Albspirit

Media/News/Publishing

Brunilda Spiro: Mos fol!

 

Fotografia e Brunilda Spiro

Mos fol

Vetëm më jep dorën!

Fjalët kanë filluar të më dhimbsen

I lodhëm me mërira e inate

Nëse krahë do kishin si dallëndyshe

Do fluturonin shumë larg

Dhe stinën e kthimit do e sajonin njëherë në 100 vjet…

Vetëm më prek!

Mbase prekja kujton prekjen

E dridhet si ne dikur, kur ti ishe një djalë

çapkën e unë një vajzë leshverdhë…

Se u dashkan jo pak, por

220 volts të rizgjohen qelizat si arkiva besnike

për ca si ne, dizajne me temperaturë të ulët

Që në pranga rutinë e prangosëm pranverën

Dhe të lirë lamë dimrat e ngrirë

Po edhe nëse, të digjemi si dikur kemi harruar

Më merr dorën e në parkun tonë shkojmë sërish!

E sheh stolin tonë të vjetër që një dërrasë e vetme i ka mbetur në mes?

Dy të rinj po puthen si dikur ne, veçse me pak ndryshim

E provojmë edhe ne, se francezët tashmë i kemi miq

Pastaj stolin e djegim që të na ngrohë edhe për shumë vjet

Se sa zjarre ka shuar po aq ngrohtësi ka marrë…

Shëttttt!

Se do na dëgjojnë, bota është plot me njerëz si ne…

Epokat e Tokës ecin brenda të gjithëve

Vullkan, akullnajë, pastaj thjesht një tog me dhe…

Kujt i duhen fjalët…

Vetëm dëgjo zërat e dashurisë, si nina-nana hyjnore

Që dikush përtej nesh na i këndon

Shoqëruar nga:

Era soliste, shiu bateri e gjethet piano…

 

SHBA, 08/07/2019.

Please follow and like us: