Zaho Golemi: ROBERT PEEL, “BABAI” I POLICISË BOTËRORE
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Eksperimentimi i suksesshëm i Policisë Metropolitane të Londrës
Historia Metropolitane londineze ka një “stacion” historik që quhet “policia moderne e Robert Peel-it”. Edhe pse ka qenë dy herë kryeministër i Britanikëve, Robert Peel në mendjen e njerëzimit ka ngelur si “babai” i policisë së botës. Ai ka qenë reformator, burrështetas, jurist e penalist, krijuesi i parë i policisë, vizionar për burgjet dhe sjelljen ndaj të burgosurve, metodakërkues për sjelljen në publik të forcave policore, përgjedhes i uniformës së parë policore në dallim nga ajo ushtarake që ka qenë e përbashkët deri në kohën e tij, krijues aktesh të qëndrueshme, reformues i sistemit bankar, deputet orator i spikatur i Parlamentit anglez. Ishte koha kur Londra ishte qyteti më i madh dhe më i pasur i botës. Por krimet po shtoheshin dhe kërcënonin gjithë veprimtaritë tregtare. As rojet vullnetare të natës, as profesionistët që merreshin me kapjen e hajdutëve, as policët e rrugës “Bou”, që paguheshin nga fondet private tregëtare, nuk mundeshin dhe nuk ishin në lartësinë e detyrës që të mbronin njerëzit dhe pronën e tyre. Prandaj në këtë situatë spikati mendimi novator.
Formati modern i policisë metropolitane londineze u krijuaa nga Robert Peel, si zgjidhje për situatën. Ai jo vetëm u imitua në gjithë vendet e botës, por policimi blu, u trajtua si “patentë” moderne, për të cilin u shkruajtën mjaft libra e artikuj në gjithë botën. Biografë profesionistë i janë referuar kësaj figure të madhe të policisë, me burime të shumta, përfshi dhe Enciklopedinë Britanike. Personalitet angleze i njohur i shekullit të XIX, për të cilin u dedikuan buste e statuja, si pasuri e trashëgimisë kulturore për mendjen krijuese të shekullit, që solli në jetën e sigurinë publike të kombeve një model policimi të kodifikuar në parime, që i ka rezistuar kohës për gati dy shekuj.
Britania – atdheu i inovatorëve që eksportoi falas policimin dhe parimet e tij
Mbretëria ishullore e ka lidhur përjetësisht fatin e saj me europianët, që janë dashur, kanë luftuar dhe sërish janë dashuruar me Europën kontinentale. Mbretëria e Bashkuar është një entitet politik i përbërë nga tre vende autonome: Anglinë, Uellsin dhe Skocinë. Britanikët, fuqia e pestë e botës, është një zë i fuqishëm në çështjet botërore me potencial ekonomik, kulturor, ushtarak dhe politik në arenën ndërkombëtare, vendi i “Magna Karta”, i “luanit të deteve” që çuan “flakën” e njerëzimit në çdo skaj të botës, irrevolucionit industrial, vendi i inovatorëve dhe shpikjeve të njerëzimit, i parlamentarizmit, i kulturës, letërsisë, arkitekturës, i kinematografisë, muzikës, futbollit, qytetërimit e civilizimit, atdheu i njerëzve të mëdhenj, i mbretërisë me shtrirje 244,820 km², i policisë së parë të botës, model që u eksportua falas për gjithë komunitetin botëror.
Jeta e një gjeniu inovator britanik
Robert Peel është lindur më 5 shkurt 1788. Shërbeu dy herë si Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar (1834–35 dhe 1841–46), dy herë Sekretar i Brendshëm (1822–27 dhe 1828–30). Pavarësisht postit të lartë të ekzekutivit britanik në syrin dhe veshin e historisë është vlerësuar si “babai i policisë moderne britanike”. Ai ishte i pari që ndau “policinë nga ushtria” dhe themeloi Shërbimin e Policisë Metropolitane të Londrës. Babi i tij ka qenë prodhuesi dhe politikan i pasur i tekstilit, ndërsa i biri Robert Peel ishte i pari kryeministër që vinte nga një sfond biznesi industrial.
Robert i ri u arsimua në Harrow dhe në Oksford, dhe, me paratë e babait të tij, hyri në Dhomën e Komunave në 1809 dhe u bë një yll gjithmonë në rritje si politikan modern. Hyrja në kabinetin qeveritar britanik si Sekretar i Brendshëm (1822-1827), e armatosi me kalkulimet e jetës politike dhe shtetërore angleze. Ai u shndrua në reformator dhe liberalizoi ligjin penal. Famën më të madhe ja dha pikërisht krijimi i forcës moderne të policisë, duke u bërë një shembull për gjithë botën. Për aftësitë e tij rikthehet sërish në detyrë, si Sekretar i Brendshëm nën mentorin e tij politik Dukën e Uellingtonit (1828-1830), ku shërbeu dhe si Drejtues i Dhomës së Komunave.
Ka qenë shquar në betejat ligjore dhe emancipuese, replikues me kundërshtarët politikë dhe është e njohur shprehja e tij se, “megjithëse emancipimi ishte një rrezik i madh, grindja civile ishte një rrezik më i madh”. Provoi të përballet me kundërshtarët në pozitë pushteti si dhe në opozitë duke i dhënë vlera. Në zgjedhjen e dytë si kryeministër, qeveria e tij e dytë vendosi, që në pesë vite të ulë tarifat duke stimuluar tregtinë, duke zëvendësuar të ardhurat e humbura me një taksë mbi të ardhurat prej 3%.
Ai luajti një rol qendror në zhvillimin e realiteti të tregtisë së lirë dhe krijimin e një sistemi bankar modern. Një sërë aktesh juridikë mbi taksave, të ardhurat, aktin e fabrikave, aktin e rregullimit të hekurudhave më 1844. Përjetoi kohën e shpërthimit të urisë së madhe irlandeze dhe dorëhiqet si Kryeministër më 1846. Por Peel mbeti deputet me ndikim të madh dhe konseguent i ideve të pandryshueshme të tij deri në vdekje në moshën 62 vjeçare, më 2 korrik 1850, si dhe hyri në histori si reformator me ide revolucionarizuese për kohën.
Reformatori që erdhi nga “korsia” e biznesit
Familja e babait të Robert Peel ishte një nga prodhuesit më të pasur të tekstilit e pambukut. Ai u rrit në një ambjent të arsimuar, ku arsimin e tij të hershëm e mori nga një mësues klerik në Bury. Më tej vijoi Shkollën Harrow për katër vjet, ndërsa për tre vjet studioi në Oxford. Studimet i vijoi gjithashtu për drejtësi e më tej nis edhe karriera politike si deputet nën mbështetjen e babait të tij dhe Sir Arthur Wellesley, Duka i ardhshëm i Wellington, me të cilin karriera politike e Peel do të gërshetohej për 25 vite rresht. Aftësia dhe oratoria i hapi rrugën e qartë të me fjalimet e thekura në parlament duke qenë deputet për Chippenham më 1812, dhe më pas deputet për Universitetin e Oksfordit në 1817.
Më 1819 Dhoma e Komunave ngarkoi Robert Peel kryetar të një Komiteti të Përzgjedhur për stabilizimin e financave britanike pas përfundimit të Luftërave Napoleonike. Reforma bankare e ktheu monedhën britanike në standardin e arit, duke ndryshuar aktet kufizues të bankës. Robert Peel në pozicionin e Sekretarit të Brendshëm (ose Ministrit të Brendshëm), u bë epiqendra e reformatorit që kishte për zanafillë biznesin familjar, por që shpejt kapërceu, “muret” e kohës dhe u prezantua si një reformator i rëndësishëm i ligjit penal britanik; uli numrin e krimeve të dënueshme me vdekje, thjeshtoi ligjin duke shfuqizuar një numër të madh të statuteve penale dhe duke konsoliduar dispozitat e tyre që u njohën si “Akte të Peel”, reformoi sistemin e burgjeve duke futur pagesa për mbajtësit dhe edukimin për të burgosurit.
Reforma policore “Robert Peel” dhe standardi modern policor
Në vitin 1829, ishte Robert Peel, në cilësinë e Sekretarit të Punëve të Brendshme, që themeloi Forcën Metropolitane të Policisë për Londrën me qendër në Skoci Yard, si dhe krijoi një standard të ri për forcat policore. Ai i organizoi në modelin civil, duke i bërë të përgjegjshme ndaj publikut, duke i sjellë këto forca pranë njerëzve. Për këtë arsye historia e policimit në komunitet lidhet, me policimin modern në Britaninë e Madhe. Koncepti i sotëm i policimit në komunitet, si metodë moderne e policimit, ka evoluar ndër vite në vende të ndryshme të planetit tonë. Studiuesit e sigurisë dhe policimit e konsiderojnë Britaninë si atdheun e policimit modern, që lidhet me një emër: “Robert Peel”. U krijua divorci midis traditës ushtarake dhe organizimit policor.
Peel vendosi ngjyrën e detit dhe qiellit për policinë si dhe bëri konvertimin e gradave ushtarake në grada policore. Nxorrën një vendim të ri që oficerët e policisë, u çarmatosën, në vend të armëve, të mbanin vetëm një shkop druri dhe një fener, që më vonë u zëvendësua nga bilbili, për të sinjalizuar në raste nevoje për ndihmë apo mbështetje, kolegët e tjerë të policisë. Reforma policore “Peel” u mbështetën në nëntë parime themelore të policimit. Në themel të tyre qëndron maksima e policisë së shteteve të botës, se policia është publiku dhe publiku është policia, bazuar në parimet etike komunikuese që bota sot i njeh si “Parimet policore të Peel-it”.
Parimet e policisë moderne të Peel-it në themel të kodi etik të policisë së botës
Kanë kaluar gati dyqind vjet dhe askush në botë nuk ka mundur t’i ndryshojë parimet e themeluesit të policisë moderne. Nëntë parimet e njohura të Robert Peel-it janë:
- “Testi i efikasitetit të veprimeve të policisë është parandalimi i krimit dhe ruajtja e qetësisë nga çrregullimet që sjell krimi”;
- “Policia mban në të gjitha kohët, e një lidhje me publikun, që i jep vërtetësi traditës historike se policia është publiku dhe publiku është policia”;
- “Policët janë pjesëtarë të publikut, që sigurojnë bashkëpunim të vullnetshëm me publikun në respekt vullnetar të ligjit, të cilët paguhen për t’u kushtuar vëmendjen dhe kohën e plotë detyrave që ka çdo qytetar në interes të ekzistencës dhe mirëqenies së publikut”;
- “Shkalla e bashkëpunimit me publikun mund të sigurojë zvogëlimin e nevojës për përdorimin e forcës fizike”;
- “Policia kërkon, ruan, favorizon publikun jo duke ushqyer opinionin publik, por duke demonstruar vazhdimisht shërbimin e paanshëm ndaj ligjit”;
- “Policia përdor forcën fizike në masën e nevojshme për të siguruar respektimin e ligjit ose për të rivendosur rendin kur nuk funksionon bindja dhe se këshillat e paralajmërimet konstatohen të jenë të pamjaftueshme”;
- “Policia është vetëm anëtar i publikut i cili është i paguar për t’i kushtuar vëmendje të plotë detyrave që i ngarkojnë çdo qytetar në interes të mirëqenies dhe ekzistencës së komunitetit”;
- “Policia duhet të veprojë gjithmonë dhe në mënyrë rigoroze brenda kompetencave të funksioneve të saj dhe asnjëherë të mos uzurpojë kompetencat e gjyqësorit”;
- “Efikasiteti i plotë i policisë është provë e dukshme në syrin e publikut dhe në trajtimin e tij”. Këto janë parime themelore të zbatueshme që nga komisionerët e parë të Departamentit të Policisë Metropolitane të Londrës që në vitin 1829.
1000 policët e parë me uniforma blu
Në Anglinë e shekullit të XIX, forcat policore ishin një me ato ushtarake. Pra çdo detyrë në fushën e ruajtjes së rendit, të goditjes së krimit, i përkiste ushtrisë. Përjashtim bënin krimet e lehta të cilat ndiqeshin nga vullnetarë me pagesë. Kësulat e kuqe, emërtim i përdorur për ushtrinë angleze, i turreshin demonstruesve duke tejkaluar çdo limit në përdorimin e dhunës. Kështu përgjatë zhvillimit të një proteste në 1819, kalorësia ushtarake vrau si dhe plagosi shumë protestues. Kjo metodë e ruajtjes së rendit u ndalua me dekret mbretëror. Kishte lindur nevoja e një force të re policore, me detyra e ligj të veçantë dhe të ndara nga ushtria. Njëherësh statistikat e krimit po vinin në rritje. Ishte krijuar bindja se zgjidhja do të ishte reforma ligjore e shoqëruar me metoda të përmirësuara të parandalimit të krimit.
Më 1829 me Aktin e Policisë Metropolitane të Robert Peel-it, i cili ngriti forcën e parë të disiplinuar policor për zonën e Londrës së Madhe me njëmijë policë, që u njohën si “djemtë e Bobby” ose policia e “boob-save”, që e morën emrin nga themeluesi ose “babai” i tyre. Kjo polici ishte pjesë e policisë metropolitane të Londrës, forcë tërësisht profesionale policore, e pavarur nga forcat organizative ushtarake, me drejtim krejtësisht policor. Për herë të parë para dy shekujsh u ndërrua edhe uniforma, që u përzgjodh uniforma blu, që përdoret masivisht në policitë e botës me disa përjashtime. Kombinimi me ngjyrën e bardhë i uniformës u gjykua si më paqësore dhe më e respektueshme për njerëzit.
Midis nëntë parimeve të ndërtimit të forcës së parë policore të Londrës dallonte parimi i parimeve themelore që ishte “policimi”, që nënkuptonte afrimin e policisë me publikun, integrimin gradual të detyrave policore në publik. Ky parim i policimit në komunitet mbeti busulla e vetme si për liderat politikë edhe drejtuesit policorë profesionalë. Modelet policore të demokracive të mëdha kanë standard e arsim policor, akreditim, forcë dhe potencial akademik, përshtatje me detyrën, forcë disipline, kualifikim e trainim të vazhdueshëm.
Policia është publiku dhe publiku është policia
Në dukje të parë policia e krijuar rishtas në Londër dukej jopopullore, por “uniformat blu” dëshmuan të jenë shumë të suksesshëm në ndërprerjen e krimit në Londër, dhe nga 1857 të gjitha qytetet në Britani ishin të detyruara të krijonin forcat e tyre të policisë. Kjo i dha statusin e njohur si babai i policisë moderne, Peel-it dhe Parimet Peeliane, u bënë shpejt kërkesat etike që oficerët e policisë duhet të plotësonin që të pranoheshin në këto trupa elitë. Vendosmërisht më 1829, parimet e policimit demokratik të Sir Robert Peel u sintetizuan në deklaratin “gur-themeli” të policisë kur deklaroi: “Policia është publiku dhe publiku është policia”. Këto janë fjalët deklarative që u kthyen në proverbiale për rreth dy shekuj të gjeniut të mendimit policor të Peel dhe të asaj që sot me të drejtë quhet “trashëgimia Peelite”.
Ai ishte gjeniu kryesues i një administrate të fuqishme, mbikëqyrës i rreptë i çdo qelize të veçantë të qeverisë; orator pasionant me fjalime të një politikani reformator i Anglisë, me një stil krejt të veçantë. Rezultatet e reformave politike, ekonomike, juridike e sidomos policore mbetën edhe pse vdekjes së Peel me identitetin “Peelites”, në shenjë identitet edhe pas vdekjes së parakohshme të Peel pas një 1850. Udhëheqësit britanikë jo rrallë i janë drejtuar autoritetit dhe pushtetit të mendimit të Peel, autoritet që përveç përplasjes opozitare u bë më 1843, shënjestra e një atentati të dështuarnga, kur një i çmendur skocez Daniel M’Naghten, qëlloi kundër tij, por në fakt ishte ngatërruar duke qëlluar në fakt mbi sekretarin personal të tij duke menduar se ishte Peel. Për pak sa nuk e pagoi me jetën e tij reformat e guximshme transformuese.
Transformimi u bë evident në të gjithë botën. Më në fund doktrina ushtarake dhe doktrina policore nuk janë më “motër e vëlla” si dy shekuj më parë. Policia tashmë ishte me detyra krejtësisht të reja në raport me detyrat e mëparshme të përbashkëta me ushtrinë, veçanërisht për raste të shkeljes së rëndë të rendit publik, që asiston popullsinë në raste situatash me përmasa katastrofike. Policia zbulon e godet rreziqet që i vijnë shoqërisë nga brenda si rezultat i veprimit të krimit e kriminelëve, si dhe mbron të drejtat e qytetarëve në kohë paqe, të shmangë si dhe të parandalojë çdo vepër që cënon rendin publik dhe individin.
Metoda policore, brenda kufijve të ligjit, sipas të cilit askush nuk është fajtor pa u dënuar nga një gjykatë e pavarur, i ka dha një sens të ri kulture “policit inteligjent të Robert Peel-it”. Logjika e veprimit të ftohtë me komunikim, psikologji, edukim juridik manifestohen që prej dy shekush në kurikulat akademike dhe veprimin praktik në ruajtje të jetës dhe dinjitetit të komunitetit, duke ruajtur tiparet e policisë modern, që lindi në Londër.
Trashëgimia “Peel” në policitë amerikane, europiane dhe ballkanike
Në SHBA fillesat e teorisë së policimit në komunitet fillojnë me Shkollën e Administrimit Policor dhe Sigurisë Publike të Miçiganit, që më 1961-shin. Një studim mbi eficiencën e shërbimit policor në 168 agjenci policore si dhe bazuar në të dhënat e këtij studimi, më 1965 u krijua qendra kombëtare policore për marrëdhënie komunitare. Teoritë e policimit në komunitet u eksperimentuan më tej edhe në shtete të tjera të SHBA-së, si dhe në ngritjen e disa stacioneve të vogla policore në vitin 1974, në Detroit.
Filozofia e policimit në komunitet në departamentet e policisë lokale amerikane u fut gradualisht nga vitet ’70 deri në vitet ’90 të shekullit të kaluar. Këto programe pilot në amerikë u zyrtarizuan nga qeveria federale me miratimin e ligjit për kontrollin e krimeve të dhunshme, si dhe krijimit të Zyrës së Shërbimeve të Policimit të Orientuara nga Komuniteti në gjithë SHBA-në. Kjo filozofi e policimit në komunitet u përqafua nga Kanadaja si dhe pothuaj u fut në praktikë në të njejtën periudhë. Europa kontinentale gjithashtu e pa të arsyeshme aplikimin e këtij formati dhe filozofie të policimit në Suedi, Norvegji, Danimarkë, dhe pak më vonë edhe në Francë, Itali e Spanjë.
