Pastaj që të jesh i suksesshëm në politikë dozat e ligësise duhen marrë nga tri herë në dite si ushqimi, apo si mbushja e serbatorit të makinës me benzinë, si karikimi prej baterive i laptopit, i Ifonit e Ipadit etj. Shkurt, tipat e një politikani të formatit si kryeminister e zv/kryeministër duhet të jenë pranë ndonjë rezervuari a magazine që përditë të furnizohen dingaz me mall të freskët ligësie.
Dhe mundësisht ky malll duhet të jetë më i shtrenjtë se havjari a se dimantet e zinj të Afrikes. Këtë edhe mund t’ua sigurojnë ata që kanë lejuar të punojnë në laboratoret e drogës, heroinës, në Xibrakë a ku nuk dihet se ku tjetër.
Ky bollëk, kjo pasuri e zezë, ky luks ligësie, ky llum me nga pak kripëzim ligësie prej vulgu e prej rruge gjendet me bollëk në praktikën politike shqiptare.
Ka mbi njëzet vjet që e ndeshim. Nga të majtët e të djathtët. Dhe nga enturazhi e nga mediat pranë tyre.
Në një rast, në mbledhjet e së enjtes të Kuvendit, e përtëriti me fjalën e tij Kryeministri ynë artist, kryeministri ynë djalë kryeqytetas, bir intelektualësh etj, etj, bir i një familjeje me një pedigree për zili.
Ne vërtet jemi një vend i varfër, por kryeministri ynë i radhës nuk harron të na e kujtojë, herë pas here, se në ligësi ne jemi një vend që shënojmë rekorde si rrallë e tek ndonjë vend në gjithësi.
Ai i tha një zonje deputete, se lojën treshe besoj e keni lujt dhe ju në Shkodër…
Nuk them se kam ndonjë respekt kushedi për politikanet tona gra në Kuvend. Po kryeministri ynë maskilist e maço me damkë, cinizmin e dhunën verbale ndaj grave në Parlament duhet të na e kursente. Të paktën aty nuk duhet ta shijonim. Në këto dite kur shumë burra i dhunojnë gratë fshehur e publikisht, i rrahin kafshërisht me grushte në rrugët e Tiranës, të Mamurrasit edhe të Vlorës, dhe kjo na mungonte. Si qershija mbi tortë. Duhej që dhe kryeministri në forumin më të lartë të politikës të ushtrojë ligësinë më të zezë të dhunës verbale ndaj një nëne, një gruaje, një zonje. Jo se nuk kemi ndonjë shembull të mëparshëm me etiketime si “çupëz bulevardi”, po të tillët, të helmastisurit prej ligësie do na e prijnë shtetin?
S. Tamaro thotë se domosdoshmërisht duhet ligësi ne politike… po a ka një kufi?
Kur dhe një, dy a më shumë kyreministra nga tanët e kanë ushtruar dhe po e ushtrojnë këtë zanat prej të ligu ashtu kot se koti, për retorikë, pa shumë arsye shtetërore…pse të ketë kufi?
Është i lig, janë të ligj pa kufi, se ashtu ua dashka profesioni…
Qershor 2016.