Ismail Xhaferi: Poetët…
Fat të madh atdheu pati,
me poetë i qeshi fati,
keni parë a s’keni parë,
çdo pëllëmbë e një shkrimtar?!
Nuk merret njeri me punë,
vetëm fjalë që derdhen lumë,
poezi edhe ninulla,
më shumë libra, se sa tulla.
S’di për cilin të rrëfej,
nga poetët e mëdhenj
si u bë kjo botë e shkretë,
ku të gjithë quhen poetë?!
Dijeni se nuk gënjej,
janë poetë të mëdhenj,
meqënse s’kanë punë tjetër,
harxhojnë laps edhe letër.
Fat të madh kemi vërtetë,
se u gdhimë të gjithë poetë,
të gjithë me lapsa në duar,
mbetën tokat pa punuar.
Fat të madh atdheu pati,
me poetë i qeshi fati,
veçse sitën po lëkunde,
ka pak miell e shumë krunde…
Please follow and like us: