Stelina Dushi: Të drejtat e të dënuarve në burgjet shqiptare
Stelina Dushi
Personat që kanë kryer një veper penale apo një krim kanë një sërë të drejtash nga të cilat nuk duhet të privohen apo t’u cënohen në rastet kur ata ndëshkohen për veprën që kanë kryer në instucionet e ekzekutimit të veprës penale. Nga ky term i përmendur më lart, na lind nevoja rrjedhimisht të shpjegojmë se për çfarë shërbejnë këto institucione. Roli i tyre është shumë i rëndësishëm në shoqëri sepse ne e shikojmë këtë si garanci apo siguri për të cilën ata që kanë kryer veprat penale do dënohen dhe do kenë mundësinë e rehabilitimit apo shërimit në mënyrë që pas vuajtjes, të kthehen në kominitetin jashtë pa asnjë rrezik që do kryejnë sërisht vepra të ndaluara e të dënueshme nga legjislacioni penal.
Shumë mund të mendojnë që këta persona nuk meritojnë asnjë të drejtë dhe asgjë për shkak të krimit të kryer. Është e vërtetë që kanë kryer një gabim, madje do thoja një gabim madhor po dhe këta persona janë bërë kriminelë në bazë të disa faktorëve që kanë ndikuar në ta. Mund të ketë ndodhur nga një tronditje psiqike të çastit që secili nga ne mund të bie ‘pre’ e saj. A nuk meritojnë dhe këta të shërohen? Jo vetëm kaq, po në bazë të këtyre të drejtave, u mundësohet rehabilitimi dhe kjo është dhe në favorin e të gjithë neve sepse një ditë, ai person do të dal dhe rehabilitimi do ndihmoj që kur të vijë ky moment, ne mos të ndihemi më të rrezikuar dhe të pasigurt. Si rrjedhojë e këtij shpjegimi duhet sqaruar se cilat janë kushtet standarte minimale për jetesë të një të dënuari apo një të pandehuri.
Cilat janë këto kushte? Në interpretimin tim më kryesoret që mund të përmend, pasi janë shumë kushte minimale që këta persona duhen të kenë, jane: ushqimi, një mjedis ku ata të kenë shtratin e tyre, kushtet për ajrim dhe ndriçim, si për ndriçimin artificial dhe atë natyror. Ne nuk mund t’i trajtojmë në kushte mizore apo t’i trajtojmë në mënyre çnjerëzore apo poshtëruese, pasi kjo është e ndaluar nga legjislacioni ynë dhe nga çdo koventë ndërkombëtare ku mbrohen të drejtat e njeriut, më kryesore si Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Le t’i marrim me rradhë. Si fillim, i dënuari pasi ka dal vendimi për dënimin e tij, duhet të paraqitet me dokumenta shoqëruese. Jo vetëm kaq, por ai duhet të kontrollohet dhe se si qëndron shëndeti i tij në mënyrë që t’i shmangim sëmundjet infektive ngjitëse midis të burgosurve apo dhe vetvrasjeve të mundshme. Duhen të kontrollohen për çdo shenjë të keqtrajtimeve fizike apo plagëve që mund të kenë e të merret dhe shpjegimi i të dënurit pse dhe nga se janë shkaktuar këto plagë. Mjeku duhet t’i vizitojë dhe të japë ekspertizën e tij.
Secili prej tyre ka të drejtën të kontrollohen se sa të shendetshëm janë. Ne nuk mund t’i lejmë të sëmuren sepse dhe ata shkaktuan një krim në shëndetin e dikujt tjetër. Jo, detyra e këtyre institucioneve është trajtimi i tyre në mënyrë njerëzore. Të paraburgosurit dhe të dënuarit duhen të trajtohen me dinjitet dhe duke respektuar të drejtat njerëzore të tyre. Të dënuarit duhet te trajtohen pa njëanshmëri dhe pa diskriminim mbi bazë gjinie, race, ngjyre, përkatësie etnike, gjuhe, feje, bindjeje politike, fetare ose filozofike, orientimi seksual, identiteti gjinor, gjendjeje ekonomike, arsimore ose shoqërore, përkatësie prindërore, moshe, gjendjeje familjare ose martesore, gjendjeje shëndetësore, aftësie të kufizuar, shtetësie ose përkatësie në një grup të caktuar ose për çdo shkak tjetër që përbën diskriminim.
Të miturit e paraburgosur dhe të dënuar trajtohen duke respektuar liritë dhe të drejtat themelore të tyre. Trajtimi mbështetet në interesin më të lartë të fëmijës, të integrimit shoqëror, edukimit dhe parandalimit të rifutjes në krim. Dhe gratë e dënuara kanë të drejtat që përmenda më lart. Ato e vuajnë dënimin në institucione të veçanta për gratë. Unë do thoja që gratë duhet të kenë disa mundësi me shumë, sidomos dhe për të folur me familjen e tyre pasi shumë prej tyre janë nëna dhe kane nevojën natyrore që të komunikojnë me fëmijët e tyre. Kjo nuk ka lidhje me barazinë gjinore, por me faktin se të gjithë e pranojmë që femra nga vetë natyra është e lidhur gjithmonë më ngushtë me fëmijën.
Disa prej tyre mund të perfundojnë në burg dhe për krim ndaj bashkëshortit. Si natyrë gratë janë të duruara shumë, normal që nuk i përfshij të gjitha po shumë prej tyre bien pre e dhunës së përhershme të burrave të tyre dhe kjo mund të çoj në turbullim të arsyes dhe të shkaktimit të krimit. Këto individe kanë qenë të dhunuara për shumë kohë, madje jo vetëm fizikisht por dhe psikologjikisht, ndaj dhe kanë zgjedhur rrugën e gabuar për të shpëtuar nga këta dhunues.
Të gjithë të dënuarit duhet të kenë të drejtat bazë minimimale e ndër to mund të përmenden: mjediset për argëtim dhe çlodhje, të kenë te drejtën e punës, të kenë një bibliotekë ku mund të marrin e të lexojë libra të ndryshëm e jo vetëm kaq. Ata kanë të drejtën të komunikojnë me përfaqesuesin dhe mbrojtësin e tyre ligjor në mënyrë konfidenciale pa asnjë tjetër në prani të tyre, pra të mund të komunikojnë lirisht, kanë dhe të drejtat e kominikimit telefonik, me anë të një mbikëqyrësi afër tyre, nëse nuk kanë mundësi atyre iu sigurohet nga institucioni një telefonate çdo muaj nga pesë minuta .
Po a kanë të drejtë këta persona të marrin leje? Sigurisht që ekziston një drejtë e tillë madje ne i ndajmë në dy kategori: leje të veçantë dhe leje shpërbluese.
Kategoria e parë përfshin ato ku i denuari i kërkon për shkak të një sëmundje të një familjari apo në rast vdekjeje apo lindjeje dhe kjo jepet për 48 orë, por mund të zgjatet dhe 24 orë të tjera. Në kategorinë e dytë përmendim ato leje nga vetë fjala; shpërblyese, – shpërblyerje e të dënuarit në bazë të sjelljes së mirë dhe ndjekjes së rregullores së disiplines. Ajo mund të jepet nga 20 ditë çdo vit.
Këto ishin vetëm disa nga të drejtat bazike dhe shumë prej tyre jetike, si psh: ushqimi dhe mjedisi i vuajtjes së dënimit. Duhet të ofrohen programe të rehabilitimit dhe bazuar gjithashtu në veprën penale të kryer.
Është patjetër e nevojshme dhe e domosdoshme të zbatohet ky program. Ne të fushës së drejtësisë dhe të ligjit duhet t’i shtyjmë këta persona të kuptojnë veprimet e tyre dhe pasojat që kanë shkaktuar në mënyrë që mos të jenë më përsëritës. Dhe kjo nuk arrihet duke mis iu mohuar këto të drejta.
Një kusht tjetër është dhe arsimimi, pra personat që s’kanë mbaruar nëntëvjeçaren, të kenë të drejtën të ndjekin në ato kushte mësimet me anë të një programi të veçantë, të miratuar nga Ministria e Arsimit. Arsimimi dhe formimi kulturor e profesional bëhet me anë të organizimit të shkollës, e detyrueshme për të miturit, si dhe të kurseve profesionale, sipas sistemeve në fuqi. Ata duhet gjithashtu që të kenë të drejtën e ndjekjes së ritualeve fetare dhe ne nuk mund dhe nuk duhet t’i pengojmë në to.
Le të themi që duke u mundësuar këto kushte, ata do të kenë kohën e mjaftueshme që të arsyetojnë dhe të kuptojnë të mirën dhe të keqen. Nëse ne nuk i japim as këto kushte, i bëjmë ata të ndihen më të zemëruar me botën dhe pa këto kushte, as programi i rehabilitimit nuk do vlente. Programi i rehabilitimit ka si qëllim të posaçëm parandalimin e kryerjes së veprave penale të tjera nga këta persona të cilësuar kriminelë nga vepra e kryer.
Në mbyllje, mund të them që nuk duhet t’i gjykojmë apo t’i trajtojmë në mënyrë çnjerëzore si ndëshkim apo hakmarrje për ato vepra e dëme që ata i kanë shkaktuar shoqërisë. Shoqëria ka nevojë të shërohet nga çdo plagë dhe këta persona duke bëre një krim, me anë të rehabilitimit, ndoshta nuk mund të shërojnë një plagë të shoqërisë, por ata mund të ndihmojnë në lehtësimin dhe dhimbjen më të pakët të kësaj plage, duke mos qenë përsëritës dhe duke kryer vepra të mira. Le t’i ndihmojmë të shërohen e duke ndihmuar kështu dhe gjithë shoqërinë të shërohet dhe të rimarrë veten nga çdo dëm apo pasojë që e ka tronditur. Ndryshimi nis nga ne, nga shoqëria. Le të bëjmë ç’ka mundemi për këtë gjë.