‘SHPIRTI RRAHU FLATRAT’ dhe dhimbjet e atdheut te poezia e Hava Muçollarit
Dikur për ty
Dikur për ty thura shumë ëndrra
Dikur për ty fliste çdo varg.
Në tel të zemrës ti më trembe
Në çdo buzëmbrëmje më ngrite lak.
Rendja rrugës si e marrë
Çdo kujtim kish emrin tënd
Me sy më thoshe qindra fjalë
Nga sytë më mbinin mijëra këngë.
Këngët e mallit që unë të thura
Në drithërima sa shpejt m’i ktheve
Pse bota kaq shpejt m’u ngushtua?
Ku mbetën fjalët, ku u gënjeve?
Me copëra jetësh endem unë
Si krahë shqiponje e copëtuar
Bëj të ngrihem në fluturim
Mbi një degë malli jam harruar.
Më liro lakun nga zemra jote
Që më mban ende të robëruar
S’bëhem dot varkë të kalosh lumin
S’bëhem dot valë për të ledhatuar
Një poezi e shkruar me një ndjeshmëri admiruese. Dashuria është fryti më i bukur i jetës. Është nektari ku mblidhen lulet më të bukura të natyrës. Por jo gjithmonë dashuria bëhet realitet. Në dashuri janë dy zemra në emër të një ndjenje sublime. Në shumë raste një zemër thyhet, gënjehet, nuk gjen ekuilibrin, kërkesën, ritmin, afinitetin, por zhgënjimin. Me nj figuracion letrar sqimatar dhe joshës, autorja në këtë poezi thërret se zhgënjimi nuk është i rastësishëm në dashuri, nuk është i përveçëm, nuk është spontan. Në dashuri kanë ndodhur miliona zhgënjime ndaj njeriu duhet të jetë i përgatitur. Dashuria sipas autores është një lak zemre, një varkë shpëtimi, një valë ledhatimi, robëri zemre, degë malli, drithërima shpirti, rendje malli, etj…. Këto krahasime dhe metafora përbëjnë thelbin e dashurisë zë vërtetë që sipas autores, në një moment, kur dy zemrat nuk rrahin në një puls duhet të ndahen dhe pse me dhimbje. Por kur dhimbja është e njëanshme ajo duhet të shpërbëhet. Një dashuri e ndarë, ka dhimbje, lot, mall, psherëtima, por që duhet larguar pasi kalon në tragjedi. Nëse e lexon përciptazi, duket sikur kjo poezi ka nota pesimizmi, nota dekurajuese, por në fakt nuk është ashtu. Poetja sa dashuron, po aq dhe reagon. Sa përcjell ndjenjë të lartë njerëzore po aq dhe ndërgjegjësohet se dashuria është një virtyt i lartë njerëzor që duhet respektuar nga dy njerëz. Kur ndërgjegjësimi shihet me sytë e arsyes dhe errësimi i syve nuk kalon në verbëri, dhe dashuria është në njëanshmëri, detyrimisht ndarja, largimi është respekti ndaj vetvetes. Por në këtë vëllim autorja përcjell shumë vargje ëpr dashurinë me tematika të ndryshme. Ajo thur vargje zemre edhe për besnikërinë, respektin, hyjnizimin, virtytet, mallin, ankthin, pritjen, takimin, bukurinë, madhështinë, tradhtinë, stresin, merakun, që sjell dashuria. Nuk u ndala më kot tek poezia:
Kronikë kohe
Diku qajnë me kujë
Më tej bëhet një dasmë,
Po edhe atje qajnë
Një fëmijë grindet nga dhimbjet
e dhëmballës
Një nuse e re qan për të dashurin e saj
emigrant
Pleqtë vajtojnë dhimbjet e kyçeve
nga moti i keq
Veç në parlament është ndryshe krejt
Shumica ngrenë grushtin
Të tjerë vetëm shajnë.
Një poezi ku gjallon dhimbja, dëshira, realiteti jetësor, problemet e kohës, mërgimi, kaosi, por mbi të gjitha politika problematike shqiptare. Është kjo politikë e mbrapshtë që ka sjellë emigrim të pamasë, disnivele të thella ekonomike, varfëri dhe dispropocion, ka sjellë ndarje të mëdha ne dhe ata, ka sjellë ngërçe dhe situata që kanë rrënuar jetën familjare të shumë njerëzve. Ne i votojmë, ne i quajmë baballarët e kombit, ne i përcjellim si modele, në fakt ata janë problemi i kombit. Në parlament shikon fyerje, zhargone, nivele mediokre, bërtitje, kanosje, sharlatanizëm, denigrim personaliteti, mediokritet, kërcënime dhe imoralitet. Aty ku duhet të jetë tempulli i demokracisë, respektit të ligjit, respektimit të normave të mirësjelljes, edukata, komunikimi elitar, vizioni i të ardhmes, modeli i njeriut për brezat e rinj, në fakt gjen shëmtirën e njeriut të kohës. Janë këto sjellje, këta njerëz që e kanë denigruar jetën tonë, që e kanë sjell në zgrip të varfërisë, në humnerën e ndjenjës njerëzore. Britmat e tyre, kërcënimet janë sinjale të një edukate mesjetare dhe jo qytetërimi bashkëkohor evropian ku pretendojmë të aderojmë. Me një penë elegante dhe reale, autorja e vë pikën mbi i se këta janë përgjegjësit e Shqipërisë së vuajtur sot. Kjo poezi është një vërtetim real i ndjeshmërisë intelektuale, atdhetare i poetes që nuk trembet ta thotë të vërtetën publikisht. Nëse do kishim shumë intelektualë të tillë, shumë njerëz që ti bëjnë opozitë konkrete politikës së mbrapshtë shqiptare 30-vjeçare realiteti do ishte ndryshe. Në këtë vëllim autorja ka shumë poezi që duhet ti analizojmë, por unë mora vetëm dy për të qenë korrekt, pasi lexuesit do ti zhvendoset vëmendja dhe do merret me recensën dhe jo me poezitë aq lakonike të autores. Në fund dua të them se ky vëllim poetik është një thirrje ndaj ndërgjegjes, ku njeriu në përditshmëri duhet të jetë më konkret, më human, më i ekuilibruar, më i vetëdijshëm, më sistematik, më i pavarur nga politika, më kërkues ndaj vetvetes. Në këtë vëllim poetik autorja është treguar kritike ndaj fenomeneve të shoqërisë, e brishtë ndaj dashurisë, e sinqertë ndaj miqësisë, e drejtpërdrejtë ndaj shqetësimeve, vizionare ndaj të ardhmes, ku i mëshon me përgjegjshmëri situatave të ndryshme që duhen zgjidhur me urtësi, delikatesë dhe mirësi. Ajo në këtë vëllim nuk përqaset ndaj veseve si pabesia, hipokrizia, dyfytyrësia, që sjellin problematika të pamenduara. Me një figuracion admirues, me një sinqeritet të kultivuar fisnor, me një kurajë civile të veçantë, me këtë vëllim autorja kërkon ta shohë jetën në sy dhe të përcjellë mesazhe paqeje, sinqeriteti, zhvillimi dhe kurajoje për ta thënë të vërtetën siç është dhe pse ka dhimbje brenda.