Ditmir Bushati: Shqipëria u shndërrua në strehë të sigurt për hebrenjtë në Europë
Dita e Përkujtimit të Holokaustit mbart një simbolikë që lidhet jo vetëm me aktin e pashembullt çnjerëzor nga një regjim, por edhe me shpresën dhe vulën e fitores së njerëzimit kundër së keqes.
Kur reflektojmë mbi këtë ligësi, kujtojmë sesi gjithçka filloi nga fjala. Nëpërmjet fjalëve u krijua një rrëfenjë e rreme për hebrenjtë. Nëpërmjet fjalëve u ngjiz frika që më pas u shndërrua në urrejtje. Nëpërmjet fjalëve paragjykimet u shndërruan në stereotipe dhe ajo që dikur nuk mund të imagjinohej u shndërrua në mendimin e ditës: në urrejtje, përndjekje e shfarosje të hebrenjeve.
Ne shqiptarëve, marrëzia e Holokaustit na vuri në test përballë historisë, vlerave dhe dashurisë për jetën. Atdheu ynë u shndërrua në një strehë të sigurtë për hebrenjtë në Evropë.
Preludi i Holokaustit ishte pikërisht pasiviteti, indiferenca ndaj politikave ekstremiste, të veshura me petkun joshës të populizmit të kohës. Edhe sot, 75 vite më pas, beteja për fjalën e lirë si çelësi i formësimit të rrëfenjës kolektive mbetet thelbësore në një kohë që kultura demokratike evropiane po lëkundet mes dallgëve të pasigurisë të shkaktuar nga racizmi, ksenofobia, krimet dhe gjuha e urrejtjes.
Është përgjegjësia jonë e përbashkët për të rezistuar kundër çdo gjëje që kërcënon mënyrën tonë të jetesës, lirinë dhe vlerat e përbashkëta. Është detyra jonë të sigurojmë që gjenerata e re trashëgon një botë të paqtë e harmonike.