Ismail Xhaferi: Një yll këputet nëpër natë
Një yll këputet nëpër natë,
(Qielli portat kurrë s’i mbyll),
Sa ëndrra vallë këputen sonte,
Edhe perëndojnë si ky yll?!
Sa ëndrra humbin edhe treten,
Siç tretet shkuma mbi sapun,
Sa zemra vallë psherëtijnë sonte,
Sa sy qëndrojnë sonte pa gjumë?!
Sa brenga valle trokasin sonte,
Në kraharorët tanë të trishtë,
Sa fate kryqëzohen heshtur,
Ashtu si zoti Jezus Krisht?!
Por yjet nisin e rrallohen,
Sepse gjithmonë troket mëngjesi,
Sërish një ditë e re po vjen,
Prandaj dhe nata do të vdesi…
2 qershor 2020.
Please follow and like us: