Albspirit

Media/News/Publishing

Viron Kona: Drejt ‘Bregut të erës’

        Image result for skrapari

    

Rrëfim

 

Atë ditë janari 1971 udhëtova thuajse gjatë gjithë ditës nga Tirana në Çorovodë sipër një ‘skode’ me karroceri të hapur. Brenda në kabinë, së bashku me shoferin ndodheshin dy oficerë, kështu që, për mua, që isha ushtar mbetej karroceria. Qëndroja strukur mbi disa dërrasa, i mbështjellë me kapotën e rëndë ushtarake, por, herë pas here ngrihesha në këmbë e, pa përfillur erën e ftohtë, shija me ëndje gjithçka parakalonte përpara meje…

 Skrapari

Në Skrapar kisha qenë me shërbim edhe herë të tjera dhe, duke qenë kureshtar, kisha lexuar se dikur ajo trevë banohej nga fisi ilir i Desaretisë. Emri i qytetit ishte Zelenckë, qytet i lashtë ilir, i  ndërtuar në të dy anët e lumit Osum.

Çorovoda

Një trevë e banuar që nga viti 600 para erës së re e që pas pushtimeve bullgare 1) në shekullin e VI pas Krishtit, përmendet me emrin Cernovodë (Ujë i Zi).

Dija gjithashtu se një kështjellë mbi qytet, (kalaja në majë të kodrës së Cerovës) dikur e banuar, ishte e ngjashme me atë të Beratit, me kështjellën Irmaj të Gramshit dhe me atë të Zgërdheshit në Krujë, dhe, të gjitha, ishin tipike ilire, ndërkohë që kisha dëgjuar edhe për disa kala të tjera të lashta: Lavdari, Dhoresi, Bregu i Koronit, Bargullas, Prishtë…

Skraparllinjtë, krenoheshin me kanionet e Osumit dhe të Gradecit, me format e tyre fantastike, e që sot po krahasohen për nga bukuria me kanionin e madh shumëngjyrësh të Kolorados. 2) Kisha njohuri edhe për urën e Sharovës, e sidomos për atë të Kasabashit, për të cilën thuhet se është vepër e arkitekt Kasemit, nxënës i arkitekt Sinanit,3) një urë me vlerat të rralla arkitektonike e ndërtuar rreth shekullit të XVI-XVII, e që u ka shërbyer në shekuj banorëve të zonës.

Skrapari duke qenë vend malor, ka shërbyer në shekuj për strehimin e njerëzve të lirë dhe fisnikë, të ndershëm, mikpritës e bujarë, të cilët nuk e kanë pranuar asnjëherë pushtuesin. Pak muaj më parë këtu kishte qenë për një vizitë një ditore E. Hoxha, i cili kishte dhënë disa detyra e porosi, që përmendeshin shpesh nga kuadrot, por dhe nga banorët. Përveçse vinte në dukje vlerat e Skraparit dhe të skraparllinjve, ku po ndërtoheshin aso kohe vendstrehimi i Shtabit të Përgjithshëm në rast lufte, apo tunelet e Pirrogoshit për Thesarin e shtetit, armatime, arkivin etj, ai dha detyra e porosi për mbulimin me elementë betoni të lumit të Çorovodës, mbjelljes sipër të pemëve të larta, tarracimin e kodrave rreth qytetit, ngritjen e Bllokut të Mollëve dhe punime të tjera. Ishin ide të bukura, gati romantike, e për të cilat njerëzit shprehnin entuziazëm, por që nuk u realizuan kurrë, me përjashtim të tuneleve dhe vendstrehimeve të Shtabit të Përgjithshëm në rast lufte.

Reparti ynë kishte disa detyra speciale, për të cilat ne ushtarët nuk kishim dije të plota. Nga ana tjetër, komandantët na porositnin që nuk duhej të flisnim për detyrat ushtarake që kryenim, as në letra s`duhej të shkruanim, përndryshe, quhej nxjerrje e sekretit ushtarak dhe… Gjithsesi dijet tona ishin tepër të kufizuara. Unë për shembull dija gjëra të përgjithshme për tunelet ushtarake të Krorëzës, si dhe për rrugën ushtarake strategjike, që të çonte nga Çorovoda deri në Krorëz, por fare pak për tunelet e Pirrogoshit…

 Burimi i Guakut

I përfytyroja këto gjatë udhëtimit, ndërsa herë-herë më shkonte mendje edhe te burimi i Guakut, i cili ndodhet në afërsi të Çorovodës.

Uji i ftohtë dhe i pastër i këtij burimi përdoret si ujë i pijshëm, por edhe për prodhimin e energjisë elektrike, furnizimin me ujë të qytetit dhe për vaditje, kurse mjedisi rreth e qark ishte tërheqës e argëtues për pushues të Çorovodës dhe  për vizitorët. Ndërkaq, mua nuk më shqitej nga mendja sidomos legjenda mbretërore e Guakut,4) e cila tregohej në biseda nga banorët e Çorovodës. Për të, kam lexuar kohët e fundit edhe në librin “Visare të Skraparit”, shkruar nga miku im V. Bakillari,por që po e rrëfej shkurt: Në kohë të lashta, një mbret i madh u sëmur rëndë. Doktorët nuk lanë ilaç pa përdorur, por më kot. Dikush tha se në një vend diku mes kodrave e maleve, gurgullonte një ujë, që kishte fuqi shëruese. Mbreti u nis dhe erdhi tek vendi ku uji gurgullonte. Piu ujë disa ditë dhe u shërua. Uji kishte bërë mrekullinë. Fjala mori dhenë dhe njerëzit u gëzuan. Kur mbreti kishte marrë udhën e kthimit për në qendrën e mbretërisë, i erdhi lajmi se një mbret tjetër, armik i tij, ishte sëmurur dhe, ngaqë vuante nga e njëjta sëmundje, kishte marrë rrugën drejt ujit shërues. Mbreti i shëruar, nga frika se ai që po vinte kishte ushtri të madhe dhe mund ta sulmonte, dha urdhër që burimi me ujin shërues të shkatërrohej plotësisht. Shoqëruesit e tij mbushën voza dhe fuçi me ujin e rrallë dhe pasi e shkatërruan burimin, morën ujin që kishin mbushur dhe ia mbathën. Kur mbërriti mbreti tjetër i sëmurë, pa se aty dilte vetëm uji i zi…Ca nga sëmundja, ca  nga zemërimi ai  vdiq. Që atëherë ujit shërues i mbeti emri Uji i Zi. Thuhet se për këtë arsye edhe qyteti mori emrin Çorovodë, Uji i Zi. Në këto kohë, vendi ishte pushtuar nga dyndjet sllave (bullgare).

          

 

 Borizani i “Tendës së Qypit”                             

 

Janë shumë atdhetarë skraparllinjtë. Janë ngritur në luftë sa herë që të huajt kanë sulmuar Shqipërinë. Kanë luftuar edhe në lashtësi, edhe në mesjetë, edhe në kohën e  Skënderbeut, edhe për pavarësinë më 1912 duke pasur firmëtarët e tyre, sikurse kanë qenë mbështetje e Kongresit të Lushnjës në vitin 1920. Skrapari u çlirua i pari gjatë Luftës së Dytë Botërore, më 5 shtator1942. Ky fakt tërhoqi atëherë vëmendjen e fuqive të mëdha të koalicionit, të cilët, pas asaj ngjarje, i kushtuan më tepër vëmendje Shqipërisë dhe ushtrisë antifashiste nacionalçlirimtare shqiptare. Ndër betejat e dëgjuara partizane, që ishin zhvilluar aso kohe aty, ishte edhe ajo e “Tendës së Qypit”, një betejë frontale me nazistët gjermanë. Me “operacionin e madh ushtarak të dimrit”, gjermanët  synonin shpartallimin e shtabit partizan të luftës, por dhe donin t`i jepnin goditje shkatërruese reparteve të ushtrisë antifashiste nacionalçlirimtare që vepronin në zonën e Skraparit. Ishin mbi 2 mijë djem dhe vajza të Skraparit, që i ishin bashkuar formacioneve partizane dhe, deri në përfundim të luftës, 404 prej tyre ranë dëshmorë të atdheut.

Per betejën e “Tendës së Qypit”, më kishte mbetur në mendje edhe një episod interesant: Urdhri ishte që, partizanët do të nisnin sulmin, vetëm pas hedhjes së dy granatave të dorës dhe pas sinjalit të borisë, por, pikërisht në atë çast borizani 5) u godit me një plumb në fyt. Ndonëse, i plagosur rëndë, ai shtrëngoi me gishtat e dorës fytin nga i rridhte gjaku dhe, me të gjithë fuqinë e mundshme, i ra burisë që lajmëronte dhe shoqëronte sulmin partizanë. Duket se këtë moment ka përfytyruar artistikisht piktori i njohur Fatmir Haxhiu (me të cilin vite më pas u bëmë miq), kur realizoi tablonëBeteja e Tendës së Qypit”.

 

Mbeç, more shokë, mbeçë!

 

Meditoja me respekt për historinë e Skraparit, duke sjellë ndërmend se jeta, gëzimet, vuajtjet, dhembjet si bashkëshoqëruese të jetës së çdo populli, në këto zona janë shfaqur me disa karakteristika unike që nuk i gjend kund tjetër. Me pak fjalë, me disa batuta, me disa shprehje e fjalë të urta, apo me fare pak vargje, ky popull rrëfen historinë dhe kulturën e tij disa mijëravjeçare. E tillë është edhe    kënga “Mbeçë  more shokë”, një këngë nizamësh e kënduar nga këngëtari i shquar i këtyre viseve Demir Zyko nga fshati Gjerbës.6) Kënga u bë e njohur në Festivalin Folklorik Kombëtar të Lezhës, më 1968.

Një këngë me vetëm 12 vargje, por me një përmbajtje të thellë unike, një këngë nga më të bukurat e këngëve të nizamëve. Teksti i saj përbëhet nga fjalët e një ushtari që po jep shpirt diku në rërat arabike, pranë Urës së Qabesë dhe që shpreh dëshirën për t`i çuar falë me shëndet nënës së tij, që e pret atje larg, teksa i jep porosi që ta shesë kaun e zi, që të mbajë familjen, pasi ai nuk do të jetë më në gjendje t`i ndihmojë ekonomikisht: Mbeç, more shokë, mbeçë/Përtej Urës së Qabesë/Falë me shëndet nënesë,/Kaun e zi le ta shesë. Më tej poeti popullor shpreh dhembjen e  thellë dhe fjalët e birit për nënën, e cila po e pret t`i gëzohet, ta martojë dhe të trashëgoj jetën, por, djali: Në pyestë nëna për mua/I thoni që u martua/Në pyestë  se ç`grua mori/Tre plumba te kraharori./Në pyestë  se ç`kalë hypi/Atje tek hypën meiti/Në pyestë  se ç`krushq i vanë/Sorrat e korbat e hanë. 7)

 

“Një vrap pele”

 

Në Çorovodë arritëm në mbrëmje, aty rreth orës 19.00. Zbrita nga karroceria e “Skodës” dhe  u përshëndeta me oficerët dhe shoferin.

-Hajde pije një çaj të ngrohtë te lokali këtu  në qendër,-më tha oficeri që ishte më i madh në moshë.

-Ke nevojë të ngrohesh përpara se të marrësh rrugën për në repart, – tha edhe tjetri, si me faj, ngaqë unë kisha ndenjur tërë kohës në karroceri

-Faleminderit, por duhet të shkoj, kam një letër për të çuar dhe…

-Mirë, ushtar, bëj si ta mendosh më mirë, – thanë ata me mirësi.

I përshëndeta ushtarakisht dhe u largova në drejtim të repartit, diku në krye të rrugës që të çonte në fshatin Vërzhezhë. Bënte ftohtë dhe sapo kishte nisur të binte një shi i imët, që në të vërtetë ishte shi dëbore. Duart i fërkoja shpesh herë, pasi nga të ftohtit ato më ishin fryrë dhe më ishin skuqur keq. “Morth” i thoshim ne atëherë dhe për atë lloj ënjtje e skuqje nuk kisha gjetur ndonjë mjekim të veçantë. Iu afrova repartit dhe shpejt u ndodha mes shokëve të mi ushtarë. U përqafuam dhe, teksa bisedonim, u shfaq komandanti i kompanisë. Shkova drejt tij dhe iu paraqita. Ai, duke më parë të kallkanosur, më ftoi për çaj dhe më pyeti se cili ishte qëllimi i ardhjes sime nga Tirana në atë pikë dimri?

Ndonëse isha ushtar, unë kryeja detyrën e përgjegjësit të rinisë së batalionit, kështu që komanda më caktonte të  shkoja herë në njërën kompani dhe herë në tjetrën për të bashkëbiseduar me ushtarët, për t`i ndihmuar  ata në organizimin e veprimtarive edukative e kulturore, zhvillimin e konkurseve, veprimtarive të përbashkëta me të rinjtë e fshatit, të krahinës apo të qytetit ku ndodheshin repartet e batalionit. Konsiderohesha ushtar i “privilegjuar” pasi isha shpesh herë në udhëtim, sa në repartet e Tiranës, të Shkozës, të Kërrabës, Skraparit, Gjadrit (Lezhë), Porto Palermos (Vlorë). Megjithatë nuk e kisha detyrën aq të lehtë sa dukej, sepse jo vetëm që duhej të raportoja për veprimtaritë edukative e kulturore që zhvilloheshin, duke ndihmuar edhe vetë në organizimin e tyre, por duhej të sillja në komandë edhe problemet që kishin ushtarët apo ato që krijoheshin në  marrëdhëniet e tyre me oficerët dhe anasjelltas, sikurse dhe probleme të higjienës, të ushqimit, ndërkohë që, ndonjëherë  edhe hyja edhe vet në konflikt me ndonjë epror, që sillej keq me ushtarët; në një farë mënyre, isha “zëri” i ushtarëve në batalion.

I raportova komandantit të kompanisë se duhej të shkoja te kompania ushtarake te “Bregu i Erës”, mbi fshatin Radësh, rrëzë malit të Ramies. Kisha një mesazh nga komandanti i batalionit për komandën atje, por edhe do të qëndroja pak ditë për disa veprimtari edukative e kulturore.

-E po mirë, sonte qetësohu dhe nisu nesër herrët në mëngjes,-më tha komandanti i kompanisë.

-Jo,-i thashë,-do të nisem sonte.

-Sonte?!-pyeti ai paksa i habitur.

-Po,-iu përgjigja.

-Ka urgjencë letra që do të çosh atje?

-Urgjencë, mbase jo, por…më mirë sonte. Rrugën për te “Bregu i erës” e kam bërë edhe më parë, shpresoj nga ora 11.00 e natës do të jem në repart. Edhe në komandën qëndrore,  kur më dhanë urdhrin të nisesha për këtej, u thashë që do të mbërrija sonte. Nëse ata lidhen me telefon me komandën e  “Bregut të erës”, dëshiroj që të marrin vesh se urdhërin e kam zbatuar.

Komandanti u mendua një çast.

-Nëse e ke vendosur, edhe mund të shkosh, por, jo vetëm. Do të caktoj një ushtar nga reparti im, që të shkoni bashkë.

-Jam mësuar,-ngulmova unë,-rrugën e di, pse të mundohet dhe një tjetër…

Komandanti u mendua përsëri:

-E shoh se qenke i vendosur, por të paktën një armë, duhet të marrësh me vete. Ti je ushtar dhe një karabinë për ty e kemi këtu në magazinë, kurse pistoletë s`të jap dot, ti e di, ato janë për oficerë…

U mendova pak. Me një armë me vete sigurisht do të ndihesha më i sigurt, por…

-Po ç`e dua armën, o komandant. Më mirë pa armë, se ndihem më i lehtë dhe i bie për shkurt, jo nga rruga e makinës, por nëpërmjet shtigjeve. Do t`i kaloj anash fshatit Radësh dhe do të dalë te “Bregu i Erës”, pastaj, edhe një copë rrugë dhe… Nga që kam kaluar disa herë, thuajse e kam përpara syve të gjithë rrugën që do të bëj.

-Ke kaluar ditën, jo natën,-vërejti komandanti,-dhe, mos harro nuk jemi në Vlorën bregdetare nga je ti, por jemi në Skrapar dhe në mes të dimrit…Ti e di që relievi këtu është i ashpër, ndaj i thonë Skrapar, “shkrep”, shkrep mali. S`dua të të tremb, por edhe kafshët e egra afrohen tani në dimër, edhe ngjarje të hidhura kanë ndodhur, besoj i di këto.

-Keni të drejtë, por unë  e mbaj mend thuajse symbyllur të gjithë rrugën,  “një vrap pele” e kam, – i thashë me mburrje.

-Mirë, si të duash,-tha ai përballë kokëfortësisë  sime dhe shtoi: – Nëse je i vendosur të nisesh, atëherë mos humb më kohë.

 

Kur të pëlqen vetja…!

 

U përshëndeta me komandantin, po, kur po ndahesha me shokët, edhe ata i lashë disi të habitur. “I pëlqen vetja këtij, do që të duket trim, do që të na shes mend!”, – dëgjova që tha njëri prej tyre pas krahëve të mi. Nuk i vura veshin, u shkëputa prej tyre  dhe vijova rrugën. Nga larg shihja dritat e disa vilave të ndërtuara nga ushtarët e repartit tonë të Çorovodës, e  që ishin destinuar për udhëheqjen, sigurisht për në kohë lufte. Sapo dola nga reparti më përfshiu errësira, gjithçka ishte pus dhe asnjë lloj drite nuk shihej gjëkundi, frynte erë e ftohë, kurse shiu i dëborës po bëhej më i trashë dhe më i dendur. -Ku po shkoj unë kështu, në këtë orë dhe në këtë kohë? – pyeta veten dhe, kush e di pse ndjeva një drithërimë nëpër trup.-E kërkova vet këtë aventurë, askush nuk më detyroi!” – dhe, ato çaste, kush e di pse m`u bë sikur dëgjova përsëri zërin e ushtarit kur tha: “I pëlqen vetja këtij, do që të duket trim, do që të na shes mend!” Dhe, duke thënë këto fjalë, ai nisi t`u shpjegonte shokëve kuptimin e fjalës së urtë shkodrane:“Të hyftë vetja në qejf!” Thua, vërtetë edhe unë me vetëbesimin e tepruar po tregoja se “më kishte hyrë vetja në qejf” dhe po shisja mend? Pastaj, pa armë! Po kjo, ç`qe! Ishte me të vërtetë një lajthitje dhe një budallallëk i imi! E po, ç`të bëja, të kthehesha, të thosha se u tremba, se pata frikë nga errësira, nga ujqërit? Djersë të ftohta më mbuluan ballin dhe po ndihesha i dobët. Një hop mbajta këmbët dhe m`u duk sikur një forcë e brendshme nuk më lejonte të bëja qoftë edhe një hap më tej. Gjithsesi e  mblodha veten. Jo, thashë, atë që nisa do ta çoj deri në fund, të bëhet ç`të bëhet! Të dalë ku të dalë! Kështu thoshim atëherë, kur ishim të vegjël dhe hidheshim nga drunjtë (shtyllat) e molit zero, të Skelës së Vlorës, drejt e në ujin e kaltër si peshq. Sigurisht, edhe përthyenim trupin dhe binim me shpinë, me bark dhe për shumë kohë na dhembte i gjithë trupi apo mesi e shpina, por, atëherë, ishim të vegjël dhe s`dinim se ç`bënim, edhe na falej ndonjë nxitim e aventurë, kurse tani, në këtë moshë të pjekur?! S`kam rrugë tjetër,- i dhashë përsëri karar mendimeve të mia të lëkundura dhe  vijova të ecja, në fillim disi më ngadalë dhe pastaj më shpejt dhe më i vendosur. Një copë rrugë e bëra si mushka, duke ecur xhadesë që shkonte nga Çorovoda në Radësh, pastaj, u shkëputa nga xhadeja dhe iu ngjita një shtegu, ku zakonisht kalonin fshatarët në këmbë apo me kafshë për në fshat. E mbaja mend shumë mirë atë rrugë, ndonëse ato çaste s`kishte as edhe një lloj drite. -Nuk qenkam kaq frikacak, jo!-thashë me vete, kur kujtova se përpara se të vija ushtar, ndodhte që ndonjëherë druaja të kaloja natën “Trans-ballkaniken”, rrugën që më çonte nga qendra e qytetit të Vlorës  deri në shtëpi. Atëherë, ajo rrugë kishte fare pak drita, por i kishte të shumtë qentë, të cilët dilnin befas nga gardhet e shtëpive private dhe suleshin pas këmbëve të kalimtarëve. E pra, unë që “trembesha” edhe në qytet, tani po tregohesha “trim” duke ecur “serbes” në shtigjet dhe kodrat e Skraparit, mes asaj nate dimri pa yje dhe pa hënë, mes shiut dhe baltës…Ato çaste, i jepja plotësisht të drejtë fjalëve që më thoshte shpesh herë babai: “Ushtria të bën njeri, të edukon dhe të mëson, por edhe të përgatit të përballosh vështirësi dhe pengesa. Kur mbaron ushtrinë, nuk je më i dobët dhe qaraman…” Madje, atëherë, kur djali kërkonte dorën e vajzës me të cilën donte të martohej, ata nga ana e nuses pyesnin: “E ka bërë ushtrinë?”.  Përfytyrova babanë dhe nënën, motrat dhe vëllezërit, të cilët mendonin shumë për mua, mbase ngaqë isha më i vogli ndër fëmijët. Por, po ta merrnin vesh aventurën që sapo kisha nisur, me siguri që do të shqetësoheshin…E qortova përsëri veten, që nuk  e kisha dëgjuar komandantin e Çorovodës, të paktën të kisha pranuar që të kisha përkrah edhe një shokë ushtar. Kur shkrepi një vetëtimë, pashë orën e  dorës. Ajo po kalonte tetë dhe unë isha ende shumë larg. Errësira ishte pus, ndërsa shiu i dëborës herë pushonte dhe herë niste me rrëmbim. Tani s`mund të thosha se isha i lagur, por sikur isha i zhytur i tëri në ujë, rrobat dhe sidomos kapota ushtarake po më rrëndonin dhe, ndonëse isha në lëvizje, ndjeja të ftohtë. Gjithçka rreth e qark meje ishte pus, e zezë: qielli ishte i tëri sterrë i zi, kodrat të zeza, i gjithë mjedisi rreth e qark meje kishte ngjyrën e frikës, edhe afër, edhe larg. Për shkak të shiut të trashë e të rrëmbyer, shkurret dhe degët e pemëve  herë – herë kërcisnin me zhurma të mprehta. Dukej sikur rreth e rrotull lëviznin kafshë të egra. Më pushtoi përsëri një frikë e madhe.

-Po sikur të më dalë përpara ndonjë ari apo ndonjë ujk, çfarë do të bëj? Ndonëse kisha ftohtë, ndjeva djersë mbi ballë. Ja që duhej pushka. Përveçse komandanti “më doli borxhit”, edhe vet kisha dëgjuar sa e sa histori me ujqër. Madje, kishte ndodhur që, edhe ndonjë ushtar, por edhe ndonjë fshatar i zonës, kishte përfunduar në dhëmbët e tyre. Një mbrëmje, në ato anë, një ushtar ishte rrethuar nga ujqërit dhe kishte arritur të shpëtonte vetëm duke iu ngjitur një druri të lartë, ndërsa ujqërit poshtë tij vinin rrotull duke skërmitur dhëmbët dhe duke ulëritur. Prisnin që ai të zbriste. Për ata ai ishte ushqim i ditës…Ushtari kishte qëndruar duke u dridhur nga frika dhe nga të ftohtit deri në të gdhirë, deri kur ishin dëgjuar lehjet e qenve dhe krismat e armëve të disa fshatarëve të zonës. Vetëm atëherë ujqërit ia kishin mbathur…

 

Ndeshja me ujqërit rrugës për në  Krorëz

 

Por unë kisha edhe një përvojë vetjake. Një mëngjes herrët, në pikë të dimrit, kur dëbora kishte mbuluar gjithçka, Andrea Zaka, shefi i shtabit të batalionit, një ushtarak i zoti, i cili cilësohej ndër qitësit më të shkëlqyer me pistoletë të repartit tonë, më thirri në komandën e “Bregut të Erës” dhe më tha të merrja automatikun, një 32-shë, të prodhuar në uzinën e Gramshit dhe, së bashku, do të shkonim deri në repartin e Krorëzës, ku aso kohe punohej për vendstrehimin  e Shtabit të Përgjithshëm në rast lufte. E kam përshkruar këtë udhëtim në një tregim  të veçantë në librin “Dielli është i imi”. Na duhej që, jo vetëm të çanim me vështirësi dëborën e madhe, që kishte rënë për disa ditë e net radhazi, por, diku, rrëzë malit të Ramies, na u desh të ndesheshim me një tufë të madhe ujqërish që po zbrisnin nga mali të uritur.

Nëse nuk do të ishte shef Andrea me qitjet e sakta të pistoletës së tij dhe, nëse unë nuk do të kisha marrë me vete çantën me disa karikatorë rezervë që i zbraza të gjithë mbi tufën e ujqërve, breshëri njëra pas tjetrës, zor se do të dilnim të gjallë nga ajo përpjekje… Por, tashmë, rreth meje kishte vetëm bokërima, shkurre dhe kaçube të vogla, asnjë dru i lartë. Ndjeva që këmbët m`u prenë. Në disa vende shtegu ishte shumë i lagët dhe këpucët më rrëshqisnin. E bashkë me  mua rrëshqisnin edhe gurë, të cilët ma shtonin ankthin dhe frikën. Në një malore, m`u deshën mbi 15  minuta që të ngjitesha sipër, sepse, sapo shkoja deri afër majës, rrëshqisja në fund, si Sizifi me gurin e tij. Nuk di pse solla ndërmend se, në vitin 1938, kur qeveria e kohës kishte marrë  një nismë për ndërrimin e emrave të fshatrave me prejardhje të huaj, emri i Radëshit, që do të thotë “Gëzim”/“Lumturi”, atëherë u mendua të zëvendësohej me emrin “Greminë-a”, mbase nga që terreni i fshatit ishte i thyer e  malor. Pikërisht, ky udhëtim imi, atë po vërtetonte, relievin e thyer dhe të vështirë për lëvizje. Duke e kërkuar rrugën me këmbë e me duar, ia arrita të dalë sipër malores. Por unë e dija se të përpjeta të tilla, deri sa të arrija deri te “Bregu i erës”, kishte shumë. Tani natën dhe, me baltën që ishte krijuar, ato shtigje ishin bërë thuajse të pakalueshme. Kur u gjenda mbi një kodër tjetër, hodha një sy rreth e qark, por veç errësirës së thellë, nuk shihja asgjë tjetër. Kërkoja të orientohesha, por, ishte krejt e pamundur që të shihja qoftë edhe një pikë të vogël orientuese. U ndjeva përsëri keq. Mirë që nuk shihja dot gjë, por së paku të dëgjoja? Nëse do të arrija të dëgjoja zhurmën e  Ujëvarës së përroit të Radëshit, ky do të ishte gjithsesi një orientim, por as atë nuk e dëgjova, ngaqë shiu i dëborës binte me zhurmë, kurse era po shtohej. -Jam mendjemadh,-i përsërita vetes për të satën herë këtë qortim. Doja të mburresha, doja të tregoja se mund të ecja i vetëm dhe se s`kisha frikë? Në të vërtet, frika më kishte përfshirë  të tërin nga majat e gishtave te flokët, që tashmë m`i mbulonte ajo që mund të quhej kapelë, sepse në të vërtetë ishte shndërruar në një copë rrobë të zhytur dhe të nxjerrë nga uji.

Diku këmbët m`u përplasën në një grumbull gurësh. Mora njërin prej tyre dhe e mbajta në njërën dorë. Ndërkaq, më shkoi mendja të nxirrja edhe rripin e mesit. Pantallonat më qëndronin edhe pa rrip, kështu që e hoqa rripin, dhe e lidha fort pas dorës, teksa, tokëza e rëndë ushtarake, ajo tokëz, që e  fërkoja me orë të tëra, që ta mbaja të shkëlqyer, do të më shërbente si një mjet goditës ndaj diçkaje, që mund të më vërsulej. E ç`mund t`i bënte ajo tokëz dhe ai gur një ujku që hidhet dhe sulmon?

 

Kur kënga zëvendësonte narkozën

Tej, larg, arrita të dalloja dritat e zbehta të fshatit Radësh. Ishte një fshat karakteristik, me shtëpi të ndërtuara me gurë, i cili në kohë pranvere dhe vjeshte kishte një pamje tërheqëse, thuajse piktoreske, kurse në ato çaste, i zhytur krejt në errësirën e thellë dhe shiun e rrëmbyer, ai dukej i shkretë e si pa jetë. Kisha një të njohur nga Radëshi, ai ishte oficer në Tiranë, Kajo Shabani, ishte fis me Hysni Shabanin, dëshmorin që mban emrin shkolla e fshatit, por edhe me Gani Ramadan Shabanin, partizanin hero, për të cilin ishte shkruar e folur shumë: Kur po i gangrenizohej këmba e plagosur nga një plumb, mjeku partizan, në mungesë të kushteve dhe të mjeteve,  vendosi që t`ia priste këmbën me sharë druri. Partizani e duroi prerjen e këmbës, pa narkozë, duke kënduar së bashku me një grup shokësh. Kënga kishte zëvendësuar narkozën, ajo i kishte i dhënë kurajë partizanit të duronte dhimbjet e tmerrshme. Kur nisi “Operacioni i dimrit”, partizanin me këmbë të prerë, e hipën në kalë dhe e siguruan që të mos rrëzohej gjatë lëvizjes. Por, teksa po largoheshin, u përballën me gjermanët. Nisi lufta. Luftoi edhe Ganiu, ashtu i fiksuar në kalë, gjersa ra dëshmorë. Për Gani Shabanin ishin shkruar tregime, poezi, artikuj dhe kujtime. Edhe një miku im, shkrimtari i talentuar shqiptar Naun Prifti, kishte shkruar një tregim të bukur.

Dija që, diku, sipër fshatit, ndodhej një shpellë e lashtë, ku ishin gjetur objekte, qeramika, kocka, poçeri. Mendohej se në lashtësi ajo kishte qenë e banuar. Një kërkues mineralesh të çmuara në shpella, e kishte “me fiksim” shpellën e Radëshit, ngaqë kishte dëgjuar nga të vjetrit se atje ishin fshehur sende me vlerë. -Eh, – kishte thënë ai atëherë, -po të më eci fati, një ditë edhe unë do të gdhihem si Konti i Monte Kristos…  Në të vërtetë, të tillë “thesarkërkues”, shiheshin të lëvrinin në të gjithë Shqipërinë, por, ndonëse flitej dhe kërkohej shumë, nuk dukej se ishte gjetur ndonjë pasuri e veçantë, madje as atje,  mes një përroi dhe fshatit Orkovë në zonën e Tomoricës, ku flitej se ndodhej një minierë ari, sipas një testamenti të Gjon Muzakës, kryezotit të Beratit në kohën e  Skënderbeut. 8)

Era po tërbohej dhe nuk më lejonte të merrja frymë. -Edhe kjo më duhej,-thashë me vete, kur kujtova se ai shi dëbore, nën ndikimin e asaj ere të stuhishme, mund të merrte trajtën e asaj që në popull quhej “bora e detit” e që në thelb ishe shi me dëborë, por edhe me fije, kristale dhe fjolla, të cilat, kur udhëtarët në ecje e sipër hapnin gojën për të marrë frymë, ato hynin në grykë e mushkri dhe bllokonin frymëmarrjen. Sa njerëz ishin ndodhur nën ato lloje stuhish dëbore dhe nuk ia kishin dalë. -Duhet të eci me gojë mbyllur, ndryshe në këtë mot do ta pësojë edhe unë, – thashë me vete dhe i palosa fort buzët me njëra-tjetrën. Vijova të ecë thuajse qorrazi, gjithnjë i rrahur keq nga rrebeshet e shiut dhe nga era. Herë-herë qëndroja dhe kërkoja me sy ndonjë dritëz të zbehtë të   shtëpive të fshatit. E dija se banorët ishin shumë mikpritës, madje kur ne ushtarët kalonim në rrugët e fshatit apo në periferi, fshatarët na ndalnin dhe na qerasnin me qershi, rrush, arra, dhallë, fiq… Aty bëhej e mirë edhe rakia e vera, për të cilën Skrapari kishte nam, por edhe pija  e rehanisë, që ne ushtarëve na pëlqente shumë… Vërtetë një fshat me tradita, madje për të thuhej se ishte shumë i lashtë. Një mësues i pasionuar dhe shkrimtar i kësaj zone Neim Mustafaraj me krenari do të thoshte më pas në librin e  tij se fshati Radësh ka një histori 3 mijë vjeçare.

Sa dëshirë kisha që, ato çaste, të ndodhesha në një dhomë me vatër e zjarr e  të ngrohesha. Edhe uria më kishte marrë…Por, nën dritën e vetëtimave, pashë se fshati ishte larg. Për shkak të errësirës, unë kisha bërë disa dredha kot dhe, në vend që t`i afrohesha fshatit, i isha larguar…

 

 

Qafa e Dëvrisë

 

 

Shiu i trashë i dëborës vazhdonte të binte rrëmbyeshëm. U përpoqa të depërtoja shikimin në horizontin e herrët, por përsëri asgjë nuk dalloja. Vetëm se me mend e merrja që andej nga unë përpiqesha të shikoja ishte Qafa e Dëvrisë, që në turqisht do të thotë “vendroje”. Ishte një Qafë, që ushtarakisht ishte shfrytëzuar në shekuj. Me pak luftëtarë të armatosur, aty mund të mbaje të gozhduar një ushtri të tërë. Ajo Qafë lidhte Skraparin me zonën e Tomoricës. Ishte disi e ngjashme me “ngushticën e  Termopileve”, ku u zhvillua ajo betejë e famshme e grekëve kundër persianëve… Aty ishin zbuluar edhe gjurmë të vjetra të një kalaje. Thuhej gjithashtu se diku rrotull, ishte edhe një minierë mermeri, ndërsa unë dija edhe se aty kishte shumë lajthi. Në atë drejtim ku përpiqesha të shikoja ndodhen kanionet prej graniti të Gradecit me një bukuri të mahnitshme dhe me një gjatësi rreth 4 kilometra.

Fillojnë te ura e fshatit Osojë dhe përfundojnë te ura e Kasabashit, kurse, tani, në këtë natë, duken të zinj dhe të frikshëm. Mendohet se dikur, kanioni i madh i Gradecit ka qenë kalim nëntokësor, por, për miliona vjet, vërshimi gërryes dhe tretës i ujit, i kishte dhënë atë formë relievi shumë tërheqëse…Pse sllavët,-pyeta veten,- kur e kishin pushtuar atë vend e kishin pagëzuar me emrin Gradec? Dija se nga sllavishtja, rrënja e emrit Gradec – grad, ka kuptimin e emrit qytet. Në të vërtetë fshati është i vendosur mbi një pllajë, ka edhe një pyll të bukur. Mbase, dikur aty ka qenë një qytet i vogël piktoresk, si një kështjellë natyrale, që e mbronte lartësia dhe pozicioni gjeografik. Eh, sigurisht një pandehmë! Unë di vetëm ato që shikoj, ato që kam dëgjuar e lexuar.

 

  Përbindëshi Pirogosh

 

 

Ja, aty ndodhet edhe shpella e Pirrogoshit, 9) e cila  shpon “zemrën” e kanionit të Gradecit. Në pamje të parë, në hyrje të saj, ajo të  duket si një fytyrë përbindëshi e shtrembëruar dhe, me gojën e hapur me një dhemb në anën e djathtë të gojës. Të krijohet përshtypja se ajo mezi pret që të gëlltisë gjithçka në barkun e  saj të thellë. Ajo shpellë është  një prej monumenteve të shumta natyrore të Skraparit. Nga banorët mendohej e “pa fund”, një labirint i vërtetë. Thuhet se ka qenë një vendbanim i hershëm i periudhës së neolitit dhe i periudhave të mëvonshme, se aty janë gjetur gjurmë hi zjarresh deri 10 mijëvjeçarë, si dhe gurë të gdhendur që përfaqësojnë simbole të shenjta…

 Shpella Pirro Gosh

 

-Vend me pamje të sertë Skrapari,-thosha me vete,-me gjithë këto gryka, kanione, shkrepa, maja, gremina, humnera dhe rrëpira të frikshme. Ndaj dhe, e gjithë ajo zonë, nga Berati dhe veçanërisht mali i Tomorit e gjithë vazhdimi i tij, konsideroheshin dikur të shenjtë. Ne ushtarët, nënë zë tregonim apo dëgjonim edhe për legjendën e “Baba Tomorit”, e cila ishte legjenda e dy vëllezërve Abas Aliut dhe vëllait të tij të vogël, të cilët mbronin njëri Beratin, kurse Abas Aliu, i cili ishte vendosur në Tomor, mbronte gjithë fiset dhe krahinat e Tomorit. Që nga ajo kohë e deri sot, populli betohej “për Baba Tomor” dhe “për Abas Ali”. Thuhej gjithashtu se, prej këtej rrjedhin edhe shumë mite, legjenda, gojëdhëna. Bektashinjtë edhe sot e pranojnë se feja bektashiane ka zëvendësuar një kult shumë të vjetër, të krishterë dhe, akoma më tej: paganë…Thuhej gjithashtu se diku rrëzë Tomorit, është ngritur dikur tempulli i Dodonës së lashtë, që përmendet   nga Homeri, dhe që konsiderohet Olimpi i shqiptarëve. Kurse Çajupi në poezinë e tij “Baba Tomori”, shprehej:“Baba-Tomor, kish’ e Shqipërisë,/mal i lartë, fron i perëndisë”.

 

Thuhej gjithashtu se midis malit të Ramies dhe Tomorit, ndodhet një shpellë tjetër shumë e thellë për të cilën  tregojnë se nëse hedh një gur, duhet të presësh disa minuta derisa të dëgjosh zhurmën, oshtimën e tij që tregon se më në fund guri ka rënë në fund të shpellës. Shumë kanë provuar të futen në atë shpellë, madje dhe  speleologë të huaj, por nuk kanë mundur dot.

