VETËPËRJASHTIMI DHE VETËDISKREDITIMI I POLITIKËS SI SHANS PËR DEMOKRACINË
Dr. Astrit GJUNKSHI
Djegia e mandateve nga deputetët e opozitës shqiptare, në filllim të këtij viti, ishte fillimi i një procesi të pazakontë e të panjohur në skenën politike shqiptare. Opozita e zhvendosi luftën e saj politike në rrugë. Në themel të luftës së saj ajo vuri akuzën për korruptimin e qeverisë në afera dhe lidhjet e saj me krimin. Duke akuzuar kryeministrin si përgjegjës kryesor të kësaj gjendjeje, opozita vuri dorëheqjen e tij si kusht të panegociueshëm për të hyrë në zgjedhjet lokale. Duhet thënë se mbështetja e kësaj linje të luftës politike të opozitës nga populli nuk ka qenë e pakët, gjë që u demonstrua si nga pjesëmarrja jo e pakët dhe përgjithësisht e qëndrueshme në protesta, por dhe në akte të shkatërrimit të proesit zgjedhor të 30 qershorit. Ndërkaq, edhe në rrjetet sociale vëren një frymë me një publik jo të papërfillshëm që shpreh urrejtje, deri të skajshme, ndaj modelit aktual qeverisës. Publikimi nga gazeta prestigjioze gjermane «Bild» e përgjimeve të manipulimit nga PS të zgjedhjeve të kaluara, ishte një vetëdiskreditim për mazhorancën qeverisëse dhe uli mbështetjen e saj edhe nga një pjesë jo e pakët e publikut gri. Lëvizja kundërshtuese e opozitës, që filloi me vetëpërjashtimin nga kuvendi, kulmoi me vetëpërjashtimin e saj nga zgjedhjet lokale të 30 qershorit, meqenëse mazhoranca nuk pranoi asnjherë kërkesat ultimative të opozitës.
Nga ana tjetër, presidenti i Republikës u tregua i pafuqishëm që të ulë palët në negociata për të tejkaluar këtë krizë. Kjo erdhi, së pari, për shkak të kokëfortësisë së palëve për të mos lëshuar pe nga qëndrimet e tyre të polarizuara ekstremisht. Së dyti, presidenti u tregua konfuz dhe i ngathët në procesin e lojës me dekretet e tij. Edhe pse ai u përpoq të justifikojë dekretin e tij të dytë, në fillim të muajit qershor, përmes të cilit anulloi dekretin e tij për zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor, ai duhet ta bënte këtë pas konsultimeve me palët. Mungesa e një date në atë dekret të dytë, e bëri edhe më të diskutueshme kushtetueshmërinë e atij dekreti si dhe ligjëroi qëndrimin e opozitës për bojkotimin e zgjedhjeve. Ai e “plotësoi” këtë mangësi vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit, duke përcaktuar datën 13 tetor si datë të re të zgjedhjeve. Me këtë dekret të tretë, ai nuk e zgjidhi aspak krizën, sepse nuk siguroi më parë marrëveshjen e palëve për kushtet e hyrjes në zgjedhje. Kështu, edhe pse opozita duket se pranon datën e re të zgjedhjeve, ajo nuk ka hequr dorë nga kushti për dorëheqjen e kryeministrit. Por kjo nuk pranohet nga mazhoranca dhe, për rrjedhojë, do të bojkotonte ajo këtë rradhë zgjedhjet e mundëshme të 13 tetorit. Do të krijohej kështu një precedent i pamundësisë së zhvillimit të zgjedhjeve pluraliste.
Pikërisht duke parë këtë situatë të krizës politike në vendin tonë, ishte ndërhyrja e politikës amerikane, e ndjekur nga vendet europiane dhe organizmat ndërkombëtare të cilët deklaruan prerë zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor, duke bërë nul dy dekretet e tjera të presidentit të Republikës. Me këtë qëndrim, ata donin të largonin dyzimin që kishin zgjedhësit për datën e zgjedhjeve, të siguronin stabilitet dhe, nga ana tjetër, parandaluan përsëritjen në vende të tjera të skenarit shqiptar të braktisjes së mandateve shoqëruar me protesta masive, shpesh të dhunshme, me shpresën e krijimit të pamundësisë së zgjedhjeve. Duhet thënë se, në këto zgjedhje, opozita u ndje e bojkotuar nga faktori ndërkombëtar, i mbështeti mazhorancën për zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor, në ndryshim nga herët e tjera kur përpjekjet e saj kanë qenë gjithnjë në mbështetjen gjysmë-për gjysmë të të dy krahëve të politikës.
Duket se sot, në ditën e zgjedhjeve kur po shkruaj këto rradhë, zgjedhjet po zhvillohen në qetësi dhe duket se pjesëmarrja do të sillet diku te 20-25 përqind. Natyrisht janë zgjedhje atipike, sepse nga 61 qendra votimi, ato kanë vetëm kandidatin e mazhorancës në 35 zona votimi. Kjo nuk favorizon as moralisht “fitoren” e padiskutueshme të mazhorancës në këto zgjedhje dhe, mbi të gjitha, vret pluralizmin e qeverisjes vendore pas këtyre zgjedhjeve. Duket se, zgjidhja e detyruar për zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor është vetëm një hap kalimtar në qetësimin e krizës. Mendoj se as mazhoranca nuk është e kënaqur me këtë mënyrë të zhvillimit të zgjedhjeve dhe me vetë përfundimin e tyre. Jam i bindur se do të jemi dëshmitarë të zhvillimeve të shpejta politike.
Duket se qetësia e vërejtur sot është parathënie se do të ulen tonet e komunikimit politik pas asaj çmendurie e tensioni politik të shkaktuara nga të dy palët para zgjedhjeve. Dua të besoj se tashmë palët e kanë kuptuar se nuk ka të ardhme për asnjërën palë pa dialog konstruktiv dhe ato do të ndryshojnë qëndrimet e tyre në ekstreme të papajtueshme. Zhvillimet politike, duke filluar nga ditët e para të këtij korriku, do të bëhen më institucionale. Duket se dy do të jenë hapat e parë urgjente: krijimi i Gjykatës Kushtetuese dhe mundësimi i fillimit të punës për përgatitjen e një Kodi të ri Zgjedhor. Gjykata Kushtetuese, është e qartë për të gjithë, do të ketë si dosje të saj të parë për gjykim kushtetueshmërinë e dy dekreteve të fundit të presidentit të Republikës për zgjedhjet lokale. Me vendimin e saj, ajo do t’i verë baza ligjore kushtetueshmërisë së zgjedhjeve të 30 qershorit, apo atyre të një date në tetor. Mbase do të ketë ripërsëritje të zgjedhjeve në ato zona zgjedhore ku është votuar me vetëm një kandidat.
Paralel me Gjykatën Kushtetuese dhe në raport të plotë me vendimet e tij, edhe Kuvendi do të marrë në shqyrtim rezolutën për shkarkimin e presidentit të Republikës. Rrëzimi i dekreteve të presidentit nga Gjykata Kushtetuese do ta bëjë më të justifikueshme shkarkimin e presidentit. Por, një interpretim sado i dyzuar lidhur me vendimmarrjen e tij dekretuese do ta ndalonte nismën e mazhorancës për shkarkimin e tij. Mbase edhe faktori ndërkombëtar do të luajë një rol balancues për të ulur tensionet mazhorancë- opozitë- president pas zgjedhjeve dhe do të jetë më e interesuar për normalizimin e procesit politik me qëllim finalizimin e reformave madhore, siç janë përfundimi i reformës në drejtësi dhe hartimi i Kodit të ri Zgjedhor.
Ajo që duhet t’i bëjë të dy palët t’i venë gishtin kokës është reagimi i publikut ndaj politikës së tyre kokëfortë dhe gabimeve që kanë bërë në qeverisjen aktuale dhe në qeverisjet e mëparshme. Opozita e ka ndjerë se nuk ka mbështetjen e duhur për të vazhduar strategjinë e bojkotimit. Madje do të përpiqet të shfrytëzojë për përfaqësim në dialogun për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor prezencën e atyre deputetëve të Kuvendit të dalë nga rradhët e saj, të cilët deri tani i ka anatemuar si tradhëtarë. Nga ana tjetër, mazhoranca është e tronditur nga vetëdiskreditimi përmes përgjimeve të publikuara nga manipulimi i zgjedhjeve të shkuara prej politikanëve e zyrtarëve të saj të lartë. Por, besoj se politikanë të saj të përgjegjshëm e me përvojë do të duhet të arrijnë edhe në konkluzionin se një qeverisje nuk duhet të jetë arrogante. Ajo nuk duhet të shfrytëzojë numrin superior të kartonave të saj për të zhvleftësuar qëndrimet e opozitës. Pas numrit më të vogël të kartonave të opozitës qëndron një elektorat jo i vogël që e mbështet atë, i cili mund të shtojë në çdo çast rradhët e tij dhe të ekstremizojë qëndrimet ndaj qeverisjes, kurdoherë që bindet se arroganca qeverisëse cënon interesat e kësaj pjese të elektoratit, pse jo edhe zhvillimin e demokracisë sipas standardeve.
Mbi të gjitha, klasa politike duhet të kuptojë se gabimet që u bënë në vitin 2008 me prekjen subjektive të Kushtetutës së Shqipërisë me veton e dy liderëve të PS dhe PD, vërtet i fuqizoi ata personalisht, por e dobësoi të gjithë sistemin kushtetues dhe demokracinë, duke filluar me demokracinë brenda partive politike. Ata u bënë lidera të plotfuqishëm që vendosën thuajse pa konsultim për listat e deputetëve dhe të përfaqësuesve në qeverisjen vendore, duke krijuar klientela personale, duke sjellë servilizëm politik dhe krijimin e klaneve brenda partive. Nga ana tjetër, të dyja partitë kryesore krijuan shtabet e tyre të të fortëve për të manipuluar zgjedhjet, duke deformuar kështu vullnetin e lirë të zgjedhësve për të hedhur votën sipas preferencës politike, por edhe të perceptimit për performancën e partive në qeverisje.
Për këtë arsye, ndryshime esenciale kushtetuese, që duhet bëhen ndryshime esenciale kushtetuese që ndërmejt të tjerave duhet të përcaktojnë zgjedhjen e një presidenti jopartiak nga populli. Është i domosdoshëm një Kod i ri Zgjedhor që të risjellë votimin nominal të popullit për cilësinë e kandidatëve që elektorati i njeh dhe jo për lista partish, për kandidatë që nuk i njohin. Kjo do bënte që kryetarët dhe udhëheqjet e partive të përcaktonin si kandidatë njerëz me integritet moral dhe profesionistë të sprovuar me arritjet e tyre. Por kjo ndërmarrje duhet të fillojë nga vetë figurat kryesore të partive. Për këtë, kryetarët e partive duhet të jenë të ndërgjegjshëm se nuk do të mund të vazhdojnë më me lustrën e rreme që u bëjnë “senatorëve” “të pastër” e “të padiskredituar” në udhëheqjen e partive. Procesi i vetingut duket se po intensifikohet dhe, atë që kryetari i partisë e nxjerr të pastër, do të ishte SPAK-u që do e godasë pa mëshirë. Kjo do të ishte një goditje fatale për forca politike që duhet të reformohen realisht. Prandaj, vetë liderët duhet të zhvillojnë një proces vetingu politik pa kompromis brenda partive të tyre.
Në përfundim do të thoja se, potencialisht, procesi i një demokratizimi real në vendin tone do të përfitojë nga vetëpërjashtimi i opozitës nga një proces politik konstruktiv i të bërit opozitë dhe nga vetëdiskreditimi i mazhorancës si nga manipulimi i zgjedhjeve të kaluara ashtu dhe nga arroganca e trajtimit të opozitës dhe nga arroganca qeverisëse. E them se ky përfitim është potencial, pra varet nëse politikanët do t’i thonë “mjaft” qëndrimit të tyre të mbrapshtë për përfitime personale dhe partiake, në dëm të interesave kombëtare dhe të popullit. Në realitet, zhvillimet mund të jenë më të komplikuara. Mund të mos mungojnë sërish përpjekjet për t’iu shmangur përgjegjësisë para ligjit. Por, në këtë rast, veprimi i ligjit ndaj tyre vetëm do të ashpërsohet, së bashku me ndërgjegjësimin e popullit dhe veprimin e tyre për një veprim gjithnjë e më aktiv për zëvendësimin e elitave tona politike të dalë nga inëtelektualë dhe nga forca të reja politike. Në varësi të këtyre zhvillimeve, nuk përjashtohen as zgjedhjet e parakohëshme parlamentare, përfshirë përgatitjen e tyre nga një qeveri teknike.
Tiranë, më 30 qershor 2019
Autori është Doktor i Shkencave për Siguri Globale, mban Master Sc për sigurinë nga Universiteti Cranfield i Britanisë së Madhe, diplomë universitare dhe pasuniversitare në matematikë, është autor librash, shkrimtar, publicist dhe përkthyes. Ka shërbyer si Ministër Këshilltar në Delegacionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO.