Kajan Karafil Oshafi dhe tre vrasjet e tij, njërën në sy të djalit 3 vjeçar
Kastriot Dervishi
Në moshë të vogël, Kajan Karafil Oshafi kreu dy vrasje, ndër të cilët edhe nëpunësin e financës së shtetit, Lef Aga. Në vitin 1938 për dy vrasjet u gjykua në mungesë. Për t’u shpëtuar ndëshkimit u arratis në Jugosllavi ku u bashkua me emigrantë të tjerë antizogistë, në Resnje, ndër më të njohurit e të cilëve ishin Haxhi Lleshi dhe Myslim Peza. Ky i fundit ishte arratisur në vitin 1930, i kërkuar nga shteti për vrasje.
Kajani erdhi në Shqipëri më 23 korrik 1939 së bashku me Haxhiu dhe Myslimin pas faljes që regjimi fashist dha për personat e arratisur për krime politike apo ordinere. Të dy ata, e përdorën Kajanin për vrasjen e ish prefektit Neki Demir Starova në Pogradec më 29 maj 1940. Nekiu nuk ishte person politik apo i përfshirë në ngjarjet e luftës. Vrasja u bë për llogari të Haxhi Lleshit që e fajësonte N.Starovën për vrasjen e babait të tij në vitin 1923. Vrasjen me 7 plumba e kreu Kajani. Motivi ishte i thjeshtë, një gjakmarrje mbi një përgjegjësi hipotetike, sipas analizës që mund të bënte një mendje si ajo e Haxhi Lleshin apo një gjykimi si ajo e Myslim Pezës. 60-vjeçari Neki Starova po kalonte në një rrugë të Pogradecit, duke pasur në krah djalin e tij 3-vjeçar. Sipas një dokumenti të kohës, ngjarja prodhoi “një përtypje të keqe” te banorët e qytetit për vetë natyrën e krimit. Shfaqej habia se si kish shpëtuar djali i vogël i Nekiut. Raporti për ngjarjen është i hollësishëm. Ai është administruar në AQSH në një fond të posaçëm. Në të thuhet se në atentat përveç Kajanit ka qenë edhe një person tjetër nga Preza. Arma i ishte dhënë nga Myslim Peza.
Për fundin e jetës së “Heroit të Popullit”, informacionet janë kontradiktore. Në librin agjitativ “Yje të pashuar”, Tiranë 1971, volumi i parë, faqe 370-373 pothuajse nuk ka asgjë për rrethanat e fundit të jetës së Kajan Karafil Oshafi. Madje nuk ka as datën e vrasjes më 10.1.1944. Aty thuhet se është vrarë në “fushën e nderit” së bashku me Mustafa Lleshin, Myrvete Pezën dhe Bajram Tushën. Armiku kish lënë 80 të vrarë.
Ndërsa në librin “Heronj të luftës antifashiste nacionalçlirimtare”, Tiranë 1986, në faqet 437-444, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, nuk ka informacion të ngjarjes, por vetëm trakte apo komunikata të komunistëve. Këtu bëhej fjalë për një “kolonë gjermane”, por që e udhëhiqnin “ballistët”. Beteja është zhvilluar në Lispatros me një fuqi prej 150 vetash, prej të cilëve armiku kish lënë 70 të vrarë e shumë të plagosur.
Pas ngjarjes, Ramë Habili gjeti kufomën e Kajanit dhe e ekspozoi në Kavajë. Ky veprim nuk ishte pa qëllim, pasi emri i Kajanit në qytetin e Kavajës dhe fshatrat përreth nuk ishte ai që kujtohet nëpër filmat e kinostudios.