Rëndësia e financave bashkiake: raporti i ri tregon një rritje të lehtë gjatë 2019
Një raport vjetor mbi financat vendore i prezantuar të premten tregon një forcim të kapaciteteve financiare të qeverisjes vendore krahas asaj qendrore dhe gjithashtu tregon edhe pabarazitë midis 61 bashkive
Përmes një webinar-i Co-PLAN – Instituti për Zhvillimin e Habitatit – prezantoi Raportin e Financave Publike Vendore 2019 të financuar nga LëvizAlbania – një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC.
Ambasadori zviceran Adrian Maître përshëndeti prezantimin dhe tha: ”Është inkurajues fakti që në këtë raport ka një rritje të autonomisë fiskale të bashkive gjatë 2019. Për këtë vit kemi dhe evidencë për një rritje të vazhdueshme të të ardhurave bashkiake nga transfertat e pakushtëzuara dhe nga taksat e veta. Përkundrejt vështirësive të shkaktuara nga tërmeti në fund të 2019, kjo rritje tek treguesit financiarë është një arritje jo e vogël”.
Mbi 60 pjesëmarrës ishin të pranishëm përfshirë ekpertë të financave publike, akademikë, përfaqësues të qeverisjes vendore, dhe përfaqësues nga Delegacioni i Bashkimit Europian, Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, dhe OSBE. Gjetjet kryesore të raportit u prezantuan nga ekspertja e Co-PLAN Merita Toska dhe u pasua me një diskutim se si kanë përdorur bashkitë burimet e disponueshme financiare për të përmirësuar shërbimet publike vendore.
Një gjetje e rëndësishme nga raporti është ecuria e përmirësuar e bashkive në lidhje me të ardhurat: të ardhurat nga taksat e veta u rritën me 9.1% dhe të ardhurat nga taksat e përbashkëta u rritën me 15% në krahasim me 2018. Të ardhura të rritura erdhën edhe nga transfertat e pakushtëzuara, të përgjithshme dhe sektoriale. Nga ana tjetër, raporti paralajmëron mbi ndryshimet dhe pabarazitë mdiis bashkive: një përqëndrim i lartë i të ardhurave në bashkinë Tiranë, dhe kapacitete më të ulëta nga ana e bashkive më të vogla për të nxjerrë të ardhura dhe si pasojë, për të dhënë shërbime publike.
Raporti hedh vështrimin edhe tek mënyra si bashkitë kanë shpenzuar fondet e tyre dhe konfirmon një rritje të shpenzimeve nga fondet e veta. Megjithatë, raporti gjen që shpenzimet për personelin, operacionet dhe ‘të tjera’, janë më të larta se sa investimet kapitale.
Që nga 2015 ky raport mat impaktin e reformës territoriale dhe administrative mbi menaxhimin e financave bashkiake, dhe jep informacion në vazhdim dhe të krahasueshëm mbi performancën e financave publike vendore pas reformës.
Webinar-i u organizua nga Co-PLAN si pjesë e projektit “Financat Bashkiake dhe Perceptimi i Qytetarëve mbi Shërbimet Vendore”, mbështetur nga LëvizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC.