Haris Vongli: Marrëzia e madhështisë
Ese
Dikush diku po fryhet nga të vetëndjerit, nga fodullëku, deliri, dhe gati gati mjeshtëria për të mbuluar paaftësitë e tij. Kjo e fundit është në fakt mjeshtëri jo veç e fituar, por edhe e trashëguar. Dikush diku këtë fryrje e shpreh kryesisht nga ca libra që ka lexuar gjatë jetës, pra të paktët e të vetmit libra që ka lexuar. Rrezik i madh ndaj vlerave të shtuara që i duhen dijes.
Dikush, diku, nuk gëzon shëndet të mirë shpirtëror e ka fare pak dashuri në zemër, nuk po them aspak, se atë që ka e mban veç për vete. Dikush diku do thjesht të fluturojë me presh dhe të duket se qielli i 7 arrihet pa mund të madh, por me situata, vende e njerëz, të ndodhur bashkërisht aty në një ditë thjesht me fat. Për shumë njerëz ka shumë ditë të tilla.
Dikush diku nënshkrimet e jetës i ka gjithherë sipërfaqësore dhe kjo e kënaq, kjo e djallëzon, e fuqizon; s’përpiqet thuajse kurrë të futet në thellësi sepse do tmerrohej edhe vetë nga arroganca dhe mungesa e dritës, do e drithëronte vetja e hidhët vrer.
Dritëshkurtër, mediokër me pushtete, po ama arrogantë, shumë arrogantë. Arroganca dhe shumëfytyrësia më tmerron, më kall datën. Injoranca është armë shfarosëse për njerëzimin. Dhe kjo përdoret rëndom nga pushteti drejt masave.
Por sot, pandemia botërore na ka gjunjëzuar të gjithve, sot jemi të gjithë të barabartë. Çfarëdo të jemi, kudo e kushdo të shtiremi, përpëlitja na kanoset të gjithëve njësoj.
Mjafton modestia. Arritjet e sukseset ngjajnë të disiplinuara bukur kur ka maturi. A është aq e dukshme, në sy e ballë, kur një njeri është i mbarë e ka dritë?! Po pra, po. S’ka pushtet e para që të kamuflojë. Eh, sa i mungon pastërtia deri në naivitet shoqërisë sonë. Duket sikur do hamë njeri-tjetrin. Të pangopur. Të lodhshëm, të pashpirt. Shkretim i zgjuarsisë.
Por sot jemi të gjithë të barabartë!