Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: ‘Pasqyrat e shpirit’ të autores Mimoza Pulaj

 

Pasthënie

Image result for sadik bejko

Sadik Bejko

Me dëshirën e autores dhe me rekomandimin e një miku botues u takova para një viti me Mimoza Pulajn dhe… me poezinë e saj. Me leximin e parë, që shpesh është vendimtar, kuptova që Mimoza Pulaj është në një peng me veten, një peng që e ka ruajtur thellë në vete dhe më së fundi ajo përballet me të dhe na e shfaq botërisht dëshirën për të shkruar; jo për të shkruar por për t’i publikuar ato që vazhdimisht i kishte shkruar dhe i kishte grisur.

Këtij i thonë guxim. Them guxim se Mimoza Pulaj tashmë, siç del nga poezitë e saj, është në moshën kur një grua bëhet gjyshe. Pra dëshira paska qenë aq e thekshme, sa, më së fundi, gati dramatikisht, njeriu është përleshur me një nga ëndrrat më të fshehta dhe më të hershme dhe i është dhënë, i është dorëzuar asaj. Më mirë vonë se kurrë.

Në këto dy fjalë përcjellëse nuk marr përsipër të hyj në analizën e këtij libri. Po rendis vetëm disa përshtypje të miat me qëllim që të mos ndërhyj në sekretin që fsheh një libër, që të mos tentoj të drejtoj as shijet apo ndjesitë e publikut që ende lexon poezi. Vetëm jam i sigurtë që cilido që do ta lexojë këtë libër do të gjejë një befasi në stilin e autores. Ajo shkruan dhe derdh lirshëm një emocin a një situatë pa përdorur rimë, metër dhe asnjë nga ato artificet që poezia tradicionale ua ofron të gatshme atyre që nisin e shkruajnë për herë të parë. Ajo vjen me një gjuhë poetike të kthjellët, me një ndikim nga poezia moderne, nga proza lirike, nga prirja për t’u çliruar nga shabllonet e shtampat poetike.

Kjo e bën të freskët të shkrifët e të zhveshur, domethënë të qëruar, atë lëndë poetike që autorja na e ka ofruar.

Vlera e dytë krahas lirshmërisë së shprehjes është te sinqeriteti i shpalosjes së disa sekreteve. Janë të shtruara jo të tendosura situatat poetike. Dhe rrëfimet nuk duan të të mashtrojnë, por të të ndiellin në thellësi emocionale që janë vetëm intimisht të shtrenjta e personale. E kjo personale e “njërit”, e autorit, kur jepet, dhurohet çiltërisht, na thellon të gjithëve te të dhëna të tilla që janë të kyçyra te secili.

Së treti, do të shtoja se ka diçka të butë, të ëmbël prej gruaje e prej njeriu të mirë që përcillet në këto poezi. Kjo edhe në figuracion, edhe në emocionet pozitive, edhe në tonalitetin e zërit të ulët, të thellë e të urtë në përvojë e në vetëpërmbajtje.

Nëse këto poezi do të jenë një album poetik personal e familjar, kjo i bën nder autores, që këtë album ua dhuron njerëzve të saj të afërt. Njeriu që dhuron është gjithmon bujar dhe i mirëpritur. Po, nëse ato përtej një albumi personal do të gjejnë dhe lexues të tjerë, kjo do të jetë një sukses publik për autoren. Këtë më mirë le t’ua lëmë lexuesve të poezisë që ta gjykojnë.

Mimoza Pulaj edhe me kaq ia arriti ta prekë dhe ta realizojë ëndrrën e saj të hershme.

28 shtator 2012.

Image result for mimoza pulaj, pasqyrat e shpirtit

Please follow and like us: