Xhorxh Bush, vizita historike në Shqipëri, mbresa të mëdha në Fushë-Krujë
Ai 13 vjet më parë, pikërisht më 10 qershor të vitit 2007, së bashku me bashkëshorten, Laura, u pritën në aeroportin e Rinasit, nga ministri i Jashtëm shqiptar në atë kohë, Lulzim Basha, si dhe deputetët Bamir Topi e Ben Blushi.
https://www.facebook.com/shqiptaretperkrahinameriken/videos/388091762170588/?t=20
Më pas, presidenti Bush u takua në Pallatin e Brigadave, me presidentin e Shqipërisë, Aleksandër Moisiu. Presidenti shqiptar, Moisiu, i dha presidentit Bush, dekoratën më të lartë “Urdhri i Flamurit”, për kontributin e tij, në mbështetje të çështjes shqiptare.
Presidenti amerikan, gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e atëhershëm, Sali Berisha, vlerësoi nivelin e lartë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe SHBA-së.
Presidenti, po ashtu tha, se beson se plani i të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Marti Ahtisari, për pavarësi të mbikëqyrur, është zgjidhja e duhur për Kosovën.
Ai tha, se do të punojë për të bindur gjithë vendet e Këshillit të Sigurimit dhe Serbinë, për këtë gjë.
Bush tha, se SHBA-ja përkrah dëshirën e Shqipërisë, për t’u anëtarësuar në NATO. Ai vlerësoi lart, tolerancën fetare në Shqipëri.
“Shpreha dëshirën që Shqipëria të hyjë në NATO, unë jam përkrahës i kësaj dëshire,” tha presidenti amerikan.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Bush ka folur para trupave shqiptare, një shprehje mirënjohje kjo, për Shqipërinë, që ka kontribuar ushtarakisht në Afganistan dhe Irak.
“U thashë trupave, se ju respektoheni nga ushtarakët tanë, si ushtarë të stërvitur mirë dhe kurajozë” – tha Bush. Ai inkurajoi politikanët shqiptarë, të punojnë së bashku për të plotësuar standardet e anëtarësimit në NATO.
“Politikanët, duhet të punojnë së bashku, për të arritur këto standarde dhe të lënë mënjanë ndryshimet politike” – theksoi ai.
Bush, takoi në Fushë-Krujë, një grup biznesmenësh shqiptarë që kishin marrë mbështetje financiare nga agjenci amerikane zhvillimi. Pas takimit, Bush theu protokollin, në rrugën kryesore të Fushë-Krujës, ku takoi shumë qytetarë entuziastë gjatë shëtitjes. Presidenti amerikan George Bush, me mbërritjen në Tiranë, shënoi vizitën e parë të një presidenti amerikan në Shqipëri.