BISLIM AHMETAJ: ATA ISHIN PESË
Në krye të herës ata kishin menduar që i kishte bashkuar me njëri – tjetrin rastësia, por shumë shpejt ishin bindur se asgjë e rastësishme nuk mund të ndodhë në planetin tokë, bile as në univers, lëre më në “botën” e tyre të vogël. Që të pestë kishin fe të ndryshme edhe pse para disa vitesh, as që u kishte interesuar dhe madje ndonjëri prej tyre, as që e kishte ditur se çfarë është besimi fetar dhe feja.
I Pari ishte musliman, I Dyti katolik ortodoks, I Treti katolik roman, I Katërti ishte bektashi dhe I Pesti e luante bythën sa tek ateizmi sa tek Marksizëm-Leninizmi, nga nja herë hiqej si i pa angazhuar, herë-herë bëhej Enverist, por në më të shumtën e kohës ishte një mut- muti që nuk besonte në asgjë bile- bile as në vetën e tij.
Ishin njohur në rrethana të ndryshme dhe jo të gjithë njëherësh, por jeta i kishte bashkuar në kapërcyell të shekullit të ri, në të njëjtin qytet, në një kohë që të pestë e kishin gjetur vetën gafil dhe pa kurrfarë të ardhmje për t’i mbijetuar sistemit që po lindte me dhe pa dashjen e tyre.
I Pari është një ish oficer sigurimi i deklasifikuar, me të dyja duart e këputura poshtë bërrylave. Duart i kishte humbur në një aksion për arrestimin e një personi shumë të kërkuar për veprimtari anti-komuniste, i cili ishte fshehur në një shpellë karstike në malet e larta bash në majë të Republikës. I Pari në këtë aksion kishte rol kyç, ishte shefi i operacionit për kapjen e armikut të popullit ose të gjallë, ose të vdekur. Pasi kishin rrethuar shpellën ai ishte ulur në grykë të guvës që i ngjante një goje ujku të uritur. I sigurtë në arritjen e rezultatit kishte ndezur llullën që rrallë e hiqte nga goja dhe e kishte thithur dy a tri herë duke e tufatur tymin shllunga – shllunga drejt shpellës si me qenë duke zanë shqarra. Pastaj e kishte hequr llullën e tij të madhe nga goja me dorën e tij të majtë dhe me të djathtën ja kishte hequr siguresën granatës të cilën do ta hidhte në shpellë dhe sipas mendjes së tij do ta bënte copa – copa armikun e popullit i cili ishte fshehur diku në labirinthet e guvës karstike që veç goja i dukej. Aksidentalisht oficeri i sigurimit kishte ngatërruar duart dhe në shpellë kishte hedhur llullën që e mbante në dorën e majtë, ndërsa granata e kishte dhënë plotësisht rezultatin. Armiku i popullit ja kish dalë të arratisej ndërsa, I Pari, oficeri i sigurimit të shtetit kishte humbur dy duart dhe njërin sy, gjithashtu fytyra e tij pas asaj dite tragjike ngjante me një kapak pusete të ndryshkur.
I Pari pas këtij aksidenti tragjik përveç duarve dhe njërit sy humbi punën dhe në të njëjtën kohë edhe besimin e partisë dhe të shtetit.
I Dyti ishte një klerik i përvuajtur ortodoks i cili kishte qënë i rekrutuar në rininë e tij të hershme nga I Pari, si bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit. Rekrutimin e kishte pranuar pa ndonjë presion të madh me idenë që është duke bashkëpunuar për forcimin e shtetit në mënyrë që “Shqipëria të ishte shkëmb graniti buzë Adriatikut”, shprehje të cilën e kishte lexuar në gazetën që fliste në emër të popullit. Por, kur i kishin kërkuar informata dhe bashkëpunime të ndryshme në plotësim të misionit si bashkëpunëtor i armës së sigurimit të shtetit kishte pësuar një zhgënjim depresues. Dhe në arsyetimin e tij gjysmak me të drejtë të plotë, pasi asnë prej informatave apo shërbimeve që i kërkoheshin nga I Pari nuk shkonin në interes të forcimit të Atdheut. Përkundrazi, ato e zvogëlonin Atdheun dhe e reduktonin njeriun e tij në një mi kanalesh. Që aso kohe I Dyti u betua para vetes dhe Zotit të cilin nuk ja njihte më as qeveria e tij me kushtetutë, se nuk do t’i bëntë askujt keq me shërbimet dhe informacionet që i kërkoheshin nga I Pari edhe sikur t’ja sharronin kockat. Dhe veç kësaj, do ta urrente në heshtje dhe fshehtësi të plotë regjimin që po forcohej përditë në dëm të qytetarëve të tij.
I Treti të cilin e cekëm qysh në fillim që i përkiste besimit Kristian, por ndryshe nga I Dyti, ky i besonte Kishës së Romës dhe jo asaj të Kostandinopojës ishte një burrë i gjatë dhe i hollë sa një ah. Edhe pse 20 vitet e burgut nëpër kampet e tmerrshme të Atdheut kishin lënë gjyrmë të zëshme në shëndetin e tij. I Treti kishte një kollë të thatë që kur e zinte, zorrë dhe mushkëri i ngjiteshin në krye. Fatkeqësisht kolla ishte e shpeshtë dhe ritmike. Në spital i kishin thënë që është kollë alergjike e pashërueshme, I Treti ishte pajtuar me arsyetimin e doktorëve edhe pse kishte dyshime të arsyeshme që nuk ishte e vertetë. Burgun I Treti e kishte ba për politikë, por ai asnjëherë s’qe fort i bindur se cfarë politike kishte ba. Atij thjeshtë i ishte dukur që drejtuesit e ri të katundit po ja fusnin kotnasikoti dhe po ju binin në qafë njerëzve pa kurrfarë arsyeje. Që kjo ishte politikë e mësoj pasi i bani 20 vite burg në kampet ma të tmerrshme të Atdheut. Kur doli prej tij autoritetet e burgut ja dhanë një letër ku shkruhej që për 5 vite do të ishte i detyruar të jetonte dhe banonte si i internuar në Qytetin Stalin, një qytezë naftëtarësh diku poshtë gjysmës së Atdheut. Para se të nisej për në qytezën e naftëtarëve që mbante emrin e Stalinit u gjetë i ulur në një kafe me 30 lekë të vjetra në xhep para një gote ferneti dhe një kafje të zezë që i ngjanin si dy pika uji jetës së tij, ai, I Treti ishte betuar para vetës dhe Zotit njëlloj si I Dyti, por në sens të kundërt me të, që nuk do të merrej më me politikë dhe nuk do të kthehej më në Dukagjin prej nga e kishte fituar denimin prej 25 vitesh, 20 prej të cilave i kishte krye kokërr për kokërr. Duke qënë njeri pa njëri, të vetmit miq kishte klerikun e degraduar, dhe ish oficerin e sigurimit, invalidin që përveç që kishte humbur duart, njërin sy, fytyrën, punën kishte humbur siç e përmenda në krye të herës edhe besimin e partisë dhe të pushtetit dhe që aso kohe njëlloj si I Dyti edhe I Treti ishte betuar para vetës dhe Zotit që s’do ta rruante ma as për partinë, as për pushtetin.
I Katërti kishte qënë oficer ushtrie, i profilit artilier. Kishte mbaruar shkollën me të gjitha notat 10-ta edhe pse pa asnjë dëshire. Pasi në shkollën e oficerëve kishte përfunduar për tekat e kohës, meqënëse e motra e tij një vit më parë kishte fituar një të drejtë studimi për mjekësi, të vëllanë e kishin çuar për ushtri. Logjikë leshi kishte menduar I Katërti aso kohe, por megjithatë ju kishte futur mësimeve dhe ushtrimeve fizike si një spartan i vërtetë, me parimin “Ku të ketë nevojë Atdheu, aty do t’i përgjigjemi”. Sapo kishte mbaruar Shkollën e Lartë të Oficerëve e kishin emëruar në Repartin Ushtarak Nr. 9200 në veri të vendit në Malin e Dobreit, tridhjetë kilometra në lindje të Qytetit të Bajram Currit, ku ishte e vendosur një bazë ushtarake kundërajrore me topa Obuz, thuhej që kishte edhe raketa “tokë-ajër”, por kjo u vërtetua që ishte një rrenë me bisht vetëm në vitin 1997, kohë kur njerëzit e tërbuar i morën topat, tanket, mitralozët, kallashët, granatat dhe bombat nga depot dhe i çuan nëpër shtëpitë e tyre. I Katërti shumë shpejt ra në depresion, rezultatet e tij të larta në shkollë kishin