Ilir Levonja: Shtatori iku dhe nuk u pamë
Që prej 21 qershorit 2019, opozita nuk proteston. U fol për ditë të nxehta, pushime, se njerëzit nuk mblidhen për shkak të impenjimeve të verës etj., arsye shqiptare këto, ndërkohë që shkoi edhe vet me pushime! Mesazhi, do shihemi në shtator. Protesta e 21 qershorit po ta gjykosh nga pjesëmarrja, nga prurjet krahinore, nga skandalet e përgjimeve, nga konfliktualiti i vazhdueshëm social në lidhje me partneritetin publik privat, konfliktualiteti i vazhdushëm me grupet për mbrojtjen e memories historike dhe kulturore, pa përmendur çështjen kombëtare si rasti i një marrëveshje treshe për kufijtë e Kosovës, konfliktualitetin institucional president qeveri komision zgjedhor etj., pa përmendur mbajtjen e një palë votimeve moniste pa alternative por me saze. Pa përmendur faktin se asnjë nga të përgjuarit apo nga ata të të kapurit me presh në dorë për vjedhjen e votës nuk është sot kontingjent drejtësie, por përkundrazi kanakar tavolinash bisedimesh po për sistemin zgjedhor. Nga ana tjetër sistemi ekonomik, ku deficiti thellohet dhe pagat e shqiptarëve apo pensionet, akoma nuk u afrohen atyre në vendet përreth, jo më t’i kapin, megjithëse u mbushën plot 30 vjet ekonomi tregu, prapë xhepat po na i rrënon propaganda. Pra, protesta e 21 qershorit qe një nga më të mëdhatë, një nga ato më fisniket e cila iu bashkua mendësisë së vendeve perëndimore. Protesto me forcë jo me dhunë. Dhe mirë u bë. Dhe duhet të ndodhi kështu me çdo qeveri qëllimi i secilës devijon sikur 1 milimetër nga programi elektoral, se ndryshe nuk ka demokraci dhe ekonomi tregu më. Qe si me thënë një mbyllje protestash që erdhën si pasojë e buzës së plasur të studentëve, fermerëve që derdhnin qumështin rrugëve, shoqërisë civile që nuk e përfilli kërkush etj. Me një sfidë të madhe politike vërvitjen e ca mandateve kallpe etj. Madje qe kjo sfidë që i afroi njerëzit megjithë dritëhijet e ca tipave opozitarë që akoma mbajnë erën e djersëve të komunizmit. Por u mbyllën të gjitha me një togëfjalësh, shihemi në shtator. E sot shtatori iku e ne nuk u pamë. Tani kanë filluar të tjera insinuata, marrëveshje nën zë, biseda a ulje në tryezë me Damo Tërmetin, atë që i q… robtë Dibrës. Nuk e di ku qëndron ekzistenca opozitare këtu, kur rrugët janë bosh, televizonët po të njëjtit kanakarë të pa rruar e me shallvare. I njëjti refren monoton me drejtësinë për peshqit e mëdhenj. Dhe mos harroni një vend që nuk dënoi krimet e komunizmit nuk ka pasur dhe nuk ka për të patur kurrë ndërmend për të dënuar peshq të mëdhenj. Sepse nuk e kupton se si funksionon shteti, nuk ka kulturën e mjaftueshme shtetarë. Eshtë i mbytur nga dhuna e njëshave, nga bindja për të qënë në rresht. Ose atë që ka, atë çikëz kulturë, e ka të mbytur nga propaganda se sa nga hallkat. Dhe kjo ndodh kur vazhdimisht harron qëllimisht dhe shkon me pushime për të mos u kthyer më. Iku shtatori Lul opozitari dhe nuk u pamë gjëkundi. Madje përshtypja është sikur nuk kemi më opozitë, por ca grindavecër të lodhur pushimesh.