Merita Merja, zonja që zbukuron femrat, edhe një bamirëse e madhe
Ardiana D. Allamani
‘Më jep besim se edhe unë jam pjesë e bukur e kësaj bote’
Kjo është nisma më e fundit që po bashkon njerëz të mirë me një dëshirë të përbashkët të ndihmojmë fëmijet me aftësi ndryshe!
Xhoi Jakaj, me idenë e saj brilante, po bashkëpunon me një grup vajzash të organizuara vullnetarisht për t’i dhuruar një ditë ndryshe fëmijëve me probleme autizmi!
Në datën 30 Gusht 2019, në orën 10.00 në mjediset e Fondacionit M&M Ivanaj do të zhvillohet një ndër koncertet më të bukura ku fëmijët me aftësi ndryshe janë protagonistët kryesorë të asaj dite!
Por sa po mbështetet kjo nismë nga njerëz të cilët mund të dhurojnë diçka nga vetja e tyre? Sa përkrahës janë ‘njerëzit e njohur në Shqipëri’ kur bëhet fjalë për të tilla veprimtari?
Merita Merja një ndër vajzat më të talentuara shqiptare në fushën e artit të parukerisë dhe estetikës, përveç përkushtimit të saj në punë, gjen hapësirë të përkushtohet gjithmonë kur bëhet fjalë në të tilla nisma, të ndihmojë atë shtresë të shoqërisë që ka më shumë nevojë për të gjithë ne!
Thjeshtësia, pasioni për punën dhe jetën, sinqeriteti dhe dëshira e saj për të ndihmuar këdo që ndodhet në nevojë e bëjnë të diferencohet nga të tjerët!
Një jetë që kuron në detaje vajzat në ditët e tyre më të rëndësishme duke i bërë të ndihen të lumtura, njëkohësisht duke lumturuar ata njerëz që presin me padurim që Zoti t’i sjell pranë dikë që qoftë në një ditë t’i ndryshojë jetën!
Merita Merja, me një eksperiencë 15-vjeçare në fushën e parukerisë & estetikës rrëfen për ne dashurinë për profesionin e saj, përkushtimin, bamirësitë e bëra ndër vite për njerëzit në nevojë!
Keni një kohë mjaft të konsiderueshme që merreni me artin e parukerisë dhe estetikës, çfarë ju frymëzon më shumë nga ky profesion?
Merita Merja: Përshendetje! Është e vërtetë që kam shumë kohë që merrem me fushën e bukurisë, mbi 15 vjet do cilësoja dhe ajo që më ka frymëzuar dhe më frymëzon në artin e së bukurës është se më vjen natyrshëm dhe dua të bëj maksimumin tek çdo kliente që hyn në sallonin tim. Të gjitha e duan të bukurën, të gjitha duhet të ndihen të bukura e nëse u jep një dorë do ndihen akoma më mirë.
E keni menduar ndonjëherë të merreni me ndonjë profesion tjetër? Nëse po, çfarë?
Merita Merja: Kam qenë gjithmonë e apasionuar pas drejtësisë, nëse nuk do isha bërë një make-up artist dhe të merresha me fushën e bukur të parukerisë do isha një avokate mjaft e zonja.
Sa e vështirë është të jesh çdo ditë në kontakte të vazhdueshme vetëm me femra?
Merita Merja: E shoh më shumë si diçka të bukur sesa si diçka të vështirë. Ajo që më vjen mirë është se femra shqiptare çdo ditë e më shumë i kushton rëndësi vetes dhe kujdesit ndaj vetes dhe kjo është për t’u duartrokitur.
Përkushtoheni të bëni çdo femër të lumtur në sallonin tuaj në ditën e saj më të rëndësishme, ashtu sikur keni lumturuar shumë njerëz në nevojë! Çfarë do të thotë për ju të bëni bamirësi?
Merita Merja: Jam njeri altruist nga natyra, më vjen natyrshëm që atë që kam ta ndaj me njerëz që ndoshta nuk kanë mundësinë ta kenë, apo e shoh që u pëlqen. Nuk jam dorështrënguar dhe për këtë jam e lumtur. Bamirësia nuk të varfëron. Fakti që bën të lumtur dikë me veprimin tënd do të thotë shumë.
Shikojmë çdo ditë që ‘njerëzit V.I.P.’ në vendin tonë çfarëdo bamirësie që bëjnë e publikojnë në rrjete sociale dhe më tej, cila është arsyeja që ndihma që i ofron njerëzve në nevojë nuk e bëni publike?
Merita Merja: Mendoj se kush do të bëjë mirë dhe të ndihmojë njerëzit që kanë nevojë nuk është e domosdoshme të publikohet shumë, mjafton që ta dijë Zoti dhe ai që i bën të mirën të jetë mirënjohës.
Vetëm pak ditë më parë keni ndihmuar duke siguruar veshje për fëmijë me aftësi ndryshe. Çfarë ju bëri të jepni kontributin tuaj për këtë nismë?
Merita Merja: Fëmijët me aftësi ndryshe janë aq të dashur dhe të mirë saqë të lind natyrshëm t’i trajtosh me shumë dashuri, ata kanë nevojë për dashuri dhe meritojnë një përqafim, një buzëqeshje, një dhuratë që ti bëjë të ndihen mirë dhe njësoj me gjithë njerëzimin.
Cili ka qenë historia më delikate që je njohur kur ke ofruar ndihmë për njerëzit në nevojë?
Merita Merja: Kam dëgjuar mjaft histori nga takimet që kam bërë me njerëz në nevojë dhe në secilën prej tyre kam gjetur mirënjohje për dorën që i shtrëngon. Kjo i bën ata njerëz të fortë dhe i shtyn të ecin përpara e të shohin jetën me ngjyra, jo vetëm bardhezi.
Një mesazh për të gjithë ato që kanë mundësi por nuk ofrojnë qoftë një fjalë të vetme për shtresat në nevojë!
Merita Merja: Dhuroni, ndihmoni, bamirësia nuk të varfëron përkundrazi të mbush me dashuri, vlerësim e mirënjohje!
Xhoi Jakaj: “Më jep besim se edhe unë jam pjesë e bukur e kësaj bote”!
Grimierja e njohur Merita Merja festoi ditëlindjen, ja detajet nga mbrëmja festive