Andi Bushati: Këta banditë nuk duhen thjesht të përmbysen politikisht, por duhen përbuzur estetikisht
Këtë të mërkurë në mbrëmje, ndërsa Edi Rama fliste urtësisht në një intervistë të TV publik, në të gjitha ekranet e tjera, familjeve shqiptare iu ngjall krupa, duke dëgjuar përgjimet e reja të Bild.
Ndryshe nga herët e tjera, kur kemi parë një film me hajdutë, banditë, kriminelë, narkotrafikantë, këtë radhë e reja ishte tjetër: këta rilindas masakrues votash, dolën para së gjithash edhe njerëz të shëmtuar dhe banalë.
Nuk kishte një bisedë të vetme, kur ministra, deputetë shefa policie, mos përmendnin në zhargonin e tyre të përbuzshëm, organin e tyre mashkullor.
Ky virilitet barkderrësh, që flasin si nën avujt e alkoolit zgjedhor, i transmetuar në “prime time”, ishte neveria e fundit e një historie që filloi si një gafurrje të fortësh dhe përfundoi si një rrëfim i denjë për kronikat e Nurembergut të Hanna Arendt, ka një lajm të ri.
Tani ushtarët e Edi Ramës, nuk i shohim më vetëm si grabitës dhe banditë. Tani ata nuk mund ti rrefuzojmë vetëm si të tillë.
Prej sot diçka ka ndryshuar. Risia është se ata duhet ti rrefuzojmë edhe për krupën që përcollën përmes ekranit drejt e në shtëpitë tona. Ata arritën deri në pikën e paimagjinuar kurrë më parë, për ti përbuzur edhe estetikisht. Ata janë mishërimi njerëzor i banalitetit të së keqes. Tani le të vazhdojnë ti tundin hallatet e tyre në biseda celularësh.