Cikël poetik nga Sadik Bejko
Djegagur
Nëpër rrafshinë fije-fije, të tërhequra,
mishrat tanë në maja gurësh të tharë,
jeta jonë, mishi ynë, krehur, tëholluar
në gurishtet tek-tuk me gjëmbaçë.
Në tezgën skelet të krahëve
mbartnim fëmijët e tretur.
Në muzg pllaja ngre fantazma.
– Ejani, – thanë të vdekurit tanë,
si kalë ju dërgojmë një korb
për zbritjen këtu në zgavra.
U thamë për ujë.
Me mishin e vet gjëmbaçi na veshi kockat.
– Ejani, e dimë më mirë se ju
si u venë punët me jetën,
pranojeni korb – ndivnesën.
Ecnim. Mishrat rrjepur nëpër djegagur.
Na ndiqte pas i korbave krokimi.
Jeta jonë, ti na duheshe, na duhesh
përtej një vdekjeje dhe përtej një zgjimi.
Komanda e gurit
Në myshk një fik zgjatet
me çatallet lakuriq.
Përçudshëm si pjellë mushke
me rrënjët në mur guri, ky fik.
Në ajër të braktisur
myshku zgjat mjekrrën mbi porta,
mbi pleq me nga një qeskë tumori,
me reumatizmën kockë mbi kocka.
Gjithçka këtu komandohet nga guri.
Rrëke e shirave vetëm në vjeshtë
me ndonjë arkë plaku
rrëzohet për nga lumi.
Fiku i përçudshëm në gur
në verë martohet me hardhi.
Mbi rrasa, duke rjepur gjunjët,
me një zog sqepon rrush një fëmijë.
Në rrethin e trembëdhjetë
Në një tunel,
në rrethin e trembëdhjetë
kam ngritur një tribunal pambarim.
Jam vetë i akuzuari,
dëshmitarët, publiku…
Vendimet i jap e aty mbesin,
letrat i mbulon myku.
Nën ankth e makth që zgjat,
me peshore në dorë,
ndëshkimi im ther.
I fitoj të gjithë gjyqet në tribunal.
…të ndëshkuarit,
fajtorët? Ata prapë
paturpësisht fitimtarë.
Bëjnë jetën ata.
Popullojnë majat dhe rrugën.
Qeshin nga lart, më nxjerrin gjuhën…
Jam i moshuar,
prift i thinjur në kishë,
dhe s’heq dorë
nga ky tribunal
…një huq i rinisë.
Në tribunalin tim s’marr pranga,
litarë, xhelatë a burg.
Me tru në erë, me peshoren në dorë
jap vetëm të drejtë.
Këtu, në tunel,
në rrethin e trembëdhjetë.
Drunjëzim
E ndieu se po fundosej nën gjethe.
Ecte dhe mbi të binin degë të prera mani-
butësi, dritësi gjethesh të rënda,
gjethe të njoma, të errta…
Dhe dita, rruga… si kapak mbi fundomë xhami.
Gjethet bënin xhamin e arkivolit mbi fytyrë.
Riti është i qetë dhe ditën për diell.
Mund të shëtisësh nën mullar gjethesh.
Nën tejdukshmëri të blertë
ha, fle, hipën a zbret nga makina.
Po gropa është hapur, e plotë, e thellë:
po të flasësh, shpërndan fëshfërima.
Nën shtresa gjethesh po shkoqet mishi.
Në mushkëri ke një dëng me fletë.
Skeleti i bardhë po të gjethohet.
Një lëvore e butë peme të gjithin të përpin.
Në tejdukshmërinë e varrosjes së blertë
të qoftë i lehtë
drunjëzimi në pemë. Amin.
Në kaçuben e brengës
Bëj udhë pa truall nën këmbë,
udhë ajri me humbime përbrenda.
Një korridor pa mure dhe dyer,
ngjitur këmbët në baltë, ardhur nga hëna.
Thur gjyshen në leckat e mbrëmjes,
në thilenë e mbrëmjes thur brengë.
Me gjak kafshimesh
në degë dimri skuq kokrra të reja në shegë.
Një shelg të butë thinjash moshe
me dorë të fortë
e var mbi natën si hënë.
Nga bregu i korrur me milingona kokrrash
në kaçube brenge ushqej gushkuq dhe mëllënjë.
Në piskamë mëllënje si kokrrëza shege nën shi
ndërtoj një thurimë gjumi.
Me lëkurë të rjepur bari
në thilenë e natës thur hënë
dhe mbi brengën pa brigje lumi.
Bëj udhë pa truall nën këmbë.
Nga libri “Letër Hamurabit”.