Arsim Canolli: Urrejtja politike në kohë pandemie
Filozofi britanik, Bertrand Russell-i kishte thënë se askush nuk bën mirë nëse i beson plotësisht një filozofie. Secila filozofi, secila teori filozofike duhet t’i nënshtrohet pyetjeve dyshuese, sepse përndryshe bëhet dogmë. Dogma ka gjasa të mëdha të shndërrohet në totalitarizëm. Nëse filozofia duhet të avancojë lumturinë, ajo duhet të inspirohet nga ndjenjat e mira.
Kur fliste për Karl Marx-in, nuk dëshironte ta quante filozof, por thoshte se kishte hyrë në listë të filozofëve më shumë si kundërshtar i filozofisë. Por, nuk e mohon faktin se Marx-i kishte ndikim në filozofi. Megjithatë, ai e dha një mendim krejt të thjeshtë dhe të qartë për të.
“Marx-i nuk u inspirua nga ndjenjat e mira. Ai pretendonte se donte lumturinë e klasës punëtore, por ai në të vërtetë donte mizorinë e borgjezisë. Dhe, pikërisht për shkak të atij elementi negativ, atij elementi të urrejtjes, filozofia e tij prodhoi katastrofë. Filozofia që synon të mirën duhet të inspirohet nga ndjenja e së mirës, jo urrejtjes e smirës”.
Dihet se kë e inspiroi “filozofia” marksiste e çfarë ndodhi gjatë shekullit XX. Shqiptarët e dinë më së miri se çfarë ishte kjo “filozofi” se çfarë i bëri kulturës së tyre. Së fundi, antropologët e kulturës, Nebi Bardhoshi e Olsi Lelaj, e quajnë “holokaust kulturor” gjithë intervenimin e ideologjisë së shtetit diktatorial marksist të Enver Hoxhës në kulturën shqiptare. Por, ideologjia marksiste ekonomike e politike është ende e gjallë në forma të ndryshme politike në vende të ndryshme. Ajo gjallon në forma të shartuara me degë të ndryshme, por ende me të njëjtin impuls të rrënjëve: impulsin totalitar. Kjo vërehet në politikën në Kosovë e në Shqipëri. Por, shartimet në impulse totalitare kanë krijuar një “çpifë” qeverisëse të frikshme dhe paradoksale me lloj-lloj veshjeje: populizëm, oligarki, autoritarizëm, kozmopolitanizëm, etnonacionalizëm situacionalist, radikalizëm.
Në politikën e sotme, klasë punëtore është “qytetari” dhe dashuria për lumturinë e tij shprehet përmes politikave intervenuese shtetërore për të rregulluar “mirëqenien” e tij. Zakonisht, theksohet “mirëqenia”, “barazia”, “shteti social”, “taksa progresive” e shumë koncepte të tjera. Këto e shquajnë hemisferën e majtë politike, atë hemisferën që sot me ngazëllim quhet socialdemokraci. Pa dyshim, se këto politika të majta nuk janë më të mirat në secilin rast e vend, por edhe pranohen në kontekst të rotacionit politik. Sepse, politikat e hemisferës tjetër, të qendrës së djathtë, synojnë një shtet rregullator, që intervenon pak, lejon lirinë e tregut, por që mund të bëhet statik dhe mund të prodhojnë stagnime, nëse nuk ka rotacion politik. Pra, të dy anët e oxhakut, thënë në gjuhë popullore, krijojnë devijime dhe probleme që zgjidhen me rotacion politik e përmirësime në secilën hemisferë. E rëndësishme është që liritë individuale e të drejtat themelore të mos cenohen. Qeveritë ndërrohen, por qeveritë nuk duhet të jenë në gjendje të uzurpojnë shtetin, tregun, akademinë e avenytë tjera të jetës. Qeveritë janë timonierë të përkohshëm të anijes së shtetit, që orientohen nga ylli polar: respektimi i kushtetutës së lirisë, për të cilën pati folur gjatë, filozofi F. Hayek.
Por, qeveritë synojnë të bëhen rregullatorë të gjithçkasë në shoqëri. Edhe në Kosovë, sot vërehet një vrull i sojit radikal qeverisës, një vrull që ka impulse totalitare. Në jehun e fjalëve të Russell-it, sot në Kosovë jemi dëshmitarë të impulseve totalitare neomarksiste, që mjet e kanë radikalizmin. Brenda një kohë të shkurtër, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka marrë masa drastike antikushtetuese për kufizimin e të drejtave e lirive themelore të qytetarëve, në emër të kujdesit ndaj tyre në këtë kohë pandemie. Dy herë brenda një kohe njëmujore. Kah vijnë këtu gulçe radikale? Ku burojnë? Si duket, filozofinë prapa vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, filozofinë e Lëvizjes Vetëvendosje, e shquan më shumë urrejtja ndaj politikanëve të tjerë e partive të tjera politike, por kryesisht ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, themeluese të Republikës, se sa dashuria për mirëqenien e shëndetin e qytetarëve të Republikës.
Pikërisht për shkak të atij elementi urrejtës, kjo filozofi e bazuar kryesisht në kritikë e fare pak në përgjegjësi, nuk ka krijuar kulturë politike të lirisë, por shprehi të urrejtjes e zakone të mohit politik. Jemi dëshmitarë të këtyre shprehive e zakoneve me vite me radhë. Të gjitha partitë tjera politike kanë shumë të meta që, siç thotë populli, “kerri nuk ua çon”, por shprehitë e urrejtjes dhe mohit politik, të kamufluara përmes kinse kritikës e propozimit socialdemokrat, i ka kultivuar lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që është sot kryeministër në detyrë. Dëshmitarë të këtyre shprehive të këqija jemi të gjithë, deshëm apo nuk deshëm, sikurse që jemi dëshmitarë të zakoneve nepotiste, korruptive e neglizhuese që hetohen në institucionet shtetërore, që kanë kultivuar partitë tjera politike, të cilat kanë pasur timonin qeveritar deri sot.
Shprehia e urrejtjes dhe zakoni i mohit politik prodhojnë vetëm shkatërrim. Të gjitha këto shprehi e zakone, si ato të urrejtjes dhe mohit politik, si ato nepotiste e korruptive, ushqehen nga mendjet servile dhe synojnë të kultivojnë mendje të reja servile. Mendjen servile e ushqen ndjenja e frikës dhe urrejtjes. Andaj, këto shprehi shuhen vetëm kur mbizotëron kultura politike për lirinë e jo shprehia e urrejtjes e mohit për tjetrin.
(Arsim Canolli është profesor në Departamentin e Antropologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Ai është autor i katër librave nga fusha e antropologjisë së kulturës)