Cikël poetik nga Mimoza Erebara
Mimoza Erebara
KORRUPSION
Dha e mori
E dha e mori
Prej mijëra vitesh
Me këtë njerëzim primitiv
Nuk ia doli.
E,
në fund,
Zoti,
hapi kazino për engjëjt.
Dhoma të ndyra
Vasale të përunjura
Të pisllëkut,
gjakrave,
mizave,
maceve e qenve fodullë
dhoma të mbushura
me shtrete-skelete
po aq të ndyrë
mbi shtrete-skelete
kocka të leckosura,
irnosura,
në rradhën e gjatë
ku jeta përpëlitet
dhunshëm,
trishtueshëm,
ndër duar xhahili
të mbushura me gjak,
të mbushura me para
që rrjedhin,
si gjaku i pakët,
i zbërdhylët,
prej trupit të mpakttë
prej trupit të drobitur.
Dielli,
kur ndriçon
ndriçon për të gjithë
dhe kurrë nuk e di
kë përkëdhel
si sot,
që në prapanicën e një qeni
rrezja i mbeti!…
04.11.2008.
…edhe kallami lulëzon
…në kënetë…
Pshurrin kafshët
Dhe territorin caktojnë,
Presidentët
Me gotat e uiskit në duar
Kufijtë ndajnë,
Fatet e kombeve,
Globit vetë.
EKUINOKS
Kur,
Universi cakton kufijtë e Ekzistencës,
Dhe,
Ekzistenca i cakton kufij Vetvetes,
Aty, unë sillem, pa e gjetur
Kufirin tim
Kësaj vije torturuese në mendje!