Xhoi Jakaj: Sa shumë urrejtje e sa pak dashuri mes nesh!
Këto ditë vere ka aq shumë mllef dhe inate brenda shpirtit njerëzor, të gjithë janë kundër gjithë të tjerëve, nese bëhet protestë-pse po bëhet se ka sfond politik, nëse nuk bëhet-pse përsëri, nëse pranë protestuesve të një kauze gjendet një lider partiak-u privatizua protesta, nëse nuk shkon një palë tjetër bëhet po akuzues për mungese solidariteti? Rrjetet sociale kanë zhvilluar urrejtjen dhe ajo po zhbën tërësisht termin dashuri e cila është fjala magjike e të gjithë kohërave, e ka vend për të gjithë dhe bën sens, edhe për të pasurit, edhe për të varfërit, edhe për politikanët, edhe për ata pa parti, pra ka rënë kambana e alarmit për më shumë paqe e dashuri…
Të dashurosh dhe të dish të duash, në menyrë të tillë që mos ndjekesh rrugën e gabuar në jetë e mos të gjykosh gjithçka e gjithkënd është ndonjëherë e brendshme, por dhe e kultivuar.
Po e nis këtë shkrim me idenë se sado pak do jem e dobishme, pasi dhemb shumë fakti që ndonjeherë e lëmë të dorës së dytë e sa pak e vlerësojmë në dashurinë dhe them me vete: Pse mos të kishte vend për kurse të veçanta ku njerëzit të mësonin mbi dashurinë, shkolla për të vegjëlit që të mësoheshin si të rriten me kulturën e dhënies së mirësisë kudo ku ata ndodhen e kur të rriten të jenë të gatshëm dhe të përgatitur për t’u përballur me qetësi dhe logjikë të ftohtë me problemet pa kaluar në urrejtje e dhunë, por të jetë rrënjosur e mësuar brenda karakterit të gjithesecilit. Pra si të duan veten, jetën, botën që na rrethon, fëmijët, prindërit, miqtë, mikeshat dhe motivi i ditës të jetë puna dhe transmetimi i dashurisë. Mbase kur ta lexoni këtë shkrim ndonjeri nga ju do thotë me siguri do mërmërisë se ‘autoria nuk është mirë, se po kalojmë kohë të vështira e nuk duhet të bësh moral për mirësi e paqe, por për mënyrën si përballohet dhuna dhe padrejtësia’. Dhe në fakt pikërisht këtu nis problemi ynë që asgjë nuk e bëjmë me dashurinë e duhur ndaj jemi katandisur në një valë të tërë urrejtjeje e mllefi mbarëshoqëror të gjithē kundër gjithçkaje.
Unë me këtë apel dua të prek në ndërgjegjie të gjithë ata që kanë humbur sensin e dashurisë njerëzore dhe ua sugjeroj ta lexojnë se shërben për të fituar atë që ka rëndësi për shpirtin; të mendosh mirë për tjetrin dhe me dashuri është një veprim i mrekullueshëm, t’i largohemi dhunës së fjalës, urrejtjes së transmetuar në gazeta dhe edicione lajmesh, në kryetituj sa u vranë dhe sa u vetvranë, sa u aksidentuan, si e vrau burri gruan me thikë se i gjeti mesazh për tradhëti bashkëshortore; si disa adoleshentë lidhën një vajzë të vogel dhe e dhunuan!… A nuk ka ardhur koha që njeriu si qenia e brishtë të vlerësojë tjetrin dhe të gjithë të mendojmë sa dhëmb e sa e trishtë është kur kultivohet tek fëmijët e të rinjtë ky model i mungesës së dashurisë dhe të mbrojmë jetët tona nga këto strese e makthe që të sjellin në mendje epidemi luftedhe jo kohëra paqe.
Nëse njeriu i zakonshëm përpiqet të gjej veten, çdo rrugë është vetëm njeri nga drejtimet ndër miliona rrugë të mundshme që zgjedh, prandaj duhet të kemi parasysh se rruga e ndjekur të sjell ose paqe ose luftë, zgjidh të parën, por jep shembull konkret. Në këtë mënyrë do e kuptoni që të ndiqni drejtimin e duhur, i cili të shpie drejt dashurisë për jeten dhe jo drejt dhunës së përjetuar për vete e ta përcjellësh tek të tjerët, nuk është mision i pamundur por i vërtetë.
Ne shpesh nuk besojmë totalisht në fuqinë e dashurise dhe perpiqemi ta perkufizojmë si iluzion, opium të mendjes, mendim idealist, etj. Kemi dyshime e paragjykime ndaj teorive që përpiqen të kërkojnë e të provojnë fuqinë e dashurise, duke përcaktuar sjellje të personalitetit njerëzor si normale kur nuk dhurojmë dashuri, ama të gjithë ne na shërben për të kuptuar rëndësinë e të qenit i mirë dhe i dashur; nuk duhet të kenaqemi duke kopjuar shembuj jo të vlefshëm të personalitetit njerëzor, por të luftojmë e të përsosim vetveten, një njeri i pasur me dashuri, ka çfarë të tregojë gjithnjë dhe kur është aktiv në dhënien e kësaj ndjesie të veçantë se merr si kusur mirësinë e dhënies së dashurisë!
Për njeriun gjëja më e madhe që ka është jeta dhe deri sa jemi gjallë ka dhe shpresë, thotë një fjalë e vjetër e të parëve tanë; të zgjedhësh jetën nuk është kaq e vështirë sa kujtojmë e megjithatë janë të shumtë ata që nuk dinë të zgjedhin rrugën e drejë të dashurisë, paqes, ndihmës e mbështetjes, humanizmit dhe perfeksionit të figurës njerëzore…Edhe nëse kjo rrugë e juaja kalon nëpër shtigje të errëta apo sakrifica të mëdha ia vlen të jetosh me dashuri dhe ta trensmetosh atë në ambientin ku ti punon dhe jeton, larg gjuhës së urrejtjes se po i helmojmë fēmijët tanë me dhunën verbale të fjalës e po rrisim rini të ashpër, pa pikēn e dashurisë për jetën, punën, prindërit dhe vetveten!
Është koha të ngremë alarmin për më shumë paqe e mirësi në mesin tonë!