Ambra Hysa vjen me librin “Dashuri në kohë Koronavirusi”
“Dashuri në kohë Koronavirusi” vjen si libri i parë i kësaj periudhe të trishtë të pandemisë globale, që jo rrallë herë, është cilësuar si “Lufta e Tretë Botërore”. Tronditës, i dhimbshëm, po aq sa edhe artistik.
“Dashuri në kohë Koronavirusi” është bazuar dhe frymëzuar në histori të vërtetë. Në këtë dramë me përmasa tragjike, autorja shfaqet si ‘‘dëshmitare okulare’’, vijëzon me lot copëza jete të viktimave të pafajshme, bën homazh dhe nderim të thellë për mjekët “Gardianët e Jetës”, bëhet “zemra dhe dora e ngrohtë mbi plagë”, dhuron lule për fitimtarët!
U shkrua, në mes të Luftës, dhimbjes, frikës nga e panjohura dhe humnerës shpirtërore e cila la gjurmë dhe ndryshoi përgjithmonë, mënyrën e jetës së njerëzimit. Duke zbuluar edhe një herë, se Dashuria do të na shërojë dhe se, në të gjitha kohërat, vetëm ajo është përgjigjia.