Albspirit

Media/News/Publishing

Reshat Kripa: ‘Dasma e madhe’

Image result for reshat kripa

Nuk është në karakterin tim të zhvillojë polemikë, por nuk mund të hesht kur një grup hijesh të vetëquajtur “veteranë të luftës nacional-çlirimtare”, por që nuk kanë asgjë të përbashkët me veteranët e vërtetë dhe ish-punonjës të Sigurimit të Shtetit apo drejtorë të burgjeve komuniste bëjnë deklarata të paskrupullta në të cilat kërkojnë të denigrojnë figura të shquara të inteligjencës së sotme që rrjedhin nga shtresa më e nderuar e shoqërisë shqiptare, shtresa e të përndjekurve politikë nga rregjimi komunist.

Këtyre monstrave, mbeturina të kalbura të sistemit komunist, na u qenka prishur qetësia nga botimi i një libri mbi krimet e komunistave gjatë luftës së dytë botërore. Çudia më e madhe është se libri për të cilin bëjnë fjalë ata është botuar nga Instituti për Studimin dhe Pasojat e Krimeve Komunste, me miratimin e bordit të tij drejtues, qysh në vitin 2015 dhe vetën tani, pas katër viteve, na u kujtuan këto monstra ta kundërshtojnë, madje edhe në një seancë parlamentare.

E pra këto hiena ia arritën që t’i impononin Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërise vendimin që t’i hiqnin Institutit të Hetimit të Krimevë dhe Pasojave të Rregjimit Komunist të drejtën e hetimit të periudhes së të ashtuquajturës luftë nacional-çlirimtare. Këto hiena na qenkan shqetësuar sepse, sipas tyre, na qenka përgojuar lufta nacional- çlirimtare dhe dëshmorët e saj, se ajo paska qenë vetëm një luftë kundër pushtuesve të huaj ku nuk qenka kryer asnjë krim dhe se krimet na paskan filluar vetën pas vitit 1944 kur u vendos pushteti komunist.

Por, në të vërtetë, a kishte kriminelë në rradhët e lëvisjes së ashtuquajtur nacional-çlirimtare? A janë kryer krime nga komunistët gjatë kësaj periudhe? Për të sqaruar më mirë këtë problem le të hedhim vështrimin prapa, në vitet e zjarrta të luftës, kur në Shqipëri përballë fashizmit dhe nazizmit qëndronin dy forca kryesore. Nga njera anë forcat nacionaliste të përfaqësuar nga Balli Kombëtar dhe Legaliteti, të udhëhequra nga Mit-hat Frashëri dhe Abas Kupi, ndërsa nga ana tjetër Fronti Nacional-Çlirimtar i udhëhequr nga figura më e errët që ka nxjerrë ky komb, Enver Hoxha, prapa të cilit qëndronin jugosllavët me përfaqësuesit e tyre Mugosha dhe Popoviç, për të gllabëruar Shqipërinë ose në pamundësi të saj Kosovën martire. Këto forca kanë zhvilluar disa beteja të përbashkëta kundër pushtuesve fashistë, beteja që sot hienat e kuqe mundohen t’i kalojnë në heshtje, madje t’i harrojnë fare.
Si keni kurajon të mohoni të vërtetën në këtë mënyrë? Ku e latë kontributin e Abaz Kupit në luftën kundër pushtuesve? Po kontributin e Muharrem Bajraktarit, Gani Kryeziut, Gjon Marka Gjonit, Jup Kastratit dhe të tjerëve? Po betejat e Gjormit më 29 dhjetor 1942-2 janar 1943, Voskopojës më 14 janar, Greshicës 5 shkurt, Ruzhdijes 13 mars, Selenicës 1 prill, Mogilës dhe Miricës në qershor, Krujës dhe Matit në gusht apo Drashovicës në shtator 1943, a nuk ishin beteja të përbashkëta të forcave nacionaliste me ato të Frontit Nacionalçlirimtar? Nëqoftëse nuk ishin të tilla, nëqoftëse nacionalistët paskëshin bashkëpunuar me okupatorin, si u ulët me ta në gusht të vitit 1943 për të biseduar për të ardhmen në Mukje? Përse i mohoni? Kjo ndodh se ju nuk keni kurajon të pranoni të vërtetën. Ju vetëm i shërbeni asaj klike që populli e përmbysi në fundin e vitit 1990.
Por komunizmi, që nuk ishte tjetër veçse një variant më i egër i fashizmit, nuk mund të pranonte një gjë të tillë. Pa u tharë ende boja me të cilën u nënshkrua kjo marrëveshje u hodh poshtë nga komunistët. Atëherë filloi lufta vëllavrasëse dhe bashkë me të edhe krimet. Më 10 shtator 1943 në Tragjas vriten tradhëtisht, duke pirë ujë, dy djelmosha nga Sevasteri, Asaf Grabova dhe Ismail Isaj, i pari 28 dhe i dyti 23 vjeç. Ishte dita e parë e vëllavrasjes. Tre ditë më vonë, më 13 shtator 1943, pas provokimit të bërë nga Bedri Spahiu dhe Shemsi Totozani, vriten në përpjekje me italianët, komandanti trim i Ballit Kombëtar Hysni Lepenica së bashku me 35 komandantë të tjerë çetash. A nuk janë krime këto raste?

Lufta çlirimtare ishte kthyer në luftë civile. Komunistët kaluan nga një krim në tjetrin. Në Bolenë vriten pranë shtëpisë së tyre një familje e tërë, përfshirë edhe gra, ajo e Sabri, Islam, Bilo, Numan, Mahmude dhe Dyzene Novruzit, si dhe familja tjetër e Peshqeshe, Fako, Bilo dhe Gani Çelomemajt. Në Kuç kriminelët komunistë vrasin në pabesi tetë antarë të familjes Sadikaj: Jupen, Lamen, Isan, Memon, Arapin, Merxhanen, Hetemen dhe Memenë. A nuk është krim zhdukja e familjeve të pafajshme? Para syve më del beteja e Goskovës më 19 shtator 1943 midis forcave nacionaliste dhe atyre partizane. Luftëtarët i propozojnë komandantit Safet Butka të sulmojnë forcat komuniste. Ai përgjigjet: – Kjo nuk do të bëhet kurrë, sa të jem unë gjallë. Vetëm po të kalohet mbi trupin tim. Në këtë mënyrë, të parin dhe të fundit shqiptar që mund të vrasë, është vetja e ime. Dhe trimi e mbajti fjalën e thënë. Ai nuk mund të qëllonte kundër vëllezërve të tij, paçka se kishin bindje të kundërta me të. Përpara këtij fakti tragjik, vrau veten. Një shembull i qartë i diferencës ndërmjet personalitetit të një nacionalisti dhe një komunisti. Para syve më del gjithashtu figura heroike e Hysni Toskës, pjesëmarrës i çetave të 1911—1912-ës, shpalljes së pavarësisë, pjesëmarrës i luftës së Vlorës, deputet i parlamentit shqiptar e të tjera kur mbetet i rrethuar nga forcat e komanduara nga Neshat Hysi, në banesën e tij së bashku me gruan Rabijen, vajzën Ervehenë dhe djalin Skënderin. Të katër qëndrojnë duke luftuar si burrat. Në fund, për të mos u dorëzuar Hysniu vret veten, ndërsa Skënderi mundi të ikë, por kapet pas disa ditësh dhe pushkatohet. Erveheja mbetet e plagosur në shtëpi. Kriminelët i djegin edhe shtëpinë. Po ky a nuk është një krim i shëmtuar? Një epope më vete është edhe beteja e Dukatit në Vlorë më 30 nëntor 1943. Një shembull kuptim plotë i krimeve të kryera nga kriminelët komunistë. Batalionet “Asim Zeneli“, “Halim Xhelo” dhe “Antonio Gramshi“, sulmojnë fshatin në pabesi natën. Forcat nacionaliste, të komanduara nga trimi Maliq Koshena i përgjigjen zjarrit me zjarr. Komunisti Myrto Sadiku nga Tërbaçi i drejtohet dukatasit Murat Bodo: Hidhe armën, fashist i ndyrë! Ndërsa Murati i përgjigjet me bejte: – S’jam fashist por i dukat, As ti rus, por i tërbaç, Po na qenka taksirat, Që na vjen, na vret në prak! Në këtë betejë vriten njëzetetre djem, pesëmbëdhjetë partizanë dhe tetë ballistë. Partizanët detyrohen të tërhiqen, duke lënë të vrarët në fushën e betejës. Populli i Dukatit i varrosi të njëzetetre njeri pranë tjetrit dhe gratë dukatase i qanë së bashku:
Korba, na u vranë djemtë, Ca këtu dhe ca në çetë, Ca në çetë, ca në parti, Vaj medet o Shqipëri!
Ky ishte karakteri i vërtetë i nacionalistëve shqiptarë që i dallonte nga egërsia e shfrenuar e komunistëve.
Le të vazhdojmë më tej. A nuk ishte një krim i pa dëgjuar në historinë e Shqipërisë ekzekutimi i gjashtëdhjetepesë bujqve të pafajshëm që i groposi brenda një dite në një varr të përbashkët udhëheqësi juaj krimineli Mehmet Shehu, apo njëqindepesë martirët e Libohovës të vrarë në një ditë dhe shtatëmbëdhjetë të pushkatuarit në Gjirokastër ku midis tyre mbeti i vrarë martiri Boço Kalo me të birin e ri fare? Kush të mundet le të përgjigjet.
Më lejoni tani t’u përshkruaj dy ngjarje të cilat i kam mbijetuar vetë.
Kam qenë i vogël në ato vite, por përpara syve të mi kanë mbetur të gjalla dy skena të paharruara. Ishte shtatori i vitit 1943. Banonim në Tiranë, në një rrugicë në rrugën e Kavajës, përballë asaj të ish Radio Tiranës. Një mëngjes, ndërsa po bëheshim gati për të shkuar në shkollë, dëgjojmë dy krisma revolveri dhe menjëherë pas saj një klithmë të tmerrshme. Dolëm me vrap përjashta dhe para portës së shtëpisë së fqinjit përballë pamë të shtrirë, të gjakosur trupin e djalit të shtëpisë dhe nënën e tij të ngratë që vajtonte mbi kufomën e të birit. Atë mbrëmje im atë u kthye vonë, i shoqëruar nga një miku i tij. Kishin qenë në familjen e të vrarit. Akoma kam parasysh fjalët e mikut që i thosh tim eti:
– Më vjen shumë keq për këto që filluan të ndodhin. Tani në vend të luftës çlirimtare do të kemi luftën vllavrasëse.
Djali kishte qenë një aktivist i Ballit Kombëtar për qytetin e Tiranës. Ngjarja e dytë ka të bëjë me ditët e luftës së Tiranës, në nëntorin e vitit 1944. Atëherë banonim në Pazarin e Ri, në shtëpinë e doktor Kërçikut. Një natë trokiti porta e shtëpisë. E hapëm dhe brënda hynë një skuadër partizanësh. – Duam doktor Kërçikun. – tha komandanti tyre Burri i hallës që banonte së bashku me ne, doktor Bajram Emiri, u thotë:
– Doktor Kërçiku nuk banon këtu, por po patët nevojë edhe unë jam mjek dhe mund t’ju ndihmoj.
– Jo, jo duam doktor Kërçikun, – tha komandanti.
Doktori e kuptoi qëllimin e tyre. Dërgoi me vrap vëllan tim të madh , i cili nëpërmjet një porte që lidhte oborrin tonë me atë të doktorit, e lajmëroi atë përpara se të mbërrinin partizanët. Doktor Bajrami tha:
– E kërkonin për ta vrarë, ashtu si vranë Akil Sakiqin, ushtarakun e shquar që banon në rrugën e Pishës, siç vranë Mumtaz dhe Vesim Kokalarin, botuesit e njohur të “ Mesagjerisë Shqiptare “, ashtu si vranë gazetarin e njohur Nebil Çika te kafe Kursali. Po shyqyr që mundëm ta lajmërojmë dhe ai shpëtoi.
Më vonë do të mësoja për masakrën e kryer ato ditë, ku mbetën të vrarë tridhjetetetë intelektualë.
Kjo ishte tablloja e atyre viteve të tmerrshme, vite që i ka pasqyruar me vërtetësi, duke u mbështetur në dokumenta historike të nxjerra nga arshivat shtetërore Uran Butka në librin e tij që do të mbetet si një perlë e historiografisë së re shqiptare.
Në krye të këtij kori të hienave të kuqe qëndron një ish gjykatës i regjimit komunist që në ndërgjegjen e tij mban shumë dënime të njerëzve të pafashëm dhe që tani ka uzurpuar fronin e deputetit të Kuvendit të Shqiparisë. Para syve kam gazetën “55” datë 27 shkurt 1999. Ajo ka një shkrim të gjatë kushtuar kësaj monstre. Sipas tij kjo hienë, duke qenë me detyrë gjyqtar, në vitin 1985, ka kryer një gjyq fiktiv kundër katër ushtarakëve që mbaheshin në arrest. Ai urdhëroi sekretaren e tij të përpilonte një proces-verbal sipas të cilit gjyqi na paskej qenë zhvilluar në rregull dhe duke caktuar edhe dënimet për sejcilin prej tyre, të cilat ua komunikoi personalisht të akuzuarve. Një gjë e tillë u zbulua nga rekursi që bënë të pandehurit në Gjykatën e Lartë. Kjo ra në sy edhe të anëtarëve të Byrosë Politike të Partisë së Punës. Anëtari i kësaj byroje, Rita Marko, porositi që gjyqtari të çohej për ndjekje penale nën akuzat “ Për heqje të padrejtë të lirisë” dhe “ Për shpërdorim të detyrës”. Por gjyqtari me ndërhyrjen e Sulo Gradecit pranë Ramiz Alisë detyroi kryetarin e Gjykatës së Lartë ta kthejë dënimin nga ndjekje penale në përjashtim nga organet e drejtësisë. Por mjeshtri i mashtrimeve nuk u mjaftua me kaq. Nëpërmjet manovrimeve të ulta të tij ai bëri te heshte Komisionin e Kontrollit të Figurave kur ishte kandidat për deputet dhe kështu mundi të hynte në Kuvendin e Shqipërisë. Cilido që kërkon të mësojë më shumë për këtë çështje le të lexojë gazetën që citova më lart.
Së fundi, për ta mbyllur, më lejoni të citoj disa vargje nga poeti i njohur Ali Asllani, i cili në poezinë “Dasma e madhe” shkruan pikërisht për atë periudhë të errët të historisë së kombit tonë:

Un’të them se jam i kuq ti më thua jam i bardhë,
un’me huq e ti me huq, pra… të zezat radhë radhë!
Nën’e zezë, motër e zezë, bab’i zi e babëzi,
Në një çap- një varrezë, ky atdheu yn’i zi.
Ky atdheu yn’i zi, na u bë skëterr i vrerit,
Varen eshtrat e shqiptarit nëpër sqepe të skifterit.

Please follow and like us: