Mark Simoni: Shënime për librin ‘Gruaja e stuhive’
Sapo mora dorëshkrimin e librit të Abide Gashit, pata ndjesinë se qeshë mbi kraterin e një vullkani të pafashitur, një llave letrare me temperaturë e të flakët, me një kuqëlim rrezëllitës, një thellësie misterioze, ku çdo gjë lëviz dhe ka energji, një mase që pluskon dufet e magmës. Dhe më erdhi ndër mend Tomas Grey, (poet dhe profesor anglez i letërsisë klasike në Universitetin e Cambridge), që thoshte: Poezia është mendimi që merr frymë dhe fjalët që digjen. Sa bukur. Pikërisht këtë raport kaq harmonik, mes mendimit dhe fjalës, ka dhe poezia e Gashit në këtë libër interesant e të veçantë.
Kjo poete kuptohet menjëherë se poezinë e ka një mjet të fortë ekzistencial, një mjet lirie dhe krenarie, dinjiteti dhe ndërgjegjeje krijuese. John F. Kennedy kur merr në analizë forcën dhe pushtetin e poezisë shkruan: Kur pushteti shtetror e shtyn njeriun drejt arrogancës, është POEZIA që i kujton këtij pushteti kufijtë e tij.
Jo pak herë letërsia e sotme e vargut ka rënë ose në grackën e ndjenjave, (poezi sentimentale dhe e përshkuar vetëm nga ndjesitë), ose në rastet e tjera ka mbetur peng e krenarive patetike dhe retorike. Abide Gashi i njeh mire këto dy dimensione, por i përdor me shumë finesë dhe elegancë, me një harmoni racionale, duke mos shkarë as tek njëra dhe as tek tjetra situatë.
Tomas S. Eliot shkruan diçka të mrekullueshme për këtë raport. “Poezia nuk do të thotë të bëhesh pre e ndjenjave. Poezia është pikërisht akti i distancimit nga ndjenjat. Ajo nuk është karakteri përsonal, por largimi prej këtij karakteri. Por ama, ka një të vërtetë të madhe. Vetëm ata që kanë ndjenja dhe dinjitet karakterial janë të zotët dhe të distancohen prej tyre në poezi.
Autorja e këtij vëllimi dinjitoz i shpall lexuesit letërsinë e saj të kohëve të fundit, duke i shtuar bibliotekës së poezisë vargje me një frymë dhe shije të veçantë dhe mjaft interesante.
(Parathenie per librin “Gruaja e stuhive” e shkrimtares Abide Gashi, qe doli keto dite nga shtypi, botim i Shtepise Botuese MUZGU)/mapo.al/