Albspirit

Media/News/Publishing

VETMIA – LLAMBË VAJGURI

IPF Kosovo : Mustafa Spahiu- Macedonia

Mustafa SPAHIU

 

 

 

1.

(Këndi – dritëverdhë)

 

Anijet ëndërrojnë prore

iu druhen lundrimeve

 

flamujt valojnë valavinë

dallgët tundin direkun

këndi dritëverdhë shkëlqen

 

spirancat kredhen në ujë

klithin pulëbardhat kërkojnë

rretheçark portit të harruar

 

s’kam çka t’u shpërndaj dot

asnjë kafkull guaske në rërë.

 

2.

(Vargjet rrjedhin – visare)

 

Errësira me afsh do dritën

e tingujve sytë janë ngulitur

 

bukurisë së lartë kuqëlore,

kush arriti tek i Shenjti, dhe –

tregonte për punët tokësore

 

dëshirat e shpirtit tërhiqen

në një shtëpi si grua e bukur

pa të vërtetën nuk arrihet, as –

 

te vetullat e rrëzuara shtang

sytë e barit picërrohen ndryer.

 

 

3.

(Vërtik – endet siprira)

 

Dritë fanarësh titëruese

pemët pas shiut veskë degësh

 

në qiellin tim të artë rrezet

përkunden barërash të njoma

barrë të vetme kam lundrën

 

dhembjen e fshehtë s’e lejoj

as të kthehet në vijë buzësh

me ujë kolonje sapun sykaltër

 

një udhëtim në Anamoravë

sytë e një vashe më gdhelin.

 

4.

 

(Visaret – heshtojnë)

 

Qirinjtë me flakë ofshajnë

diell e vargje vazo dritaresh

 

titërojnë rimat me mjeshtëri

fjalëpakët e kaluan lumin, e –

sajën fëmijërore rrëshqiti vrik

 

baltës buzë gardhit të vjetër

dimrit të parvjemë shpëtoi, pa

u djegur nga duart e nënës

 

lartë mbi ré të ngathëta

Flutura Shpresë flatron për shtëpi.

 

5.

(Plot valë – deti)

 

Rrezja e së vërtetës më preku

në detin e jetës plot dallgëza

 

askush s’di gjë kush s’e di

llambat natore fshehtas ç’po

ndizen diell plot shkëlqim

 

ndofta mund të ndodhë, them

dashuria i takon duart e arta

zemrën e kam plot me ty, ah –

 

si i verbërti gjurmëve të jetës

fshehtas kurrë s’kam kaluar…

 

 

 

E mërkurë, 25 mars 2020, në Dardaninë Ilire

 

 

 

 

 

Please follow and like us: