Albspirit

Media/News/Publishing

INTERSTICE MESHAPËSIRË

INTERSTICE MESHAPËSIRË
(Roland Barthes III)

Dua të kthehem n’at’ prag të përhershëm,
në meshapësirën ndërmjet,
dritë-errësirës,
muzg-agimit,
det-tokës,
jetë-pajetës,
bash n’at’ vend ku ndahet dhe prapë s’është tjetër,
por pjesë thërmijash parësore kuptimi,
pa përmbushje, qëllim a arsye,
kur tingulli nuk është zë, veç oshëtimë,
dhe zë i ri ende jo fjalë, por mërmërimë,
(rrahje shiu),
ku prekja mbretëron mbi çdo gjë dhe e vetme,
një hetim dhe përgjigjje që humbi me kohë,
e gjithësesi gjendet në qetësinë më të thellë,
shpirt pa mendje,
pa as nënndërgjegjje,
kur “uni” s’kish se si t’ish i tërë,
por pjesë, “ne” e pangjitur dhe e pa shqitur,
ku e vërteta pastërtisht e vërtetë:
e shprehur në tkurrje trupi,
gjest të beftë a të ngadaltë
kafshim shqyes e përkëdheli n’afsh,
a ndoshta veç një pasqyrim, vegim
flokë nderë mbi valë, hije, ngjyrë,
ajo që nga kurm i saj i stërlashtë
indet ngjizi në shoqëri, bashkësinë e tyre
ku veçmas si në mur i la të marin frymë,
ndershëm,
pa mëdyshje, aty dua të jetoj vetminë,
ende pa qenë qelizë, ende jo qenie,
dhe përultësisht të pres fatin e parathënë,
pa marë asgjë, pas pa lënë gjë…
shkrirë
prej saj të krijohem përsëri a diku, të humbas i
jashtëqitur, i padenjë…
moskokëçarës për ç’përtej atij pragu a tej.

Please follow and like us: