Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Voskopoja, një perlë mes malesh me turizëm gjithëvjetor

 

Image result for bardhyl berberi

Bardhyl Berberi

Epitetin për Voskopojën si “një perlë” e pranojnë vetëm ata që e njohin atë vend. Vetëm 18 km larg qytetit të Korçës në një lartësi gjeografike e cila shkon nga 800 deri në 1650 m me majën e Shullërit të Madh në perëndim, vetiu të çon tek një dimër i gjatë me borë, tek pranverat e ndezura me blerim, tek vera e freskët me puhizat që vijnë nga pyjet, me vjeshtën me petale piktorike prej ylberi, ndodhet kjo perlë jo vetëm e njohur për natyrën dhe klimën e saj, por edhe për traditën, kulturën e të jetuarit njerëzit e shquar, të cilët i kanë dhënë Voskopojës emrin e madh.

Image result for voskopoja

Voskopoja dikur

 

Sipas dokumentave të hershme fillimi i ndërtimit të Voskopojës ka filluar në shekullin e XIV. Banesat e para janë ngritur aty ku sot është rrënoja e kishës së Shën e Premtes. Për emrin e Voskopojës ka disa hipoteza, por teza më e besueshme është ajo “Voskopolis” që përkthehet “Qytet i barinjëve”. Por periudha e lulëzimit të plotë të Voskopojës ka qënë shek XVIII e cila luhatet nga një popullsi nga 20 mijë vetë deri në 40 mijë banorë.

Voskopoja ka patur lidhje me shumë krahina dhe qytete përreth. Nga Voskopoja zinin fill rrugët që lidhnin atë me Beratin, Durrësin dhe më pas Vlorën; Voskopoja lidhte gjithashtu Korçën me Ohrin etj.

Voskopoja është një nga qendrat më të zhvilluara e cila është përmendur në të gjitha analet europiane nga shek 13 deri në shek e 18 për natyrën, bukuritë e klimën e mrekullueshme. Voskopoja ka patur akademi, biblotekë, shtypshkronjë, spital, urbanistikë të përsosur, tregëti të gjithanshme me Ballkanin dhe Europën. Tre herë është djegur dhe shkrumbuar Voskopoja, thonë të moshuarit e megjithatë ka mbijetuar. Këtu çdo gur, çdo shkëmb e çdo gërmadhë rrezaton një histori.

Në këtë qytet të lashtë mes malesh dhe pishash shekullore, mbi një vegim qindravjeçar të shpaloset e kaluara, një e kaluar që çdo voskopojar ndjehet krenar pasi Voskopoja e tyre përmendet ne historinë e shumë vendeve të Europës…

Në Vjenë dhe në Budapest gjen të vendosura skulpturat e prodhuara nga duart e mjeshtrave voskopojarë. Vetëm një fakt i thjeshtë, luanët e vendosur në një nga urat më të mëdha të Budapestit janë ata që kishin qenë të vendosur në Voskopojën e hershme …

Voskopoja është simbol i kulturës dhe qytetërimit shqiptar.

Image result for voskopoja

Ish-kryetari i komunës që drejtoj për tre manadate Voskopojën, Nexhip Bacelli ka lënë gjurmë në Voskopojë

 

Pasi kemi lënë pas Korçën jemi future në rrugën e Voskopojës, diku e prishur dhe diku e asfaltuar …Udhëtojmë në një rrugë zigzake në gjoksin e maleve. Pyjet e pishave shekullore na shoqërojnë pothuajse gjatë gjithë rrugës, një tablo e mrekullueshme mes pishash dhe bredhash; jemi në mbretërinë e pyllit ku dëgjohen vetëm cicërima zogjsh që krijojnë një simfoni të vërtetë, me burime të shumta dhe ujëra të kristalta. Vapa sfilitëse është fashitur krejt në këtë lartësi dhe fillojnë dhe fryjnë erëra të freskëta që t`i mbushin mushkëritë gjithë ozon…

Vargan i pafund veturash dhe autobuzësh udhëtojnë dret Voskopojës, aty sheh targa nga të gjitha rrethet e vendit, veçanërisht nga Tirana, Korça, Elbasani, Durrësi, Fieri, Shkodra, Lushnja dhe një numër i madh veturash nga vende të huaja me targa greke, italiane etj. Pas një ngarkese të madhe mjetesh jemi ngjitur në qendër të fshatit Voskopojë. Para na shfaqet një tabelë prezantuese dhe orientuese se çfarë mund të vizitosh në Voskopojë.

Bisedojmë me voskopojarët për motin e thatë, për blegtorinë, për jetën e tyre, që emigrantët voskopojarë që janë kthyer nga Greqia apo Italia ia u kanë gjallëruar familjet e tyre me nipat e mbesat që kanë ardhur të çmallen me gjyshërit e vet…  Se gjithçka e kemi ngritur me forcat tona, thonë voskopojarët. Kënaqësia është se kur fluksi i pushuesve është shumë i madh bën që të zhvillosh turizëm gjithë vjetor dhe kjo nuk është pak.

Ndërkohë Nexhip Bacelli, një nga njerëzit më të respektuar në Voskopojë që ka qenë  tre mandate kryetar komune, na thotë se është vërtet për të ardhur keq, por ka gjithë këto vite që flitet dhe bëhen projekte të pafund dhe Voskopojës t’i mungojë një plan rregullues dhe studim urbanistik, në këtë mënyrë po bëhen ndërtime kaotike duke tjetërsuar troje. Ka shumë kërkesa për ndërtime të reja por frenohen pikërisht nga mungesa e këtij plani rregullues për fshatin dhe tërë zonën turistike. Sot fshati Voskopojë përbëhet nga 1020 banorë dhe 205 shtëpi. Banorët merren me blektori dhe shumë pak me bujqësi. Të ardhurat e banorëve sigurohen kryesisht nga emigracioni. Nuk gjen asnjë shtëpi të Voskopojë e cila të mos kishte emigrantë

Në Voskopojë zhvillohet turizmi kulturor duke vizituar objektet e trashëguara, turizëm shëtitës, shëtitje alpinistike nëpër pyjet e pafund me pisha dhe turizmi i bardhë, rrëshqitje me ski nëpër luadhet e shumta të mbulluara me dëborë në stinën e dimrit, na thotë ish kryetari për tre mandate Nexhpi Bacelli. Ndonëse ai nuk është më kryetar, e gjithë zona i thotë sërish kryetar sepse ka lënë gjurmë të mira në Voskopojë.

Image result for voskopoja

Çfarë mund të vizitoni në Voskopojë?

 

Një fshat i sistemuar me vila të vjetra dhe shumë të reja, me rrugë të kalldrëmta, me çezma dekorative dhe sofate. Këtu tek Luadhi i Skolive më 1730 ka qënë e ndërtuar  shtypshkronja e parë në Ballkan dhe në tërë perandorinë osmane.

Ecim më tutje, pranë kishës së Shën Janit ka qënë godina e Akademisë së Voskopojës e cila ka patur një ndërtesë tre katëshe me 40 salla dhe dhoma mësimi, pranë saj ndodhej një jetomore dhe spitali. Bazilikat e shumta janë thesaret e Voskopojës. 22 kisha dhe një manastir me afreske, bazilike, piktura murale të papërsëritshme të mjeshtrave të mëdhenj Zografit, Selenicasi  ,Shpatarakut …24 këmbanat e Voskopojës me emrat e Kavaliotit, Baron Sinës, Cekanit… janë të shkruara me gërma të arta në historinë e Voskopojës…

Tek zona e quajtur “Luadhi i Dhespotit”, një shesh i gjërë me pemë,  luadhe dhe kroje, dikur ishte tregu i madh i qytetit ku zhvilloheshin panaire nga gjithë Shqipëria e Jugut, Maqedonia dhe Greqia. Furnizimi me ujë të pijshëm bëhej nga disa ujësjellsa. Viagandi që ka vizituar Voskopojën në vitin 1899 ka shkruar se vetëm në luginën jugperëndimore Voskopoja ka patur 4 ujësjellsa që me tuba qeramike prej të cilëve dy vazhdonin të ishin në përdorim. Të moshuarit thonë të trashëguar nëpërmjet gojëdhënave se kanë funksionuar në Voskopojë 25 mullinj. Përveç mulinjve ka patur edhe dërstile që prodhonte dhe argaste shajakun pasi përpunimi i rrobave të leshta ishte një nga mjeshtëritë e njohura të voskopojarëve.

Edhe pse shumë vepra artistike janë zhdukur nga shkatërrimet e njëpasnjëshme përgjatë tre shekujsh dhe një pjesë janë grabitur gjatë Luftës I Botërore prej ushtërisë franceze, fatmirësisht këtu ka mbetur një pjesë të këtyre thesareve.

Në Voskopojë sot mund të vizitosh:

Pjesë nga kisha e Shën e Premtes e cila është pjesërisht e rrënuar, kishën e Shën Mërisë kisha më e vjetër dhe më e madhe, Manastiri i Shën Prodhomit ku ndodhet kulla e këmbanores i cili është ndërtuar në vitin 1632. Po ashtu aty janë kisha e Shën Kollit, e Shën Mëhillit, e Shën Thanasit, e Shën Ilias, ura e Shëne Premtes, ura e Kovaçit të cilat për vlerat unikale janë shpallur monumente kulture.

Image result for voskopoja

Turizmi

 

Në Voskopojë mund të gjeni hotele bashkëkohore me dhoma dyshe dhe banjo si dhe ujë 24 orë. Çmimet varjojnë nga 2000 deri në 3000 lekë dhoma për çdo natë. Ka dhoma të veçanta për fëmijë si dhe vila familjarë me oxhak karakteristik në dhomë. Ka një guzhinë me gatime tradicionale. Mishi i pjekur në hell është një nga specialitetet e veçanta .Aty gjen fusha mini futbolli dhe kënd lojrash për fëmijë si dhe fusha tenisi, parking të garantuar të mjeteve. Në stinën e dimrit panorama në Voskopojë bëhet akoma më fantastike me një ngrohje me oxhak me dru zjarri…

Kështu në Voskopojë përveç turizmit kulturor me kishat e bazelikat me mozaikkë të vjetër, ke edhe turizmin shëtitës alpin nëpër majat e larta si dhe turizmin e bardhë me ski.

 

 

Please follow and like us: