Ismail Xhaferi: JETA…
Dhjetra ëndrra thur njeriu
dhe pastaj për udhë i nis,
ndërsa jeta bën të sajën,
shumë nga ëndrrat i përmbys,
Ndërsa jeta bën të sajën,
ndryshe sot, e ndryshe dje
dhe nuk do t’ja dijë fare,
për planet që bëjmë ne.
Jeta ka ligjet e veta,
ditë me dallgë dhe ditë të mira,
herë na çon mes bulevardesh,
herë në maja të vështira.
Herë na çon në ditë me diell,
fare pranë me kaltërsitë,
herë na flak drejt errësirës,
ndërsa ne kërkojmë dritë.
E gjithë jeta luftë pa fund,
rrugën kurrë s’e gjejmë shtruar,
e gjithë jeta një betejë,
një betejë që do fituar.
Dhjetra ëndrra thur njeriu
dhe pastaj për udhë i nis,
ndërsa jeta bën të saj,
shumë nga ëndrrat i përmbys.
Please follow and like us: