Gëzim Podgorica: Një oreks politik që i duhej kursyer Kosovës
Rrallë herë diplomacia evropiane do të ishte aq aktive në mbrojtje të një qeverie të një vendi të vogël. Ministri gjerman për Evropën, pa ia përmendur emrin, por duke goditur direkt Thaçin do të deklaronte: “Disa politikanë të papërgjegjshëm në Prishtinë duket se po përfitojnë pa turp nga situata dramatike. Ata po përpiqen të rrëzojnë qeverinë. Ata madje shkojnë aq larg sa të deklarojnë publikisht që kufizimet e daljes të vendosura nga qeveria, nuk duhet te respektohen”.
E rrëzuan Qeverinë në Kosovë. Ia arritën pavarësisht situatës dramatike që po kalon i gjithë globi, pavarësisht reagimit kundërshtues qytetar, megjithëse u thirrën në mënyrë hipokrite në emër të tyre. Thirrjet për veprime të matura politike dhe tërheqje nga mocioni erdhën edhe nga qendra mjaft të rëndësishme të politikës e diplomacisë evropiane. Por u injoruan pa pyetur për çmimin që kjo do të ketë më pas, pasi thirrjet nuk ishin thjesht miqësore, por ishin edhe garanci për plane të koordinuara mirë nga qendrat më të fuqishme të politikës evropiane. Aleatët e politikës së vjetër, që i rëndojnë si një gur i rëndë në qafën e shtetit të Kosovës prej 20 vitesh shfrytëzuan me dinakëri edhe një koridor diplomatik: Një platformë për rajonin për të cilën po këmbëngul ambasadori Grenell. Kjo u mjaftoi për t’u paraqitur si proamerikanë, si mirënjohës të devotshëm të asaj që SHBA ka bërë për Kosovën,duke mos marrë në konsideratë thirrjet dhe sensibilitetin e shfaqur pa rezerva në mbrojtje të stabilitetit qeverisës e theksuar veçanërisht nga Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Zvicra dhe europarlamentarë të shumtë që intensivisht kërkuan shmangien e mocionit. Dhe gjithë këtë sensibilitet e kamufluan me gjoja “antiamerikanizmin” e Kurtit. Nuk e di se sa proamerikanë të vërtetë janë ata që e kanë plaçkitur Kosovën prej 20 vitesh, që janë thirrur në emër të hipotekës së luftës, kur në fakt janë sjellë si mercenarë pasi kanë kërkuar haraç për ato vite, haraç që i ka kushtuar shtrenjtë dhe ka ngulfatur të ardhmen e Kosovës.
Alibitë me proamerikanizëm kanë funksionuar vetëm për fasadë. Të dërguarit e Mustafës në Washington, pavarësisht kredencialeve shumë të dyshimta që kanë në opinionin publik në Kosovë, ishin dërguar atje për të qënë të mbrojtur me kartën amerikane në luftën e nisur për rrëzimin e Qeverisë. Duke shfrytëzuar ndjeshmërine e ambasadorit Grenell për një sukses në politikën e jshtme të Presidentit Trump përpara zgjedhjeve në SHBA, ata kanalizuan skemën e goditjes së Qeverisë, pa u mbushur akoma dy muaj. Asgjë nuk lidhej as me punën dhe as me performancën e Qeverisë, çdo veprim ishte kalkuluar që të rrëzohet me çdo çmim Kurti dhe qeveria e ardhshme të jete nën kontrollin e Thaçit.
Rrëzimi i një qeverie në kohë pandemie është jo vetëm një papërgjegjshmëri e tejskajshme politike, por edhe një veprim i pashembullt kur në botë shumica e qeverive kombëtare po zgjerojnë fuqitë e tyre në këto momente kaq të vështira. Krahas kostos që do ketë për Kosovën rënia e qeverisë, ky akt i politikës kosovare do krijojë edhe një inflacion të ndjeshëm në vlerësimin që i bëhet klasës aktuale politike. Sulmi ndaj simpatisë në rritje ndaj Kurtit kishte filluar me kohë.
U tentua që kurrsesi të mos lejohej formimi i koalicionit qeverisës, mirëpo të gjendur përballë opinionit publik dhe për të mashtruar si gjithnjë votuesit, pranuan bashkëqeverisjen me strategjinë e rrëzimit shumë të shpejtë të saj. Meqenëse Kurti ua rrëzoi një nga një argumentet për hapësirat qeverisëse në koalicion, LDK u detyrua të hyjë e përgatitur për të provokuar e dalë shumë shpejt. Deklaratat e vazhdueshme që në ditët e para të punës së qeverisë nga gardistët e vjetër të LDK,- së, të cilët ashtu si edhe Mustafa nuk guxuan të kandidojnë për deputetë pasi e dinin se do diskreditoheshin keqas nga Vjosa Osmani, e cila e vetme mori vota më shumë se totali i votave të 18 deputetëve të LDK – së të marrë sëbashku, treguan se intrigat si pjesë e moralit të tyre nuk do vonin të jepnin rezultat.
Kauza publike e Qeverisë Kurti u rrëzua përballë kauzës sekrete të dirigjuar nga njeriu që më së shumti i ka bërë dëm Kosovës dhe që sot është në kuotat më të ulta të mbështetjes popullore. Ai nuk mund të mos lëvizte të gjithë zaret e tij në LDK-në e marrë peng prej kohësh për të realizuar qëllimet e tij. Rrallë herë diplomacia evropiane do të ishte aq aktive në mbrojtje të një qeverie të një vendi të vogël. Ministri gjerman për Evropën, pa ia përmendur emrin, por duke goditur direkt Thaçin do të deklaronte: “Disa politikanë të papërgjegjshëm në Prishtinë duket se po përfitojnë pa turp nga situata dramatike. Ata po përpiqen të rrëzojnë qeverinë. Ata madje shkojnë aq larg sa të deklarojnë publikisht që kufizimet e daljes të vendosura nga qeveria, nuk duhet te respektohen”.
Nervozizmi evropian me atë që u parashikua dhe ndodhi, u shoqërua edhe me angazhime të fuqishme nga Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron përmes deklaratës së përbashkët të ministrive të jashtme të vendeve, ku konkrerisht merrej përgjegjësi që menjëherë pas tejkalimit të fazës kritike të pandemisë, të përgatitej traseja për bisedimet midis Kosovës e Serbisë me praninë edhe të SHBA.
Por pikërisht këtë nuk donte Thaçi dhe aktivizoi gjithë gardën e tij në LDK, e cila katër vite më parë i kishte mundësuar atij zgjedhjen president, kundër asaj çfarë i kishte marrë votat Isa Mustafa me partinë e tij. Dhe prof-ja i mësuar me tradhëti e pabesi, duke i bërë një dëm të pallogaritshëm Kosovës, pas rrëzimit të qeverisë nuk do të nguronte të deklaronte paturpësisht se me dështimin e llogaritur të Vetvendosjes për të bërë qeveri, LDK -ja do marrë mandatin nga Thaçi dhe sëbashku me AAK-në, Nismën dhe minoritetet do formojnë qeverinë. Votat i morën kundër PAN-it, qeverisjen do e bëjnë me segmentet më të korruptuara të PAN-it. Kalkulimet e turpit në kurriz të Kosovës vazhdojnë. Ata po i bëjnë të njëjtit personazhe që viktimizohen në momente të veçanta dhe shfaqen si heronj në ditë të tjera, kur në fakt nuk janë asgjë më shumë se hiena të një kohe të trazuar. Njerëzit ndjehen të mashtruar, të tradhëtuar, të lënë vetëm. Edhe ajo rreze drite shpresëdhënëse që u shfaq me Qeverinë e re që në ditët e saj të para, u shua.
Aleanca e grabitqarëve të stërvitur të pushtetit rezultoi më e fuqishme se aleanca e njerëzve të ndershëm dhe idealistë, të cilët për hir të së vërtetës e mprehën shpatën më shumë se çfarë duhet, e mbase edhe kjo u kushtoi. Por do jetë një fitore e perkohshme, pasi zullumi i atyre që po bëjnë llogaritë e pushtetit është aq i madh, sa nuk do të tolerohet nga njerëzit.
E gjithë shfaqja e së mërkurës mbrëma duhej t’i kursehej Kosovës, e cila edhe kështu ështe tejet e ngarkuar në tè gjitha planet. Ajo u bë pjesë e një debati të padëshëruar midis SHBA dhe BE -së të cilat në këtë situatë u pozicionuan kundër. Kjo do të jetë me një kosto të lartë për Kosovën, pasi aleatët e mëdhenj
e gjejnë gjuhën mes vetes për tema të rëndësishme, por rruga e saj vjen e bëhet mè e vështirë. Një vit më parë Haradinaj, tani Thaçi dhe Mustafa, sillen ndaj kancelarive europiane me një kokëfortësi tipike politikanësh provincialë. Ata sëbashku me Kurtin, pavarësisht këtij momenti, nuk mundet të vënë në provë raportet SHBA – BE, por vetëm të marrin mbi vete faturën e padëshëruar të kësaj përplasjeje, që shkon në kurriz të Kosovës. Thyerja e unitetit perëndimor do ta vërë politikën kosovare përballë sfidash të vështira, por edhe do shtojë pikëpyetjet mbi aftësinë e lidershipit të sotëm politik për të mirëkuptuar mesazhet që japin qendrat e mëdha të vendimmarrjes së politikës globale.