Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: Marrëdhëniet diplomatike shqiptaro-amerikane

Frank Shkreli

Ish-drejtori i VOA-s për Euroazinë.

 

27 Korriku, 2019 shënoi 230-vjetorin e themelimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, (DASH). Sipas (DASH) ky përvjetor paraqet një rast unik për të nënvijuar historinë dhe trashëgiminë e rolit të rëndësishëm që ka luajtur diplomacia amerikane në të kaluarën, sot dhe në të ardhmen. DASH organizoi me këtë rast të veçantë, një ceremoni të sponsorizuar nga Sekretari aktual Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo. Pjesë e këtij aktiviteti me rastin e 230-vjetorit të themelimit të diplomacisë amerikane, ishte edhe disa nga gjigantët e kësaj diplomacie, përfshirë ish-Sekretarin Amerikan të Shtetit, Henry Kisinger dhe me biografin e tij zyrtar, Niall Ferguson, ndërsa ish-Sekretarët e Shtetit Madeline Albright dhe George Shultz kanë dërguar video mesazhet e tyre për të përshëndetur këtë përvjetor. Të pranishëm ishin edhe një numër historianësh dhe ekspertë të diplomacisë amerikane. Në fjalimin e tij me këtë rast, Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u tha të pranishëmve se, “më 4 Korrik, 1776, baballarët tonë deklaruan se të gjithë njerëzit kanë lindur me të drejta të barabarta.   Ata kanë thënë se të gjithë ne, secili prej nesh, jemi të pajisur (nga Perëndia) me të drejta të pa tjetërsueshme. Ne të Departamentit Amerikan të Shtetit, tha kryediplomati amerikan, Pompeo, ndjekim shembullën e baballarëve tanë. Ne përdorim diplomacinë për të mbrojtur pikërisht këto të drejta të patjetërsueshme, jo vetëm për ne amerikanët, por për të gjithë njerëzit anë e mbanë botës. Ne zhvillojmë negociata si me miqë ashtu edhe me armiqët tanë, për të mënjanuar konfliktet ushtarake me qëllim për të parandaluar vrasjen e njerzëve të pafajshëm. Ky është një mision që ne duhet ta marrim shumë seriozisht në çdo moment të veprimtarisë tonë”, ka thënë Pompeo. “Ne mbështesim kombet që duan të ruajnë pavarësinë e tyre nga influencat e huaja. Jemi me fat se ne e kemi bazën e vendosur mbi autoritetin unik moral të vlerave amerikane, në mbështetje të atyre personave që nuk kanë asnjë zë në mbrojtje të drejtave tyre kur abuzohen të drejtat e tyre të njeriut”, është shprehur Sekretari Amerikan i Shtetit Pompeo, në fjalën e tij në ceremoninë kushtuar 230-vjetorit të themelimit të Departamentit Amerikan të Shtetit. Ai foli për të kaluarën e DASH, se duke falënderuar të gjithë ata që për 230 vjet, kanë punuar në fushën e diplomacisë amerikane, duke përmendur disa persona me emër, të cilët, theksoi Pompeo, na kanë treguar me punën e tyre se çfarë enti diplomatik është DASH dhe se cili është misioni i diplomacisë amerikane. “Këta heronj diplomatikë, me shembullin e tyre kanë përgatitur rrugën për ne, jo vetëm duke mbrojtur lirinë nëpërmjet punës së tyre, por duke qenë njëherazi edhe shembull shërbimi njerëzor”, ka theksuar Pompeo. Duke shikuar drejt të ardhmes, Kryediplomati i SHBA-ve tha se është radha jonë tani që të përgatisim rrugën për ata që vijnë pas nesh, duke përcaktuar me punën tone sot se çdo të thotë të jesh anëtar i Departamentit Amerikan të Shtetit. “Ne duhet të jemi, një grup pune që bashkëpunon për Një Mision të vetëm drejtë Një të Ardhme të vetme”, ka porositur ai kolegët e tij në DASH. Kjo duhet të ndodhi, nënvizoi Pompeo, nga një administratë në tjetrën, nga një brez në tjetrin, si dhe nga detyra në detyrë, ashtu edhe prej një roli në tjetrin, cilët do qofshin ato – të angazhuar – theksoi Mike Pompeo – “Në mbrojtje të Kushtetutës dhe të popullit amerikan, duke shërbyer me profesionalizëm dhe integritet dhe me përgjegjësi për çdo veprim që ndërmarrim gjatë detyrës tonë”, është shprehur ai. Sekretari Amerikan i Shtetit përfundoi fjalën e tij në ceremoninë e 230-vjetorit të themelimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, duke u bërë thirrje kolegëve të tij, që me punën e tyre sot, të shërbejnë si shembull për diplomatët e ardhshëm amerikanë. “Le të jemi shembull i mirë për ta, duke mbrojtur parimet amerikane, të cilat e kanë bërë Kombin tonë më të madhërishmin në historinë e botës”.

Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane

 Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane nuk mund të thuhet se ishin normale gjatë kësaj historie 230-vjeçare të diplomacisë amerikane. Shtetet e Bashkuara, sipas portalit të DASH, kanë vendosur marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë në vitin 1922, pas shpalljes së pavarësisë më 1912 nga Perandoria Otomane.   Marrëdhëniet diplomatike midis Tiranës dhe Washingtonit janë ndërprerë në vitin 1939 për shkak të pushtimit të Shqipërisë nga Italia (1939-43) dhe nga Gjermania (1943-44), gjatë Luftës së Dytë Botërore. Siç dihet pas luftës, për arsye të vet-izolimit diplomatik nga diktatori stalinist Enver Hoxha, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara nuk kishin marrëdhënie diplomatike.  U desh të pritej deri në prillin e vitit 1991 — kur me shembjen e Murit të Berlinit ra komunizmi në Evropën Lindore e Qendrore — që të rivendoseshin marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve tona. Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë u rivendosën më 15 mars, 1991, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh. Delegacioni i parë i Departamentit Amerikan të Shtetit arrijti në Tiranë, pas një gjysmë shekulli, menjëherë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve dhe qëndroi atje në mars/prill, 1991. Ambasada e SHBA. në Tiranë u hap më pak më vonë atë vit me 1 tetor 1991, me diplomatin Kristofer Hill si i Ngarkuar me Punë “ad interim”, i pasuar nga Ambasadori i SHBA, Uilliam Rajerson, i cili i paraqiti kredencialet e tij Qeverisë së Shqipërisë më 21 dhjetor 1991. Unë me disa shqiptaro-amerikanë patëm nderin të ishim të pranishëm në ceremoninë historike në vitin 1991 në Departamentin Amerikan të Shtetit në Washington për nënshkrimin e “Memorandumit të Mirëkuptimit”, i cili rivendosi marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.  Me atë rast tepër emocional për të gjithë ne të pranishmit, Ndihmës Sekretari i atëhershëm i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Kanadeze, Z Rejmond G.H. Saitc, tha: “marrëdhënia midis vendeve tona fillon me vitet e hershme të këtij shekulli, kur Presidenti [Udrou] Uillson i ofroi mbështetjen amerikane shtetit të ri shqiptar. Marrëdhënia nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanët me origjinë shqiptare…të cilët mbajtën kontaktet me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve”. Më 11 qershor 1991, ish Sekretari i Shtetit Xheims A. Bejker III ishte zyrtari i parë i nivelit të lartë i SHBA që ka vizituar Shqipërinë pas periudhës së gjatë të izolimit të vendit nga regjimi i Enver Hoxhës. Qysh nga ajo kohë, marrëdhëniet SHBA-Shqipëri kanë përparuar e janë rritur, me batica dhe zbatica, nga koha në kohë, varësisht gjendjes së brendshme politike të Shqipërisë, kryesisht si rrjedhim i konflikteve dhe mosmarrëveshjeve midis dy partive kryesore të vendit,si dhe për mungesë të rendit ligjor dhe të korrupsionit që ka përfshirë aktualisht nivelet më të larta të qeverisë dhe të shoqërisë shqiptare, në përgjithësi Megjithë vërejtjet dhe kritikat midis miqve, gjatë pothuaj 30-vjet post-komunizëm, Kombi shqiptar nuk ka as nuk besoj se do të ketë mik më të madh se Amerikën. Kjo është treguar herë pas here nga Washingtoni, madje edhe gjatë periudhës izolacioniste të Enver Hoxhës, ndërkohë që Washingtoni gjithmonë ka shprehur respektin dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë dhe për shqiptarët, ndonëse jo për regjimin e asaj kohe. Në qoftë se më lejohet një shënim personal – në këtë 230-vjetor të themelimit të diplomacisë amerikane dhe pothuaj 30-vjet pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Tiranë-Washington – e ndjejë veten të privilegjuar që isha në Tiranë me delegacionin e parë diplomatik të DASH – një ngjarje kjo që shënoi kthimin e pranisë diplomatike amerikane në Shqipëri pas një mungese prej pothuaj 50-vitesh. Është normale që midis miqsh të ketë periudha ftohjeje në marrëdhëniet midis tyre. Kjo ndodh edhe me aleatët më të ngushtë amerikanë. Por lind pyetja se ç’duhet bërë që këto marrëdhënie të mos pësojnë ftohje, pasi keqësimi i marrëdhënieve Tiranë-Washington është më shumë në dëm të interesave të Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar se sa në dëm të Shteteve të Bashkuara. Kyçi për qëndrueshmëri në marrëdhëniet dypalëshe, janë vlerat e përbashkëta. Nga pikëpamja ime, ashtu siç është rasti edhe me shtete të tjera të rajonit dhe botës, kjo miqësi midis dy Amerikës dhe Shqipërisë shtohet me forcimin e demokracisë së vërtetë dhe të institucioneve të shtetit, me zbatimin e ligjeve, me luftën serioze kundër korrupsionit dhe me zhvillimin e ekonomisë së tregut. Por mbi të gjitha, lidhjet midis dy vendeve forcohen me bashkëpunimin e të gjitha forcave politike shqiptare duke zhvilluar një diskurs normal politik, duke venë interesin e kombit dhe të popullit të vet mbi interesat personale e partiake, me përcaktimin e disa qëllimeve të qarta, afat shkurtra dhe afatgjata kombëtare. Gjatë 230 vjet diplomaci, Shtetet e Bashkuara kanë treguar se një klasë politike, ose një politikan, kudo në botë, që nuk punon për të mirën e përbashkët dhe për mirëqenien e popullit të vet, pa dallim, nuk është një aleat i denjë. Mos të gënjehet ndonjë politikan shqiptar! Marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kombin shqiptar nuk kushtëzohen as nuk varen nga ndonjë politikan i përkohshëm, as nga ndonjë ideologji, as parti politike, por konsiderohen si marrëdhënie popull me popull, bazuar në disa vlera, parime dhe të drejta universale të njeriut, pa marrë parasysh se cili person ose cila parti udhëheq qeverinë shqiptare, në një kohë të caktuar. Si me çdo shtet tjetër, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë të bazuara në parimin se të gjithë njerëzit janë të krijuar me të drejta të barabarta, pa dallim.
Please follow and like us: