Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmetali Rexhepi: JU QË NUK LULËZONI

ORA SHQIPTARE: Mehmetali Rexhepi

 

 

Ju që nuk lulëzoni

nuk e gjeni dot enigmën e lulëzimit

është diku aty-atje, jashtë dhomave e parmakëve

nën grila e mbi kulmin e shtëpisë

mund të jetë dhe brenda jush

 

*

Pa hirin e urtisë me dorë e kapa atë prush

thoshe më  djeg mua

thuajse djegia e diellit e zjarrit e qiririt

u përkiste pos atyre

atëbotë  ç’u bë ai

asnjë herë diell

asnjë herë zjarr

asnjë herë qiri

asnjë herë thellësi

vetëm syprinë.

 

*

Ato dhe ata që bulëzojnë

të gjithë nuk lulëzojnë

 

*

Më grishni trungje

sa fortë më grishni të modeloj arkitekturën tuaj

ngjyrat që i prapësonin stuhitë

zbardhnin muzgje

përderisa akujt mjeran ngrinin mjerimin tim

mjerimin tënd.

 

*

Ju që nuk lulëzoni

e zgjasni dorën e shpirtit prej akujsh të ngjatjetoni

dhimbja ishte e marrë shterpëruese

me receta të pasionit të një padroni

temperaturat drithëruese

mos me pykë përgjëruese

i fikni me shurrë skuthash.

 

*

Kurorat e trungjeve pa mëri grishin

së paku lutjet në buzë të njoma t`i kishin

t’i shtrihej trinomi  i degëve në ajër

burim-durimi i etjes të mos shpie  në  fata-morganë

 

*

Ju plëng-shkalës të trungjeve  degë-prerë

sikur harruat mijëra rrënjë të shtrira në erë

mijëra rrjeta, mijëra oda, mijëra dyer

gjeniu  i dehur  “virusit Corona”

shtjellat  mbi glob në një shishe t’ia mbyllë

e le të pëlcas kjo mynxyrë.

 

*

Gjeniut të mekur i rrëmben gotën nga dora

pas një  dalldie në mushkëri virusi Kurora

 

*

Esëllti sjellka veçse shpërthimi i rrufesë mbi kokë

vrik e lypin sytë ku është Ai i Madhërishmi Zot.

 

Gjilan, 16 prill 2020.

 

 

 

Please follow and like us: