Raimond Cimbi: Hallakatje ‘360 Gradë’ të Artur Zhejit në Oranews!
Të enjten që shkoi, në darkë, me telekomandë në dorë, duke bërë zapping, gishti më ngeli te Ora News. Ishte Artur Zheji me emisionin e tij “360 gradë”. Më intrigoi titulli “Kujt i intereson të zhduket Shqipëria?”
Fjala “zhduket” më tronditi ca!
Nuk ishte njësoj si të lexoje “të varfërohet” apo “të destabilizohet”, terminologji me të cilën jemi të mësuar tashmë.
Nga padurimi tentova fillimisht të kuptoj gravitetin e asaj që po na servirej nga prania e të ftuarve. Pashë në panel aktorë, poetë, inxhinierë nafte, botues, historianë dhe ndjeva që fillova të qetësohem. Kuptova që të paktën nuk bëhej fjalë për diçka serioze.
Sidoqoftë vendosa që emisionin ta ndjek.
Dëgjova nga të ftuarit teori konspiracioni, shpjegime komplotiste kundër popullsisë së Shqipërisë dhe filloi të më kaplonte ndjenja e krenarisë kombëtare se sa shtet i rëndësishëm jemi, aq sa nuk duan që ne të ekzistojmë në këtë botë, aq sa duan që ne të shuhemi fare pasi prezenca jonë dhe shtimi i popullsisë sonë është një tmerr për “ata”. Mendova, kaq pak në numër jemi dhe duan të na shfarosin, imagjino sikur të ishim më të shumtë. Pse vallë?
Argumentet që jepeshin nga të ftuarit ishin ngjethëse.
Tjetri ishte më konkret: “Projekti nr. 38 për të na zhdukur si komb (sa shumë, mendova) është fertiliteti për shkak të ushqimeve. Në katër produkte, tre janë serbe sot në Shqipëri. Jam pranë akuzës që ata (serbët) ndërhyjnë në mutacionet gjenetike që të mos kemi fertilitet natyror”.
Prit, thashë, kjo është serioze. Ky diçka di, nuk ja fut kot. Eshtë akuzë publike. Ato produkte konsumohen nga mëngjesi në darkë nga shqiptarët. Pra, ne hamë produkte të cilat sillen qëllimisht në Shqipëri me përmbajtës të cilët ulin lindshmërinë shqiptare. Ky është krim!
I takon organeve kompetente, ligjvënëse, ushqim kontrolluese, etj., të bëjnë detyrën, sa më parë, pasi gjendemi në emergjencën e një helmimi kombëtar.
I takon kompanive serbe të cilat sjellin produkte të tilla në Shqipëri që të prononcohen hapur dhe qartazi për një akuzë të tillë.
Shqiptarët duhet të konsumojnë të qetë ushqimin e tyre, garant për të cilat është shteti. Nuk meritojnë të ushqehen nën panik.
Emisionit i erdhi fundi dhe m’u kujtua esse`-ja e Fan Nolit mbi “Konfuzionin e të pesë anarkive”, me të cilën Artur Zheji hapi emisionin, konkretisht “anarkia e tretë… këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha”.
https://www.gazeta-shqip.com/2020/01/24/hallakatje-360-grade/