Albspirit

Media/News/Publishing

Mimoza Erebara: CUNGU

Image result for mimoza erebara

Pranvera kishte mbështjellë me dritën e saj gjithçka… Çdo gjë shkëlqente dhe i gëzohej dritës së ngrohtë, rrezeve të diellit. Pemët të gjitha po visheshin me rrobën e blertë që aq shumë e kishin ëndërruar gjatë dimrit të ftohtë e të ashpër. Oh si krenoheshin lulet! Dhe të gjithë nxitonin të visheshin sa më shpejt e sa më bukur. Pemët e larta dhe të vjetra të pyllit u gëzoheshin bisqeve të reja, mezi prisnin që ata të rriteshin e të bëheshin drurë gjithë po aq të mëdhenj!

Kafshët vinin rrotull të gëzuara, fluturat vraponin pas ngjyrave të mrekullueshme dhe pas rrezeve të diellit, zogjtë dhe ata gjithë të lumtur këndonin me kënaqësi dhe prisnin të çelnin zoçkat e vogla. Dhe Dielli shndriste lumturisht. Dhe qielli ishte i qashtër si një sy fëmije! Dhe ajri i pastër! Dhe bari i njomë! Një mrekulli!

Në cepin e këtij pylli na ishte edhe një pemë që nxinte që larg. Askush nuk i afrohej asaj. Shkonin zogjtë për t’u ulur e për t’ia thënë këngës së tyre, ajo i përzente se ata e bezdisnin. Shkonin fluturat dhe largoheshin menjëherë prej saj se ajo nuk kishte asnjë ngjyrë të bukur e tërheqëse, ishte një pemë jo e zakonshme, nuk kishte degë, ishte një pemë-cung. Nuk kishte gjethe. Vetëm cung. Një cung i shëmtuar dhe i zi që të kallte datën e jo më t’i afroheshe e t’i bëje shoqëri!

Përbri saj lulëzonte e hidhte shtat një Pemë e Re e Bukur, gjithë lëng, me gjethe të gjelbërta e të njoma, me degë nazike, në të cilën nuk rreshtnin vizitorët, sa iknin zogjtë vinin fluturat, e sa iknin ato vinin kafshë të ndryshme për t’u çlodhur nën hijen e freskët të saj. Kështu qëndronin punët deri atë ditë kur qielli u nxi dhe një shtrëngatë e madhe po afrohej me shpejtësi. Malet atje përtej shkëlqenin nga dritat e vetëtimave. Befas m’u përpara Pemës së Re e të Bukur dhe Cungut shkëlqeu diçka e ndritshme dhe një zjarr i madh kapllosi menjëherë përreth tyre. Cungu ngriti sytë i çuditur dhe pa se Pema e Re dhe e Bukur, fqinja e tij ledhatare po digjej nga flakët.

-Po ti, po digjesh? – e pyeti ai.

-Cung, të lutem më shpëto, jam shumë e re për t’u djegur, pranvera sapo ka ardhur!

-E ç’mund të bëj unë për ty? Asgjë! Tamam asgjë! Të pëlqente ta hidhje trupin përditë e përditë të visheshe si një zonjë e rëndë me gjethet e bisqet më të njoma e më të gjelbërta? Të pëlqente të të vinin miq orë e minutë, të pëlqente që rrezet e diellit të të përkëdhelnin e ti t’i jepeshe e  tëra asaj kënaqësie?

-Pra ti nuk do të më ndihmosh?! Ti më urren? E përse? – pyeti e dëshpëruar Pema ndërsa flakët e rrufesë së pamëshirshme sa vinin e digjnin më shumë.

-Jo, ti do të digjesh- iu përgjegj ftohtë e ashpër Cungu.

Pema e Re dhe e Bukur vari kokën mënjanë e dëshpëruar sa më s’ka nga sjellja e papritur e fqinjit të saj, të cilit as kishte menduar t’i bënte keq, e jo më të vepronte.

-Po, po, do të digjem e do të vdes, po unë jetova! Shumë pak për mua që sapo kam filluar, po jetova dhe isha dhe e lumtur se tek unë vinin gjithë shtazët e pyllit, të gjithë gjenin prehje dhe fluturat lozonjare tek mua vinin dhe me mua luanin. Dhe gjethet e mia të mbushura plot lëng iu gëzuan rrezeve të diellit dhe fort u përqafuan me to. Kurse ti Cung, nuk i di fare këto gjëra!… I mjeri ti!

-E ç’është lumturia? Veç një ëndërr e keqe mashtruese për të gënjyer. Dhe dashuria është mënyra më e mirë për të  shfrytëzuar të tjerët. Më mirë kështu siç rri unë, pa degë, pa gjethe, pa bisqe, pa ngjyrë. Toka njësoj na mban, e ndërsa ti e pësove, unë jo, unë do të vazhdoj të jetoj, sepse vetë shëmtia e cingunia ime më shpëtuan.

Pema e Re e Bukur tek po luftonte me flakët e pamëshirshme që pak nga pak po e kthenin në hi, gjeti forca dhe e drejtoi kokën e saj të bukur rrethuar jo më nga zogjtë e fluturat por nga flakët.

-Ah, sikur edhe vetëm njëherë të vetme të kisha rreth e rrotull zogjtë, miqtë e mi të dashur dhe ata të këndonin ulur mbi degët e mia, paçka se ato janë duke u shkrumbuar! Ah! , sikur pranë meje të vinin kafshëzat e mia të dashura dhe të shplodheshin edhe njëherë dhe të më tregonin për ato që ndodhnin në pyll dhe në pyjet e tjerë! Ah! , sikur rreth meje të rrotulloheshin fluturat! Oh! Kënaqësi e jetës! …-vajtoi e trishtuar Pema e Re e Bukur.

Cungu e dëgjoi dhe as që e kuptonte se përse bëhej fjalë, por së brendshmi kuptoi dhe ndjeu se Pema e Re e Bukur vajtonte për një gjë tepër të shtrenjtë të cilën ai nuk mund ta mendonte se ç’ishte, përderisa nuk e njihte. I hodhi një sy trungut të tij të shkurtër e të zi, pa degë, pa gjethe, pa ngjyrë, dhe për herë të parë pamja e tij iu duk mjerane e vërtetë, por ja që tanimë nuk kishte asgjë në dorë. Zjarri që vinte nga Pema e Re dhe e Bukur ndriçonte gjithnjë e më shumë dhe Pema e Re e Bukur po digjej e po kthehej në hi.

Kafshët e pylit, zogjtë dhe fluturat tani që stuhia kishte kaluar e kishin marrë vesh dhe ishin grumbulluar tek Pema e Re e Bukur dhe po shihnin me dhimbje flijimin e saj. Pa u thënë kush të gjitha kafshët, dhe zogjtë, dhe fluturat, miqtë më të mirë të Pemës së Re e të Bukur, nuk pyetën për gjuhët e flakës që mund t’i shkrumbonin edhe ata, por u ngritën përsëri pranë degëve që kishin shpëtuar ende pa u djegur.

Oh, sa u lumturua ajo! Me mundim por me krenari e ngriti edhe njëherë kokën gjysëm të shkrumbuar drejt rrezeve të diellit që kishte kohë që kishte dalë. I përqafoi fort ato si kurrë në jetën e saj të shkurtër nuk i kishte përqafuar, përgëzoi nga zemra të gjithë miqtë dhe regëtiu për herë të fundit. Hiri i saj ra lehtas në tokë në mes të një heshtjeje solemne. Të gjitha kafshët e pyllit dhe zogjtë, dhe fluturat ishin dëshpëruar për humbjen e shoqes së tyre të dashur që nuk ua kurseu lulet, degët, gjethet, dashurinë…

Cungu i mbledhur në qoshen e vet, ashtu i zi dhe cung, po thoshte me vete se të gjitha ato që kishte dëgjuar prej ish fqinjës së tij ishin broçkulla e marrëzira.

Po ne të gjithë e dimë mirë, se asgjë nga kjo që ndodhi nuk ishte një marrëzi dhe mendimet e Pemës së Re e të Bukur nuk janë broçkulla, ato janë të vërteta, janë vetë jeta, dëshira për të jetuar, vetë dashuria.

Please follow and like us: