Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: HIJE APO KUFOMË?

Fotografia e Sadik Bejko

Vullneti për të kundërshtuar të kthehet mbrapsht.
Ndaj, me dorën tënde merre, merre veten në shenjë.
Të paktën për kaq, duart i ke të lira,
t’ia heqësh vetes, për fat, duart nuk t’i kanë zënë.

Vullneti për të kundërshtuar baraz zero.
Pra, ke lejë të frymosh, por nuk të takon vetja,
Atë pa kthim ta kanë marrë. Jetësisht je
nën zero, nën truall, as te gjallja, as te vdekja.

Vullneti për të kundërshtuar në fyt të shtypet.
…ndryje fjalën, me fyt thith e nxirr veç frymë.
Vuv, me kyçin në gjuhë ke leje të vërtitesh,
Plas, në daç, në mos vill ahe dhe shkumë.

Vullneti zero e zhvesh lakuriq, pa mish, iluzionin.
I thotë: je kufomë, kufomë pa vend në altar.
Fantazmat s’i qas liria, as tirania. Hijet s’kanë
shpatull statuje, hijet s’kanë shpinë për samar.

Vullneti për të kundërshtuar – ky zjarr i fareve –
e muros në muzg hijen, atë të vetëburgosurin
e mjerë, që shenjoi veten, që u bë shuk e pluhur,
hijen luhatëse mishi e kocke nëpër erë.

Kërkoj mëshirë për atë që mori veten në shenjë,
mori shenjë hijen e tij dhe s’mundi ta arrijë dot:
Pranoi hijen, mosqenien, por jo kufomën,
hijen vërtitëse mes kufomave që sillen në botë.

Në mos e faltë shekulli, le ta falë njeriu.
Ai e humbi, nuk e shiti veten, nuk shiti as tjetër njeri…
U kthye në hije, pluhur i gjallë mbi dy këmbë…
e përcjelltë mëshira, mos e pësofshi si ai.
Prill 1990

Please follow and like us: