Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Sot e kam shfletu librin e vjetër

Një ditë vjeshte si kjo

Sot e kam shfletu librin e vjetër
dhe i kam prekë dhimbjet e kohëve,
ata gurë të fortë pikëllimi
që randojnë mbi Dardani;
tokën ku shiu i zi bie pa pushim.
Kam pâ një shall që rri heshtun
pranë sendeve të bukura
që ai pluhuni i zi i ka mbulue.

Kam pâ portretin e Bogdanit
me kryet kah qielli
sikur m’ thoshte:
“Mu kanë m’em zhvarru
dhe qentë kanë m’i hangër eshnat e mi,
por jo idenë teme”.

Sot e kam shfletu librin e vjetër
dhe kam pâ aty hapin e matun të lirisë
si dilte nga shkurra e pikëllimit.
Dhe statujën e mirësisë
ma të nalt se vala e trishtimit.

Kam pâ portrete shkrimtarësh
si dhimbjet në qafën e poeti të mërguem.
Kam pâ edhe hijen e fjalës
si e mposhte trishtimin;
atë shikimin mallëngjyes
që ta këputë shpirtin.

Libri i vjetër
ka shpresa
sa krejt rruzullimi i syve t’mi.

(Ndue Ukaj, nga libri “Gjithmonë diçka mungon”, 2017).

Please follow and like us: