Vargje poetike nga Sadik Bejko
JETA IME KA DALË NGA TOKA
Për prindërit e mi
Kur kthehen nga fushat mbrëmjeve vonë,
i shoh me krahët varur,
rrobat varur në supet kocka
sikur diçka të m’i tërheqë poshtë:
me siguri – toka, toka!
Edhe ata e tërheqin çdo ditë
ma sjellin në tryezë
në feta të buta e të ngrohta.
Kështu jeta ime ka dalë
nga toka.
CIKËL
Nga “Rrenjet”, 1972
Dhe diçka ikën, ikën, më vidhet,
nga gjumi im vidhen dëshirat,
si zogjtë që u vidhen çerdheve
në heshtjen e mëngjezit,
siç vidhen vajzat e dashuruara nga shoqet,
siç vidhen kuajt e bardhë nëpër kullota…
E ndodh që mbetem bosh
pa kurrëfarë pasurie në vete;
po ja, lindin ditët mbi mugun e agut,
si bari mbi fytyrën e ftohtë të dimrit,
si vajzëria mbi gjymtyrët e miturakes,
si fyejtë, nga shtogjet e lëngëzuara
dhe nga kërcenjtë e tërshërave plot me tinguj,
që flenë në vlagën e dheut të palosur arave…
E nga unë, që nuk kam kurrëfarë pasurie,
diçka vidhet, përjetësisht ikën diçka;
i shtrëngoj gjer në gjak gishtërinjtë e mi,
po prapë më vidhen, më vidhen…
prej fyellit tim larg ikin tingujt,
e palosur thellë nën dheun e arave.