Përvoja skandinave dhe legjislacioni i saj mbi Policinë në Komunitet e ka bërë këtë këtë model policimi në pararojë të reformave në polici dhe sidomos ajo e policimit suedez pati ndikim edhe në hartimin e legjislacionit europian të BE-së, në 2001-shin për parandalimin e krimit në Europë. Policia suedeze ka fokusuar këtë lloj policimi që prej gati pesë dekadash me strukturë të Departamentit të Rendit Publik të organizuar në stacione lokale të policimit në komunitet të shtrirë në rreth 230 qytete. Strukturat suedeze policore parandalojnë situatat kriminale dhe situatat sociale. Danimarka ka apikuar policimin në komunitet në parandalimin e krimit, trainime që fillojnë që në shkolla.
Policia daneze që prej 40 vjetësh ka prezantuar programin “shkollë – shërbim social – polici”. Francezët, që në vitet ’80 konkretizuan fokusuan modalitete të operativitetit policor me shtrirje në mbulimin e gjithë territorit prej 547.030 km2. Gjatë te dekadave të fundit Franca, me organizim policor të centralizuar me polici kombëtare dhe xhandarmëri, ka zhvilluar një formë policimi në komunitet: “polici de proximité”/policia e afërsisë. Në vitet ’80 filloi edhe përpunimi i konceptit, të tillë që policia lokale deri në lagje është e kombinueshme e bashkëpunuese me komunitetin dhe ndërlidhësin komunitar. Varianti francez i policimit komunitar tipi i një kontrate të sigurisë lokale, në formatin e një marrëveshje bashkëpunimi midis aktorëve vendorë, që nënshkruhen nga prefektët, prokurorët e policisë dhe kryebashkiakët.
Në vitin 2000 u krijuan me ligj Këshillat e sigurisë lokale për parandalimin e krimit, të cilat e vendosin Francën strukturalisht në pozicion të ngjashëm me atë të Suedisë. Bashkëpunëtori policor me komunat lokale është i mandatuar dhe barazon përgjegjësinë për policinë dhe publikun për çështje të sigurisë dhe kjo funksionon në 462 distriktet e policisë së Francës. Vendet e beneluksit Holanda e Belgjika, por edhe Spanja përshtatën gjithashtu variantet tyre të policimit. Policia italiane ka adaptuar policimin në komunitet në formatin francez të ndërlidhës komunitare. Modeli italian u emërtua: “Polizia di Prossimità”, ishte një qasje e re e modeluar për policinë italiane, që njihet “Kepi” me shenja dalluese.
Ligji “Berlusconi” i vitit 2002 u eksperimentua në 28 provinca, dhe më tej u përhap në gjithë Italinë. Në Itali është institucionalizuar dhe partneriteti policor me autoritetet lokale, për mbrojtjen e komunitetit. Policimi në komunitet u ridimensionua në të gjithë rajonin tonë. Kështu policia sllovene, gjatë vitit 1992, bëri riorganizimin e policisë në nivel lokal, transformoi 635 zona të sigurisë në 318 zona policore me organizime të policisë në komunitet. Varianti slloven i policimit në komunitet ka qenë i sukseshëm dhe strategjia e policimit të orientuar ndaj komunitetit drejtohet nga njëmbëdhjetë drejtori policie. Policia kroate, më 2002, zbatoi modelin e Policimit në komunitet dhe ishte i suksesshëm. Që prej dhjetë vitesh policia kroate funksionon me sektorët e parandalimit të krimit, dhe operon drejtëpërdrejtë me oficerët e kontaktit me komunitetin.
Policia kosovare, që prej 1999-tës, është transformuar nga “policimi tradicional ish-jugosllav” në policim bashkëkohor me mbështetje ndërkombëtare. Drejtimi kryesor strategjik është policimi në komunitet dhe policimi në bashkësi. Bashkëpunimi me komunitetin është formalizuar nëpërmjet Këshillave komunalë për siguri në bashkësi që janë organe komunale në gjithë territorin e Kosovës. Ndërsa policia shqiptare është duke ecur me trendin e zhvillimit të policisë së vendeve demokratike perëndimore, me direksion zhvillimi të njëjtë me demokracitë e mëdha si Anglia, Franca, SHBA, etj.