Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Margarita Kola:  Dritëhijet e kufizimit të të drejtave në situatë pandemie

Margarita Kola: Përtej asaj që thuhet dhe duket... - Albspirit

Dr. Av. Margarita Kola, Juriste e të Drejtës Ndërkombëtare

 

Për një marrëveshje fjale në funksion të qëndrimit

 

Çdo situatë jo e zakonshme provokon debat dhe debati pjell idetë e veta të cilat projektojnë zgjidhje.

Një prej tematikave të debatit të këtyre ditëve në mediat shqiptare, por jo vetëm ka qenë dhe ai që lidhet me masat e marra për manaxhimin e situatës pandemike tek ne dhe në botë. Përgjithësisht qëndrimet vërtiten rreth mbështetjes ose kundërshtimit të këtyre masave me karakter kufizues të drejtash.

Mjaft miq të mi më kanë drejtuar pyetje në lidhje me opinionin tim mbi këtë çështje në aspektin se si qëndron raporti midis shtrëngimit dhe nevojës tek ne dhe në detyrim nga ana ime për një përgjigje të shtjelluar (ndryshe nga ndonjë opinion statik i dhënë në median vizive nën presionin e kohës dhe zakonit të konsoliduar të ndërprerjes së mendimit të sapofësit) po parashtroj opinionin tim të shtjelluar.

Së pari, unë çmoj të sqaroj se bëj pjesë në grupin e individëve që mendojnë se patjetër kjo situatë pandemike sugjeron marrjen e disa masave të cilat në kohë normale nëse aplikoheshin do na dukeshin jo normale. Në këtë kuptim unë nuk i përkas grupit që kanë guxuar të mbrojnë tezën se Covid-19 ka krijuar një situatë që as më shumë dhe as më pak është e njëjtë me një virus gripal të zakonshëm dhe kësisoj nuk ka nevojë për masa kufizuese të një natyre të veçantë. Kjo situatë natyrisht që ka pasur nevojë për marrjen e masave kufizuese, aq më tepër që situata kishte shtrirje globale.

Së dyti, unë ndaj bindjen se që një masë kufizuese të jetë efikase ose të konsiderohet e duhura ajo duhet të jetë e zbatueshme. Por zbatueshmëria si çdo veprim tjetër njerëzor ngërthen subjektivitet dhe si e tillë kjo zbatueshmëri ka të gjitha gjasat të bëhet e lehtë jo nga detyrimi, por nga vullneti dhe vetë bindja e individit për të mbrojtur shëndetin e tij. Thënë këtë, mbështes idenë se nëse qytetarët nuk do të ishin dirigjuar rreptë të qëndronin gjithë kohës të mbyllur dhe të ndëshkoheshin akoma më rreptë për thyerje të masës, por do të kishin kufizime të moderuara do te zhvillonin më tepër sensin e përgjegjësisë dhe të besimit se respektimi i masave është mënyra efikase për të vazhduar normalitetin. Kjo ruante vreshtin sipas filozofisë popullore që llogjika të nuhaste se nëse nuk zbatohen masat na pret më e keqja, pra kufizimi total. Servirja e “më ekstremes” si mundësia e vetme çmobilizon makinerinë mbrojtëse të mendjes njerëzore dhe nuk i lë asnjë motiv për më tej.

Së treti dhe që është më e rëndësishmja për mendimin tim është sqarimi i momentit se nëse është e mundur që në një situatë emergjence shëndetësore mund të funksionojë dot shteti i së drejtës apo jo? Shumë miq, shokë dhe kolegë, megjithëse ndajnë mendimin ashtu si edhe unë që masat e ndërmarra kanë qenë jo në proporcion me nevojën ndryshe nga unë mendojnë se kjo ka ndodhur se në një situatë të tillë është e vështirë të ruash proporcionalitetin dhe se shteti i së drejtës e ka të vështirë të funksionojë në një situatë të tillë emergjence.

a) Koncepti i proporcionit është një koncept që në doktrinën juridike ka zënë vendin e merituar, por ky koncept i aplikuar më gjerë ka të bëj në terma të thjeshtë me faktin se sa ajo që jep ose të marrin (e drejtë, detyrim etj) në këmbim është në përpjestim me atë që ti ke gjasa ta marrësh ose të ta japin në një lloj të drejte ose detyrimi tjetër. Për shembull, përse u ndalua lëvizja me makina edhe kur vetëm shoferi ishte në makinë kur kjo lëvizje nuk krijonte kontakt social dhe si rrjedhim jo rrezik të drejtpërdrejtë për përhapje?! A ishte i përpjesshëm ky kufizim kur nga heqja dorë prej saj nuk dihej nëse vinte ndonjë e mirë në kufizimin e rrezikut të përhapjes së virusit?! Për mua kjo masë ishte shumë kufizuese dhe e panevojshme për aq kohë sa thelbi i kufizimit ishte distancimi social. Çfarë kontakti social krijon një shofer që udhëton me makinën e tij pa asnjë pasagjer me vete kur si gjithë të tjerët mund t’i kërkohej të mbante maskë dhe dorashka me vehte.

Por le t’i kthehemi pyetjes që ka marrë më pak përgjigje se çdo pyetje tjetër në këtë situatë: A mund të funksionojë dot shteti i së drejtës në këtë situate pandemie dhe si?

b) Shteti i së drejtës dhe gjendja e jashtëzakonshme (qoftë kjo dhe pandemi) nuk janë përjashtues të njeri- tjetrit. Është pikërisht shteti i së drejtës që nëpërmjet kushtetutës parashikon rregullat, mënyrën, se si, kur dhe për sa kohë shpallet gjendja e jashtëzakonshme, segment i së cilës është edhe gjendja e fatkeqësisë natyrore. Pra shteti i së drejtës jo që nuk përjashton, por garanton rregullat themelore të sjelljes ndaj së drejtës në situata të jashtëzakonshme fatkeqësish. Është vetë shteti i së drejtës “burimi” dhe jo e kundërta që do orientoj çdo masë, vendim dhe sjellje institucionale në një situatë të jashtëzakonshme. Pra, është jo vetëm plotësisht e mundur që në situata të jashtëzakonshme (përfshirë dhe pandeminë Covid-19) të kemi funksionim të shtetit të së drejtës, por, përtej kësaj, kthehet në domosdoshmëri jetike operimi brenda kornizës së shtetit të së drejtës sepse në situata të tilla rreziku i shkarjes në autokraci ndez dritën e kuqe. Ndërsa ky fakt ka vlerë përshkruese për shumë vende në botë për vende si Shqipëria fakti në fjalë ka vlerën e “vigjilencës” ndaj të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe rrezikut të mundshëm “të shqyerjes së tyre” edhe prej ligjeve që mund të mos jenë të drejta.

Besnikërisht, siç premtova që në titullin e këtij shkrimi pas shtjellimit të qëndrimit tim në lidhje me disa pyetje që kanë ngritur debatin mbi masat kufizuese dhe legjitimitetin e tyre në situatën Covid-19, marrëveshja e fjalës merr vlerën e saj të vërtetë pikërisht në këtë moment të shtjellimit për të kuptuar më mirë qëndrimin e shprehur mësipër.

“Shteti ligjor jo gjithmonë është shtet i së drejtës por shteti i së drejtës është gjithmonë shtet ligjor. Të funksionosh në një shtet të së drejtës nuk mjafton të nxjerrësh ligje dhe akte normative qoftë edhe kur ato votohen nëpërmjet një procedure kushtetuese, por do të thotë që ligji i nxjerr të jetë mishërues i së drejtës. Pra pyetja që shtrohet në një shtet të së drejtës është a është ligji i nxjerrë garantues i së drejtës? Shtet i së drejtës nuk do të thotë që përherë ke të drejtë por ligji duhet të buroj nga e drejta dhe kur ligji buron nga e drejta sipas këtij ligji vijnë edhe detyrimet nga zbatimi i të cilave garantohet gëzimi i të drejtave. Shteti i së drejtës si çdo shtet tjetër nuk funksionon as në fragmente, por as në segmente kohore”.

Nga kjo marrëveshje fjale buron qëndrimi im përgjithësues se në një situatë pandemie askush nga qeverisësit nuk do kishte guximin të mos merrte masa kufizuese, por çfarë ka bërë dallimin ka qenë përgjigjshmëria ndaj pyetjes çfarë masash mund të jenë më të nevojshmet dhe të duhurat në përligjje të situatës së ndodhur.

28 Prill 2020.

Please follow and like us: