Aristotelis Vallaoritis: SHËNMËRIA
Aristotelis Vallaoritis
“Buzëqesh agimi tek po çel, shkëlqen si shegë e kuqe
mjegull e zbehtë që zbardhëllon e tretet përmbi lugje.
Zog i mëngjesit cicëron, dhe qingjat blegërasin.
Zgjohen thëllëzat në ograjë e njëra tjetrën ngasin.
Zgjohet dhe igumeni plak, bekon ditën e ndritur
drejt kishëzës ecën ngadalë e duke murmuritur,
i krrusur tek ikonë e shenjtë afrohet që të falet.
Por sa nder buzët drejt asaj, hutohet, stepet, ndalet,
dallon se përmbi fron të artë – oh, tmerr për sytë e tia –
nuk ishte zonja Virgjëreshë, mungonte Shënmëria.
Tmerrohet kallogjeri i ngratë… Mbi pllaka gjunjëzohet,
përplas fytyrën përmbi tokë, lutet e përgjërohet…
Kur befas, kisha flakëron edhe një dorë i ndihet,
që ndën aromën dehëse… sikur i thotë të ngrihet.
I hapi sytë i shkreti prift… Në mjekrën e zhuritur
lotët i dedheshin rrëke… Por nga ikonë e ndritur,
Hyjlindësja i buzëqesh, mbi fron të stërbekuar
tok me Fëmijën që gëzon dhe qesh i lumturuar.
– Në kë kasolle të vobektë, në ç’ zemër të lënduar,
e shkove natën e pafund, ti Zonjëz e Nderuar?
Vallë cilën lule të përtharë, kë ëndërr njerëzore,
me Hirin tënd ringjalle prapë, si vesa mëngjezore?”
Shqipëroi: Arqile Garo
Nga libri “Pelegrin në Ujëvarat e Poezisë Helene”.