shkuar për lesh. Një herë në muaj mund të vinte deri në qytezën e vogël ku pinte fernet deri sa dehej e bëhej bythë nëpër lokalet e ftohta të qytezës. Për pak kohë u lidh me njërën prej kamariereve të Hotel Turizmit. Kjo lidhje ja ndryshoj krejt rrjedhën e jetës, por fatkeqësisht për keq. Pasi një natë u gjetë i rrahur për vdekje në mes të fushës së basketbollit në Stadiumin e Lojërave me Dorë të qytetit verior. Policia lokale mbylli njërin sy dhe ja la fajin rakisë, por gjithë qyteza e vogël e dinte që oficerin e Repartit Nr. 9200 të Dobreit e kishte rrahur i forti i qytetit, i cili ishte dashnori legal i kamarieres së turizmit. I forti i qytetit këtë mund ta bënte me këdo pasi ai thuhej se ishte mik me kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme. Aq shumë e kishte rrahur sa I Katërti u betua para vetës dhe Zotit se nuk do t’i shkonte mendja për pidh kurrë më në jetën e tij. Aty për aty I Katërti mendoj dhe vendosi, për byth as të rrah, as të denoncon kush, u vjen marre shqiptarëve me thanë më ka qi në bythë filani. Me këtë logjikë ai bëri betimin që këtu e mbrapa do të bëhej homoseksual aktiv. Por I Katërti nuk u ndal me kaq në betimin e tij para vetës dhe Zotit. Ai vendosi që në mënyrë të fshehtë do t’i futej me zell, fesë së Bektashijve, kishte lexuar diku tërthorazi që oficerët jeniçer, trupat elitë të osmanllinjëve ishin të parët që u rekrutuan në këtë fe dhe ju përveshën punës për zhbërjen e Perandorisë Osmane. Pse të mos hakmerrej edhe I Katërti ndaj Perendorisë Komuniste që po ja nxinte jetën pa asnjë arsye, pa asnjë të drejtë, pa asnjë faj. Këto vendime I Katërti i mori në spitalin e qytetit. Ai u pajtua me raportin e policisë sipas së cilës, qe rrëzuar nga telat e Stadiumit të Lojrave me Dore dhe ishte rrokullisur deri poshtë në fushë, pasi sasia e alkoolit që kishte konsumuar ja kishte humbur ekulibrin dhe mendjen.
S’mbet kush pa e marrë vesh se çka i kishte ndodhur oficerit të Repartit Nr. 9200 të Dobreit, aq sa edhe ajo mut qyteze që shërbeu për pak kohë si ishull qetësie ju ba verem. Pas vendimit për t’u ba homoseksual aktiv dhe bektashi pasionant, I Katërti filloj të ndërtonte edhe strategjinë e realizimit të vendimeve të tij. Për të parën e kishte të lehtë, 200 ushtarë rekrutë që shkëmbeheshin çdo dy vite në moshën nga tetëmbëdhjetë deri në njëzet apo njëzet e dy vjeç ishin një harem i hareshëm për realizimin e planeve dhe zotimeve të tij. Rekrutët ishin nga të gjitha trevat e Atdheut, për dhjetë ditë leje kush nuk ta lëshonte bythën në atë birë dreqi ku ju duhet të kalonin 24 muajt e rinisë së tyre të parë – mendonte I Katërti. Vendimi i dytë ishte delikat dhe me rrisk, feja ndalohej me ligj, institucionet e fesë mungonin ose ishin shkatërruar me rranjë, literatura gjithashtu mungonte. Por një dritë, ndoshta drita e Zotit u shfaq në mendjen oficerit të Repartit Nr.9200. Gjakova qyteti ku feja e bektashijve dhe homoseksualizmi bashkëjetonin në mënyrën më harmonike të mundëshme këtu e pesëqind vjet ishte porta ku mund ta takonte fenë e tij të re. Kush e ndalonte oficerin e Repartit Nr. 9200 të Dobreit të kalonte kufirin dhe të shkonte në Teqen më të vjetër dhe më të madhe të Rumelisë, në Teqen Saadi Tarikat-it që ishte jo më shumë se 20 kilometra larg repartit të tij , apo ma afër akoma në teqene Sheh Emin-it, Sheh Ban-it, Sheh Danjoll-it apo edhe në Teqen e Sheh Ali Babës. Askush, bile ai mund ta merrte edhe armën e shërbimit me vete, për çdo të papritur, po pse jo, I Katërti mund të rekrutonte edhe ndonjë ushtar-dylber e ta merrte me vete jo vetëm për muhabete rruge, por edhe për siguri. Plani ju duk perfekt dhe sapo u çlirua nga dhimbjet e të rrahurës, u ngjit plot energji në repart ku filloj përzgjedhjen e kuçkave të tij. Dy vite pasi kishte ba kërdinë në repart dhe e kishte shkelë kufirin nja njëzet apo tridhjetë herë për të vizituar Teqet e Gjakovës, një njësit i policisë kufitare i bëri thirrje të ndalonte dhe të kthehej përndryshe do të qëllonin, I Katërti bashkë më një ushtar-dylber kishte kaluar në kufirin e Jugosllavisë së atëhershme. Ai nuk ju bind urdhrit të ushtarëve të kufirit dhe për pasojë tri breshëri kallashnikovi u derdhën mbi trupin e tij dhe të ushtarit-dylber. Njësiti u fut në tokën e huaj dhe i tërhoqi dy trupat e mbuluar me gjak. Ushtari-dylber vdiq në vend, oficeri i Repartit Nr. 9200 të bazës kundër ajrore të Dobreit kishte marrë gjashtë plumba në bark dhe dy a tre në bythë. Koqet dhe organi gjenital i kishin shpëtuar për mrekulli. Incidenti mes shteteve u zgjidh pa bujë dhe me kompromis, siç kishte ndodhur gjithmone në favor të palës tonë. Jugosllavët pranuan që incidenti me armë kishtë ndodhur në tokën tonë dhe kishte qenë një rebelim i çastit midis forcave të ushtrisë me ato të kufirit. Tanët pranuan rebelimin mes reparteve të mbrojtjes dhe kufirit dhe ata pranuan që nuk ka ndodhur në tokën e tyre. Kaq.
Ky fakt i deklaruar në një procesverbal e ndihmoi oficerin i cili do të dënohej jo për tentativë arratisje dhe tradhti të lartë ndaj Atdheut, por për shkelje të disiplinës dhe rregulloreve ushtarake, siç do të dënoheshin edhe tre ushtarët e njësitit që zbatoi rregulloren. Ndërsa ushtari-dylber u varros me nderime si i rënë në krye të detyrës në fshatin e tij të lindjes që shtrihej pak kilometra nga Shkami i Kavajës. I Katërti pas dy vitesh burg ordiner u kthye në vendlindje në qytetin që s’donte dhe nuk guxonte t’ja shqiptonte kurrë emrin e ri që i kishin vënë ata që ja përzien jetën. Betimeve që kishte marrë para vetës dhe Zotit në momentin që kishte hequr përjetësisht dorë nga femrat, ju kishte mbetur besnik, gjithashtu donte me gjithë shpirt ta rrëzonte Perendorinë Komuniste. Për të treguar besnikërinë ndaj vendimit të parë herë pas herë në turnin e tretë në rafinerinë e përpunimit të naftës ja valonte bythën ndonjë hallexhiu të ardhur nga fshatrat mbi dhe poshtë Shkumbinit. I Katërti kishte një respekt apsolut për Të Tretin, për vuajtjen e tij, për personalitetin e tij të spikatur, për gjithcka të tij. Por kur i kujtohej ajo rrahja e llahtarshme nga gangsteri ma i madh i qytetit verior vetëm për një kurvë që e kishte qi gjysma e qytetit jo vetëm që nuk e adhuronte, por i mbushej mendja ta vriste në shenjë hakmarrje. Ndoshta ishte trupi i tij sa një ah që ja ngjallte këtë ndjesi të egër hakmarrjeje. I Katërti asnjëherë s’ishte i sigurtë nëse e urrente apo e adhuronte Të Tretin.
I Pesti s’është as më pak as më shumë seç ju kam thënë në prezantimin e këtij rrëfimi të titulluar “Ata ishin pesë”. I Pesti nuk mund të them që është i shëmtuar, por kurrsesi s’guxoj të pohoj që është i pashëm. Ai e ka të vështirë ta kujtoj emrin e gjyshit të tij nga baba apo nga e ëma. Nuk është as mesatar, as i madh dhe as i vogël, është pak a shumë as mish, as peshk, as kërmill, as bretkocë. Pas shkollës së mesme bujqësore kishte punuar për disa kohë brigadier foragjeresh në një Koperativë të Tipit të Lartë në Myzeqe ku i kishte dalë zani si kurvar profesionist. Servil me eprorët, arrogant e diktator me vartësit ia kishte arritur t’u hynte në qejf drejtuesve të koperativës, të cilëve ju çonte zogëza të reja për t’i shkokluar. Barkmëdhejtë e partisë dhe të pushtetit deri në qendër të qytetit të bukës ishin të kënaqur me shërbimet që ju afronte I Pesti. Aq i kishte lezetuar sa e kishin çuar në një kurs 6 mujor kulture që përgatiste kuadro për drejtimin e qendrave kulturore. Ishte koha e miqësisë shqiptaro-kineze dhe Revolucioni Kulturor Kinez ishte ba motoja e zhvillimit të vendit. Thonë që Mao i kishte thënë Enverit në vesh: Nëqoftëse doni ndihma ekonomike merreni edhe shkollën tonë të kulturës. Dhe ky i joni njëlloj si Titos, Stalinit, Kryshovit i kishte thënë “po” me të parën edhe Mao Ce Dunit. Kjo “PO-ja” u përkthye në një parullë kombëtare “Enver Hoxha, Mao Ce Duni janë bukë të një brumi”. Në kuadër të këtij entuziazmi I Pesti erdhi në kursin për “drejtues kulture” të kësaj shkolle “Made in China” e cila ishte i vendosur në rrëzë të Kombinatit Ushqimor “Ali Kelmendi”, lagjja hyrëse në kofshën e majtë të Kryeqytetit. Aty I Pesti ra në dashuri për herë të parë në jetën e tij, aty ai zgjodhi edhe gruan e jetës, që do të ishte edhe tersi i jetës së tij. Vajza me të cilën ra në dashuri I Pesti ishte perri nga pamja, por edhe qejfleshë sa s’bahet, njëlloj si I Pesti. Dy javë pasi mbaruan kursin për “drejtues kulture” I Pesti dhe e dashura e tij u martuan. Në dasëm ishin të ftuar të gjithë drejtuesit e partisë dhe të pushtetit jo vetëm të koperativës ku jetonte I Pesti por edhe të “qytetit të bukës”, në zemër të Myzeqesë. Nusja shkëlqeu, të nesërmen e dasmës, që të dy morën emërime si drejtues ”Vatrash Kulturore” në dy qendra Kooperativash të Tipit të Lartë.
I Pesti kishte hequr dorë përfundimisht nga kurvëria, por nuk kishte ndodhur e njëjta gjë me të shoqen e tij të bukur. Një ditë pranvere I Pesti shkoi ta marrë gruan e tij në punë dhe në zyrën e saj e gjeti atë lakuriq poshtë Sekretarit të Partisë së Kooperativës së Tipit të Lartë ku ajo ishte Drejtoreshë e “Vatrës së kulturës”. U kacafyt me të dhe e ndoqi deri tek dritarja e hapur, duke u shtyrë me njëri – tjetrin Sekretari i Partisë u rrokullis e ra nga kati i dytë drejt e me maje të kaptinës mbi betonin e oborrit të “Vatres së Kulturës”, ku mbeti i vdekur në vend krejtësisht cullak. Dy vija gjaku të errëta e nisnin rrjedhën prej kokës së shëmbur, vijonin përreth trupit, pastaj përbironin poshtë kofshëve të varura dhe ishin bashkuar në një pellg të vogël bash aty ku gjendej i varur karuci bajagi i majmë edhe pse tashmë jo vetëm i ulur, por edhe i dekun, i Sekretarit të Partisë. I Pesti dhe gruaja e tij e cila ishte gjithashtu lakuriq, me ftyra të çartura e të lemerisur kishin mbetur të varur në dritare. Në të njëjtën kohë dy – treqind punonjës të Kooperativës së Tipit të Lartë kishin mbërritur në oborrin e “Vatrës së Kulturës” dhe kishin krijuar një ovale me krena që i ngjante një skene horror të ndonjë filmi muzikal të Amerikës së viteve 30. Me këtë zhvillim “Revolucioni kulturor kinez” e kishte dhënë maksimumin e vet. Këtu mori fund lavdia akoma e pa shfaqur e Të Pestit. Ai nuk u betua askund, as para vetës, as para Zotit, sepse s’kishte forcë karakteri të betohej për asgjë veçse e mallkoj karucin e tij që i kishte dhanë atë lavdi të përkohëshme. Ishte po ai karuc që ja kishte ndalë dritën dhe lavdinë për gjithmonë. I turpëruar dhe i mallkuar, u arratis nga fshati dhe u sistemua në qytetin e naftëtarëve që kishte marrë emrin e diktatorit Stalin.
I Pesti njihej me Të Katërtin sepse ndanin të njëjtin hotel beqarësh në Qytetin Stalin, siç edhe I Katërti me Të Tretin, po ashtu edhe I Treti me Të Dytin dhe I Dyti me Të Parin. Fatet e tyre mizore, tragjike, të liga, heroike, preverse i kishin bashkuar në atë qytet me nëntokë të bekuar që kishte marrë emrin e perbindëshit Siberian.
Tiranë 2019
ObserverKult