 

Në pamje edhe njerëzit duken të ashpër, po kur i njeh nga afër bindesh se janë njerëz me zemër të madhe, të dashur, bujarë dhe shumë mikpritës. Ama, kur u mbushet mendja për një gjë, s`ka forcë që t`i ndalë, do ta bëjnë doemos. Dhe, duke menduar këto, nuk di pse më shkoi mendja tek ai skraparlliu i panjohur, i cili kur dëgjoi se kishte ardhur Skënderbeu dhe po luftonte pushtuesit osman, ai mori rrugën i vetëm nga Skrapari për në ushtrinë e Skënderbeut. Shkoi në luftë dhe ra në betejën që u zhvillua në “Fushën e Torviollit”. U kujtova se një libër me vlerë për betejën e Torviollit, e kishte shkruar kolonel Dilaver Radëshi, nga fshati Radësh. Ai mbronte tezën se fusha e Torviollit, ku Skënderbeu zhvilloi betejën e  parë frontale kundër pushtuesve osmanë, ndodhet në fushën e Domosdovës së Përrenjasit. Koloneli u burgos më vonë, por të gjithë ia njihnin dituritë. Kohë më pas, në një bisedë me një mikun tim, ai më tregoi se, kur Dilaverin e çuan në një fshat për të zhvilluar një bisedë për periudhën e  Skënderbeut, kryetari, i cili donte ta fyente kolonelin, duke iu drejtuar kooperativistëve e prezantoi kështu:

-Ky që keni përballë është një “biçim” historiani, që do t`ju flasë për Skënderbeun dhe betejat e tij.

U krijua një ilaritet me fjalët fyese të kryetarit.

Atëherë, koloneli, duke marrë fjalën, tha:

-Siç ju tha ky “biçim” kryetari, unë do t`ju flas për betejat e Skënderbeut…”

Kuptohet që pas kësaj, kryetari u bë gaz i fshati dhe kjo histori që tregon mprehtësinë e kolonel Radëshit, kalonte atëherë gojë më gojë; tregohet edhe në ditët e sotme…

Nga fshatarët e zonës, ku ndodhej reparti ynë, kisha dëgjuar shumë ngjarje dhe histori interesante. Mbaja mend edhe një histori, ku tregohej për dy skraparllinj, të cilëve u kishin dhënë qese me florinj, që të shkonin në Berat dhe të vrisnin Babë Dudë Karbunarën se gjoja ai po bënte “krime” të mëdha. Dy skraparllinjtë donin të bindeshin vetë, nëse Babë Duda ishte kriminel apo jo, prandaj, pasi vajtën në Berat dhe e gjetën, ata e pyetën drejtpërdrejtë:

-Çfarë krimesh bën ti?

Mësuesit dhe atdhetari i madh, iu përgjigj:

-Unë hap shkolla shqipe, rregulloj rrugë dhe ndihmoj popullin e varfër.

Atëherë ata i thanë:

-Këto qese me florinj na i kanë dhënë për të të vrarë ty, por meqenëse merresh me  “krime” të tilla, urdhëro e merri këta florinj dhe vazhdo të bësh   “krime” si ato që ke bërë.

Duke kujtuar Babë Dudën, mbaj mend që, im at, i cili kishte lindur në kalanë e Beratit, më tregonte një episod nga fëmijëria e tij: Përpara shpalljes së pavarësisë, me urdhër të pashait turk, ushtarët e kapën Babë Dudën dhe, duke e torturuar përpara banorëve, e pyesnin dhunshëm:

“-Na thuaj, çfarë je? – Ata duke njohur atdhetarizmin e tij, si dhe respektin e madh që ai gëzonte në popull, donin që ai të thoshte: “Jam turk”, por Babë Duda trim dhe i mençur, u përgjigjej:

-Jam, çfarë po më flisni!

-Çfarë je?-i bërtisnin përsëri ata dhe i binin me grushte e kamxhik.

Dhe, atdhetari i madh, i gjakosur nga goditjet, ngrinte kokën dhe u thoshte:

-Po më pyesnin shqip se çfarë jam dhe unë po ju përgjigjem: Jam shqiptar…Edhe ju shqiptarë jeni, por…”

Në krah të Radëshit, ndodhet fshati Mollas, banorët e të cilit ishin në “sherr” me ata të Radëshit për pronësinë e majës së bukur të Ramies (2178 metra e lartë).Kohë më pas dëgjova se edhe Vërzhezha e pretendonte Ramien, kullotat e saj. Historikisht, sheret më të mëdha mes fshatrave, kanë qenë dhe janë: për ujin, pyjet dhe kullotat. Kur banorët nuk janë marrë vesh me njëri-tjetrin, shpesh kanë përfunduar në grindje të mëdha. Por, jo në rastin e Radëshit, Mollasit dhe Verzhezhës, pasi nga ata fshatra ka pasur burra të mençur, që u jepnin zgjidhje paqësisht sherreve dhe grindjeve.

 

                 Vendlindja e kapitenit të transoqeanikut “Vlora”

 

Përball repartit ku unë po shkoja, ndodhet Korita, një fshat kryesisht blegtor. Ne, ushtarët shkonim mirë me ta, por, njëherë, vramë aksidentalisht një qen stani të tyre. Një natë, ai kishte ardhur rrotull repartit për të kërkuar ushqim. Ushtarët e patrullës, duke e marrë për ujk, e kishin goditur. Qeni i plagosur ishte tërhequr zvarrë në drejtim të fshatit dhe kishte ngordhur te oborri i shtëpisë së tij. Vetëm atëherë, ushtarët  kuptuan se ai që kishin goditur ishte qen dhe jo ujk. Të nesërmen një grup ushtarësh me komandantin shkuan dhe kërkuan falje në fshat. Unë, si vlonjat, ndjeja edhe një lidhje shpirtërore me Koritën, ngaqë kapiteni i transoqeanikut “Vlora”,10) Qemal Hate, ishte nga ai fshat. Vapori “Vlora”, ishte mburrje e flotës tregtare shqiptare, ishte një   anije tepër moderne dhe luksoze, prodhim i fundit italian, i blerë nga shteti shqiptar në vitin 1961. “Vlora” ishte nga më të mirat e flotës, kishte një kapacitet transportues 12.600 ton dhe ishte blerë në Xhenova rreth 4 milion dollarë. Anija ishte një mjet i fort detar, ajo nuk kishte bërë asnjë defekt gjatë lundrimeve të vështira, veçanërisht atyre Shqipëri-Kinë kur transportonte armatime të rënda luftarake përfshi raketa, tanke, aeroplanë luftarakë.

Transoqeaniku “Vlora”

Ajo anije nuk kishte pësuar asnjë herë defekt, ndonëse kishte përballuar gjatë lundrimeve stuhi dhe tajfune. -Çudi,-thosha me vete,-një banor nga këto male të Skraparit, nga Korita, caktohej kapiten i një transoqeaniku, që përshkon oqeanet!? Sikur s`kishte të tjerë nga zonat bregdetare të Shqipërisë?

Qemal Hate

 

Por, kur kisha pyetur, kisha mësuar se djaloshi nga  Korita, kishte dalë më i zoti në shkollë, edhe në Shqipëri, edhe në shkollat jashtë vendit. Nuk mund të bëheshe lehtë atëherë kapiten i një vapori si “Vlora”. Kisha ndjerë respekt për atë kapiten, të cilit i dija vetëm emrin. Disa çaste mendova për të dhe thosha me vete se ai nuk e kishte të lehtë që, me anijen e tij i binte mes për mes oqeaneve, kush e di sa herë ndodhej në vështirësi kur lundronte në dete të botës, mes dallgëve të fuqishme, me stuhive detare…

 

 

Hija e zezë

 

Befas, kur po kaloja mbi një  pirg balte  dhe isha duke iu ngjitur një të përpjetë tjetër, ndjeva hapa të shpejta, që vinin drejt meje. I gjithë trupi m`u ngjeth dhe m`u drithërua. Frika më përfshiu të tërin. Hapat po afroheshin. Ishte një gjë e zezë që vinte pa zhurmë dhe me shpejtësi. Objektivi, dukej qartë që ishte unë. E kush tjetër? Shtrëngova rripin, që të përballesha me atë gjë të zezë dhe aq të frikshme. Guri që mbaja në dorë ishte disi i madh dhe, nuk ishte armë e keqe nëse do të qëlloja në shenjë. Kafsha e zezë po më afrohej dhe thuajse po më hidhej mbi trup kur ngrita krahun dhe, shoqëruar me një klithmë të mprehtë, e lëshova gurin me të gjithë fuqinë. Dëgjova një klithmë, një ulërimë dhe, kafsha e zezë u kthye nga rruga dhe ia mbathi në krahun tjetër e tmerruar. -Ç`ishte?-pyeta veten, ndërkohë që po kërkoja nëpër baltë gurë të tjerë.-Po të ketë qenë ujk nuk do të më ndahet, por edhe po të jetë qen, rreziku nuk do të jetë  më i vogël, sepse qeni, në këto raste të sulmon pa mëshirë, të shqyen. Apo nuk ishin të fuqishëm qentë e asaj zone! Ishin qen stani, qen kundër ujqërve. Sidomos në kohë dimri, ata nuk të falnin. Gjithsesi, një betejë e kisha fituar, i kisha dhënë një goditje të fortë përderisa ai qen, apo kafshë tjetër, ishte tërhequr me ulërimë. Mblodha një çast veten dhe po mendoja si të vazhdoja më tej. Vërtetë që ndihesha disi i trimëruar, por s`isha i sigurt se çfarë vinte më pas?

Më duhej edhe rreth një orë rrugë, që të mbërrija në repart. Kisha ecur më shumë se tre orë dhe, një kohë e kisha harxhuar duke u vërtitur qorrazi mes shkurreve dhe bokërimave, duke humbur kështu fillin e  shtigjeve. S`ka më keq se të ecësh kuturu në një vend pak të njohur, aq më tepër në një vend me shtigje, me shpate të thepisur dhe me rrëpira që të merrnin jetën po të rrëzoheshe. I vetmi ngushëllim, që ndjeja ato çaste ishte prezenca e dukshme e malit të Ramies. Ndonëse shiu i shoqëruar me stuhi dëbore vazhdonte, maja e Ramies që, herë – herë mbulohej nga retë e errëta, shfaqej përpara meje e bardhë. Maja e saj po më shërbente si orientim, ashtu siç i shërben drita e një fari, një anijeje në dallgë e në shtrëngatë. Po ndjeja se zemra po më ngrohej. -Po e kaloj, po e kaloj, – i jepja kurajë vetes. Tashmë i kisha më të qarta edhe shtigjet, të përpjetat, kthesat, bokërimat. Por, dija gjithashtu se shtegu kalonte diku mes një rrëpire shkëmbinjsh ndaj të cilës duhej të isha sa më i kujdesshëm pasi ia kisha frikën. Diku atje rrotull ndodhej një pellg me ujë, i cekët në pamje, por ai ishte shumë i thellë. Duhej të ruhesha nga ai pellg, që ishte një kurth ku kishin rënë shpesh edhe kalimtarë, edhe fshatarë të zonës, edhe kafshë…Ndërkaq, s`po më shqitej nga mendja ideja se diku pas shkurreve, apo pas çdo shkëmbi e shtegu, do të më shfaqej ndonjë  grabitqar. Lartësia ku ndodhesha ishte më e madhe, kështu që prania e kafshëve të egra, sidomos ujqve të uritur, doemos që ishte e natyrshme. Përfytyroja pritat apo kurthet e egërsirave grabitqare dhe më shkonte mendja që tani çdo hap duhej ta bëja më të menduar. Përkulesha  në tokë, merrja  gurë dhe i hidhja disa metra përpara meje, ndonjëherë edhe pas, majtas apo djathtas… Vetëm kur nuk dëgjoja zhurmë, vijoja të ecja më tej…

 

Rrëpira të frikshme

 

Një zhurmë e diçkaje që po rrokullisej me rrapëllimë më bëri të ndalja përsëri. U tmerrova. Mu bë se nuk ishte vetëm një kafshë, por disa. Me siguri ndonjë kope ujqërish. Ata po vinin drejt meje, si drejt ushqimit të kërkuar, duke zbritur me një shpejtësi gati të pabesueshme në atë rrëpirë shkëmbinjsh. Apo ishte ndonjë ari i vetëm, që ecte dhe thyente drurë e shkelmonte gurë. Me një dorë shtrëngova fort gurin e mprehtë, aq sa ndjeva të më çahej dora, kurse me tjetrën shtrëngova rripin, teksa sytë sikur më ishin shndërruar në dy shigjeta drite që kërkonin të shponin rrjetën e errësirën…Por, shpejt e kuptova nga zhurma se, ishin vetëm një grumbull gurësh, që, të rrëmbyer nga një përrua vërshues, rrëshqisnin nga sipër dhe binin në fund të rrëpirës. Dhe, pikërisht në çastin kur grumbulli i gurëve dhe uji vërshues, po më rrëmbenin edhe mua poshtë rrëpirës, munda të shmangesha, duke u hedhur me tërë forcën e trupit diku mënjanë, ndërsa e pashë veten të zhytur në një pellg uji dhe balte…

U drithërova kur përfytyrova “Vrimën e  Dragoit”. E dija që ajo nuk ndodhej në Radësh, por në Bogovë, në maj të luginës së lumit Osum, pak më sipër ujëvarës së burimit të Bogovës. E dija që ajo kishte formën e një galerie, me degëzime, më  e madhja 100 metra gjatësi, galeria ishte  e ngushtë dhe  pakalueshme. Uji atje del me trysni të madhe, ashtu si në legjendën e dragoit që  nxjerr flakë nga goja, ndaj i thonë “Vrima  e Dragoit”. -Eh, -thashë me vete,-ku s`po më shkon mendja nga frika! Ku “Vrima e Dragoit” dhe ku jam unë? U ngrita me vështirësi dhe bëra të ecë disa hapa, kur pashë se s`kishte dalje. Ishte një shkëmb i madh, i cili kishte mbetur në grykën e shtegut dhe, tashmë  ai ishte bllokuar plotësisht. S`po dija nga të mbaja. Të zvarritesha sipër shkëmbit dhe ta kapërceja, druaja se rrezikoja, pasi ai mund të rrokullisej përsëri nga pesha ime dhe të më zinte nën vete. Me këmbë dhe me duar, u zvarrita anash shkëmbit dhe, pas shumë përpjekjesh, ia dola që të kaloja sipër tij. Frika të jep forcë, por edhe të bën që të kapërcesh vështirës të pamundura. Nuk thonë kot se lepuri nga frika kapërcen humnera. Thua, edhe unë isha një lepur në ato çaste?! Jo, nuk ishte punë lepuri, sepse njeriu i vetmuar në mes të një rruge të tillë, në errësirë të thellë dhe i pa armatosur, është më i dobët, më i pambrojtur se një lepur, sepse i mungon shpejtësia dhe shkathtësia që ka lepuri. Me shpirt ndër dhëmb vijoja të ecja mes shtegut të rrethuar nga shkëmbinj të frikshëm…

 

Dua të fle gjumë!

 

Zemra më rrihte me vrull sikur do të më dilte nga kraharori. Çudi se  ku i gjeja ato forca, që të mos ndalja por të vazhdoja rrugën. Çfarë nuk përballon njeriu? Mjafton vullnet dhe këmbëngulje, por edhe trimëri, sepse përndryshe do të  dorëzohesha dhe do ta lija veten në mëshirën e fatit. Në dritën e një vetëtime tjetër pashë orën. Kishte kaluar mesnata. E ndjeja se tani edhe pak rrugë më mbetej. Po të thërrisja, me siguri ushtarët e patrullës do të më dëgjonin. Ja, tani edhe era e stuhishme sikur po binte, shiu po pushonte…Por jo se po pushonte, por aty lart ai shi i trashë ishte shndërruar plotësisht në dëborë, e cila binte e dendur dhe me flokë të mëdhenj…E ndjeva që isha afër repartit, pasi atje ishte vendi i erës dhe i dëborës… Ndihesha disi më i çliruar, ndërsa isha i tëri uji dhe baltë, madje edhe në fytyrë. Pesha e rrobave më ishte dyfishuar, lagështira më kishte hyrë gjer thellë në trup… Befas, një thirrje e fortë:

-Ndal! –dhe, dëgjova  zhurmën  e armëve që po mbusheshin.

-Ndal, kush kalon!-dëgjova thirrjet përsëri. Ishte patrulla e repartit.

Ndjeva gëzim në shpirt dhe thirra:

-Jam unë, unë…

-Qenka shoku ynë!-tha njëri dhe të tjerët u drejtuan tek unë duke më drejtuan elektrikët e dorës  në fytyrë.

-Nuk po më shihni? –thashë dhe vura duart përpara syve.

-Të shohim, të shohim, por me kë je tjetër?

-Vetëm…

-Si?! Ç`thua, do që të tallesh me ne?!

Ushtarëve nuk po u besohej.

-Po,-përsërita,-vetëm jam.

-Ti sikur ke dalë nga portat e ferrit, o ditëzi! Me siguri ke pasur ndonjë gjë urgjente që të kanë dërguar kështu, apo jo?! – tha njëri nga ushtarët. -Jo,-i thashë,-nuk më detyroj njeri, por m`u mbush mendja të vija që sonte. Tani që erdha s`po më dukej se kam bërë ndonjë gjë të madhe…

-Si ore s`ke bërë ndonjë gjë të madhe? Në pikë të dimrit, të ngjitesh i vetëm deri këtu? Pastaj, rrugë pa rrugë, nëpër shtigje, pa parë asgjë…Bah! Vërtet që s`po kuptojmë pse ke marrë këtë rrugë sonte dhe i vetëm…!?

-E po ja, si t`jua them, erdha sonte, erdha vetëm, sepse…sepse doja të provoja veten…!

-Dhe, si po të duket tani që e provove veten?

Heshta. S`kisha fuqi as të ngrija kokën dhe as të përgjigjesha.

-Dua të fle gjumë, – thashë, – gjumë…

 

 

 

————–

 

Shënime shpjeguese:

 

  1. Sipas historianëve bizantinë, bullgarët sllavë u vendosën në Siujdhesën Ilirike dhe në trojet e Maqedonisë antike diku nga gjysma  e shekullit VII të erës sonë, rreth viteve 650-680 dhe në vitin 687. Në shek. IX Shteti Bullgar u forcua dhe filloi të zgjerohet. Në vitin 851 ata u shtrinë në Maqedoninë Qendrore dhe në Shqipërinë e Jugut, duke pushtuar Ohrin dhe Devollin, kurse disa vjet më vonë pushtuan Beratin dhe të gjithë luginën e Vjosës. Në vitin 904 pushtuan Vlorën, Himarën, Butrintin, Nikopojën (Prevezën), por nuk mundën të merrnin Durrësin dhe Shkodrën. Të gjitha këto toka shqiptare hynë nën sundimin e Mbretërisë Bullgare. Simeoni, duke e shpallur veten Car, e ktheu shtetin bullgar në Perandori.
  2. Kolorado: Kanionet e Osumit dhe të Gradecit krahasohen për nga bukuria me Kanionin e madh, në Arizona. Ai konsiderohet një nga shtatë mrekullitë e botës, ka qenë frymëzim për aventurierët, poetët, piktorët prej qindra vjetësh. Kanioni është i skalitur prej miliona vjetësh nga uji dhe era, ai përbëhet nga rrafshnalta, kodra, blloqe, shtigje por dhe lumi Kolorado dhe, të gjitha këto, të vendosura në një sfond madhështor.
  3. Arkitekt Kasëmi (Reis Mimar Kasëmi 1570-1660) ishte mjeshtër i arkitekturës klasike osmane. Lindi në fshatin Gremsh të Tomorricës, Skrapar. Studimet i kreu në Stamboll dhe u radhit ndër ndihmësit më të afërm të arkitekt Sinanit. Ka shërbyer si kryearkitekt i Perandorisë Osmane, duke krijuar vepra monumentale.
  4. Legjenda mbretërore “Ujëmbret”: Në një dok. të viti 1938, mbreti Zog miratoi vendimin që të fshinte nga harta e Shqipërisë të gjithë emërtimet me prejardhje të huaj, duke i zëvendësuar me terma shqip. Projekti u zbatua, por traditat shekullore mbajtën sërish emrat tradicionalë. Sipas vendimit, Çorovoda do të quhej Ujëmbret. Vendimi përfshinte edhe emrat e fshatrave të tjerë të rrethit.
  5. Bëhet fjalë për partizanin Haki Kapaj nga Mallakastra. Këtë akt Piktori i Popullit Fatmir Haxhiu e ka fiksuar në tablonë e tij kushtuar asaj beteje.
  6. Demir Zyko, Artist i Popullit, këngëtar i shquar i iso-polifonisë toske, lindi në Gjerbës të Skraparit më 1911. U popullarizua veçanërisht me grupin e tij të përbërë nga Mehdi Kushe, Shahin Cinari, Neshat Hebibasi dhe Agim Carkanji me të cilët këndoi edhe këngën e famshme “Mbecë more shokë!” në Festivalin Folklorik në Lezhë në vitin 1968. Ka kënduar në të gjithë Shqipërinë, ka regjistruar mbi 50 këngë popullore polifonike të Skraparit dhe të Toskërisë. U nda nga jeta në vitin 1992. Pas vdekjes së tij u ngrit shoqata kulturore ”Demir Zyko” në Skrapar dhe grupi popullor “Demir Zyko” në Tiranë.
  7. Ismail Kadareja thotë:  “Në qoftë se ndonjë ditë popujt që kanë vuajtur dikur nën sundimin otoman, do të binin në marrëveshje për të ngritur një monument të përbashkët në kujtim të miliona bijve të tyre të vdekur gjatë shërbimit ushtarak në ushtrinë shumëkombëshe osmane, vështirë se mund të gjendet një tekst më universal për t`u gdhendur mbi këtë monument se kënga shqiptare e Urës së Qabesë”.
  8. Y. Polovina “Gjon Muzaka i Beratit përball Skënderbeut”. Në testamentin e Gjon Muzakës, shkruhet: “Dëgjoni fëmijët e mi, në territorin e Tomoricës është një fshat i quajtur Orkovë dhe është i banuar, qoftë në afërsi të maleve e qoftë nga ana e lumit dhe, midis maleve dhe këtij fshati, rrjedh një përrua dhe pranë këtij përroi në drejtim të malit është një damar floriri, ju kam lajmëruar, është në territoret tona”.
  9. Shpella e Pirrogoshit: Eksplorimi i parë i shpellës u bë në vitin 1985 nga një grup speleologësh italianë, të cilat arritën në konkluzionin se shpella e Pirrogoshit e ka një fund. Ajo është 1252 metra, gjerësia shkon deri në 30 metra, kurse lartësia deri 5 metra.
  10. Vapori “Vlora”: Nga  “Almanaku i Skraparit Historik” mësojmë se transoqeaniku “Vlora” iku me eksodin e viteve 90` dhe s`dihet ku ka përfunduar. Me siguri për skrap, kur ajo mund të lundronte edhe sot. Nga emigrantët e atyre viteve u quajt “Anije e ëmbël’. Zhdukja e asaj anieje, zhduku edhe historinë që ajo mbante me vete.

 

 

 

 

 

Please follow and like us: