Geldian Stroni: OLYMPUS HAS FALLEN
Ese
Ra Olimpi. E shembën.
Toka dhe qielli u bënë një, mbështjellë nën perçe pluhuri. Dhe përbri tij, të pafytyrë, edhe symbuluar ngritën gardhe, hendeqe, hone, barrikada. I ngritën të pabesët e fshehur në barqe kuajsh për të heshtur mortin, per te ndalur kujën.
Olimpi ra, është shembur. Porse vaji, klithma, kuja, ulërima, tërhiqen zvarrë si njëherë mot’motit Hektori qark mureve të Trojës. Ju përplasin fyryrat dardanëve por s’ka më Hyjni t’i mbështjellë e mbrojë nën prazmore floriri. Nën gërmadha Hyjtë rënkojnë.
Olimpi dergjet i shembur, i pazë, i pafrymë. Heronjtë dardanë tërhiqen zvarrë, kurse bedenat janë zbrazur.
Ku janë gratë shamizeza që çjerrin me thonj faqet?! Jo or mik, jo. Mos i kërko ndër bedena. S’ka kohë, s’ka lot. Ato janë derdhur poshtë në fushëbetejë. Do ngjallin Hyjtë. Do ngrenë Olimpin.
Ra Olimpi. E shembën.
E nën gërmadha rënkojnë të pavdekshmit, Hyjtë.
“Ishte i vogël” – thonë; – “nuk i mbante dot brenda dhe Hyjtë e rinj” – thonë ca të tjerë; – “e për këta te ‘rinjtë’ do ndërtohen piramida fluturake betoni”.
Po. Ishte. I vogël ishte, por i madhërishëm sa vetë Perënditë që mbante brenda, të pakta nga numri por buçitës, oshëtues, gurgullues, shushuritës. Po or po, i vogël por drithërues aq sa të tmerron kur bërrylat kullojnë gjak. I vogël por madhështor.
Olimpi dergjet rrëzuar.
Rreth një hendek i thellë barbarie.
Përballë… gra, burra, frymorë me gjak e shpirt që s’janë në zi pse nuk ka mort, pse Perënditë nuk vdesin edhe kur dhunohen, edhe kur i përdhos pabesia.
Olimpi im ra, por nuk ka vdekur pse Perënditë e tij nuk vdesin kurrë.
Aktor, Montreal, Kanada