Albspirit

Media/News/Publishing

Nikolla Llambro: In memoriam koha që lamë pas!

Image may contain: 1 person, ocean and closeup

Ese

Besoj do ketë qenë mes Shkurti në fillim të viteve 90-të, kur herët në mëngjes po prisja autobuzin e linjës urban për të shkuar në punë. Një erë e ftohtë dhe e thatë më kishte strukur në një cep duke u dridhur lehtë nga të ftohtit. Era ngrinte vorbulla herë-herë e aty-këtu si ‘tajfune’ të vegjël duke marrë me vete lloj-lloj plehrash dhe sendesh, copa letrash, amballazhesh të ndryshme çamçakëzesh, çokollatash, kruasanësh, kuti cigaresh, gjethe pemësh të vonuara, copa letrash me lajmërime, gazetash…kuti pijesh freskuese që rrokulliseshin me tinguj e zhurma sipas llojit… Ato sende herë ndaleshin, herë lëviznin si mbas ritmit e qejfit të erës së ftohtë e fishkëlluse. I shikoja me indiferentizëm e bezdi se pluhuri që ngrinte era më futej në sy.

Pa pritur një grumbull të tillë era e ndali aty afër meje… Diçka më tronditi… Një copë gazetë m’u duk e veçantë, e njohur…U afrova para se era t’i merte e t’i hidhte tej sipas qejfit të vet. Ngriva! Në copë gazetë e baltosur, tërë njolla, ku gërmat vende-vende nuk shquheshin, e grisur mezi lexohej:

“ZËR POP…”. Më poshtë fillimi i një artikulli me disa fjalë shqip gjysma-gjysma nga që kjo copë gazete e shkelur, e bërë pis, vrima-vrima e grisur… U ula dhe e mora. Mornicat më përshkuan trupin… Një lëmsh u mblodh brenda meje… Ishte copë nga gazeta ‘ZËRI I POPULLIT’… Ishte ZËRI I POPULLIT- tim… Zëri i Popullit… i çjerrë… i pa dëgjuar… i urritur… i ngjirur… i braktisur… i vuajtur… i baltosur… i shkelur… i gjakosur… Desha të bërtas…

Një burrë pranë meje më pa me çudi e cinizëm… lëvizi më tej… E futa në xhepin e brendshëm, pothuajse bosh, të portofolit. Tërë ditën në punë isha i mpirë, punoja pa vetëdije, një mall më mbyste futin dhe një stuhi kujtimesh kalonin para meje.

Mbas pune kur shkova në shtëpi nuk i thashë sime shoqe megjithëse më pyeti ‘nëse isha mirë me shëndet’ duke parë hutimin tim.

Pa u vënë re e vura në një kuti bosh nga ato që mbanjë sende floriri diku në dollap… Kutinë e mbanim se qe e bukur, se flori s’pati kurrëëë…

…Në fillim diku e nxirrja nga kutia fshehur… veshët më buçisnin nga thirrjet e emocionet… malli më mbyste…

Kaluan vite… Me ndërrimin e shtëpisë kutia diku humbi… Humbi dhe copa e gazetës që shpesh më kujtohej e më drithëronte duke më kthyer mbrapa në atë oqean kujtimesh e ngjarjesh.

E sot në këtë ngujim, në këtë ‘burg’ pa faj që na dënuan, m’u kujtua historia e asaj cope gazete… e gazetës “ZËRI I POPULLIT”… e Zërit të Popullit të tim.

Eeeehhh… sa ngarje… sa histori tonditëse, sa ndodhi, sa tragjedi, sa vuajtje e pak gëzime e lumturi, sa sa dhimbje, sa revoltë mbart klithma e Zërit të Popullit tim në historinë e vet…

E ç’të kujtoj? Të kujtoj vitet e fëmijërisë sime kur qaja e s’ngopesha me bukën që na mungonte e kur nëna më pyeste i thoshja ‘nuk qajë për bukë, por qajë për ujë’! Të kujtoj kur zbathur me shokët bridhnim sokeqeve e kopësht më kopësht të Gjirokastër e ‘vidhinim’ fruta? Të kujtoj vitet e gjimnazit “Asim Zeneli” ku thurëm ëndrrat e e jetës? Vitet plot vrull të Institutit të Arteve, aksionet e rinisë etj… etj… Punën me Trupën e Teatrit në Gjirokastër, shfaqet e bukura, filmat që xhirruam në Kinostudio?

Të kujtoj pastaj radhët e gjata plot ankth për vajguri, për dy shishe qumësht? Të kujtoj zënkat në këto radha? Sharjet e gjyshes sime që nuk dinte shqip, por kur i prishnin radhën shante: “Kush e prishi rala ime e qifsha nena”! Pastaj erdhi badërdia e eksodit masiv. Hemoragji e ikjes drejt të panjohurës.

Të kujtoj natën e 2 Korrikut, kur tërë populli i Tiranës u sul në ambasada? Populli klithii, shpërtheu… Nuk harroj dot deri sa të jem gjallë ato klithmat e të rinjve e të rejave në Urën e Subashit afët Gjirokastrës që vraponin malit të Shtëpëzit ose binin në lumin Drin në Dhjetor për të shpëtuar nga breshëritë e automatikëve… Si mund të harrohen karvanet e gjata të njerëzve të cfilitur, të uritur, që kalonin ditë e natë drejt kufirit të së panjohurës, drejt Malit Morgan duke mbetur humnerave pa nam e pa nishan. Nuk harrohen vaporët e ngarkuar me mijrëa njerëz drejt Italisë, diskriminimi, poshtërimi që iu bë popullit të pa faj e të vuajtur.

Si mund të harrohet shkatërrimi i gjithçkaje të ndërtuar me djersë e gjak nga ky popull në emër të teorive kriminale… “Çeku i bardhë”, “Drita jeshile”, “Fillimi nga zero”? Si mund të harrojë e mos bërtasë ky popull nga shkatërrimi i Shëndetësisë, i Arsimit, i Industrisë, i Ushtrisë? Si mund të harrohet shitja e pasurisë kombëtare, e muzeve dhe traditave, shkatërrimi i çdo gjëje të vyer që ky popull e ndërtoi me mund e sakrifica.

Po a mund të fshihet nga historia, a mund të harroj ky popull vitin e mbrapsht 1997-të? A mund të harrohet Gërdeci, 21 Janari? Mund të harrohen hajdutët monstruozë e të pa skurpullt politikanë? Ata që as emrin nuk dinë të shkruajnë, por dinë shumë mirë të vjedhin e të vrasin… A mund të harrojë populli kuçedrën me katër kokë që e ka vënë nën kthetra këtë popull dhe e mban të robëruar, të tallur, të shtypur, të cfilitur, të urritur e të varfër?

Si mund të harrojë kur në Sarandë duke peshkuar anës detit një ditë të nxehtë Prilli, 4 djem të rinj nga Kukësi po punonin në një objekt. Bënte vapë. S’kishin pirë pikë ujë. Iu afrova dhe i pyeta…shikonin me frikë rreth e rrotull. Se paguheshin 500 lekë në ditë, më thanë. Me ato paguanin hotelin, ushqimin dhe dërgonin dhe në shtëpi.

-Keni ngrënë gjë-u thashë.

-Jo- më thanë -hamë vetëm një herë në ditë!

U shokova. Me paret që m’u gjendën shkova bleva ç’munda. U ulën e po hanin si të babëzitur. I shikoja dhe mu mblodh një lëmsh në fyt. Ishin në moshën e fëmijve të mi. Pas pak erdhën medemek punëdhënësit. Ishin në moshën e tyre. Ndërhyra. U grindëm. Ik, më thane, se të bëjmë varrin këtu. Këta tani nuk do punojnë dot. U tmerrova. Ishin pronarët e rinj shqiptarë!

A mund të mos i dëgjoj këto klithma. Klithmat e popullit tim?! Jooo kuurrëëë… kuurrëëëë… Unë i ndjej këto klithma… këtë revoltëëë… këtë akumulim… këtë llavë që po zien… zien… e mjerë ju o të mjerëëë…

E si mund të harroj atë 11 Nëntor të vitit 1991 kur kapërceva kufirin. Në anët tjetër kisha fëmijtë, kisha familjen.

Matan kangjellave kish mbetur Atdheu. Këtej e pa njohura… Sytë tanë i kish mbuluar pasiguria…

Nga autobuzi që më çonte drejt Athinës, dielli m’u duk i lëbyrtë, me një shkëlqim të verdhë drithërues… Mbështetur kokën te xhami, gëlltisja lotët… Po shkoja drej humbëtirës… drejt të pa njohurës…

Një kushuriri i parë i tim eti avokat, kur erdhi për vizitë në 1985 në Shqipëri dhe kur e pyeta si ishte Athina më ta: “Athina? Athina është një xhungël, po s’pate punë dhe siguracion je i mbaruar”! Dhe vërtet, kish plotësisht të drejtë!

Siç është sot ama për 90 % të popullit shqiptar, i cili i detyruar ikën… ikën… ikën…

E si mund të haroj kur pronari i shtëpisë vinte ditë e natë të shikonte sa vetë ishim në shtëpi, kur mbeta në sirtar me 5000 dhrahmi, vetë i katërt. Si mund të harroj e mos klith kur një punëdhënës më quajti: “Kolo Alvane (bythë shqiptari) dhe unë desh e vrava… Kur tjetri më më detyroi të punoja në një vend ku më rrezikohej jeta 95% dhe pa siguracion e kur i kundërshtova më tha: “Hajt jati alvanos ise”! (Hajt shqiptar je). Si mund të harroj kur duke punuar në rrugë në një lagje Virona erdhi në korçar endacak e më tha: “File ligo psomi”!… (O mik, pak bukë).E kur i fola shqip i rrodhën lotët… Lotuam të dy. Kish tre ditë që flinte strehave, ngrënë e pa ngrënë… I dhashë ç’kisha. E lamë të vinte ditën tjetër… Nuk erdhiii… Atë ditë m’u prenë duart… Ç’u bë? E zuri policia?

E ku harohet e ashtuquajtura famëkeqja “Fshesa” që “fshinte” shqiptarët kudo ku i zinte dhe si dengje pa ngrënë e pa pirë, here-herë pa mundur të shurronin, të rrahur, të poshtëruar, i çonin në kufiii… Si mund të harrohen rradhët e gjata në zyrat e lejeve të qëndrimit, mijëra pare të harxhuara për një vizë, ajo fjala “-Pisoo…piisoo”!…(mbrapa, mbrapa) të disa policëve kapadai e kokoroshë?

E si mund të harroj kur as/regjisori në një film më quajti…palo alvane…(shqiptar i keq) e unë i grisa rrobat dhe ika nga xhirimii… Po s’harrohet klithma e atyre nëtëdhjet e ca vlonjatëve, burra, gra e fëmijë që i mbyti Italia me porosi të armikut më të madh të popullit shqitar në shekuj?!

E sot populli prapë ikën… ikën… ikën me dhimbje, me një kithmë së brendshmi, me një brengë… me mallin që mer me vete përjetësisht…

O ZËRI I POPULLIT… O zëri i dhimbjes, i vuajtjes, zëri bukurisë shpirtërore, i këngës, zëri i zgjuarsisë, zëri i besës.

Zëri i lirisë! Zëri i trimërisë!

Ti nuk do shuhesh kurrrëë… kurrrëëë… O ZËRI I POPULLIT martir!!!!

Athinë, më 21. 3. 2020

Please follow and like us: