Albspirit

Media/News/Publishing

Besiana Çervanaku: SJELLJA KRIMINALE, E LINDUR APO E MËSUAR?

Image may contain: 1 person, standing

Lombrozo në studimet e tij, thotë se ekziston një tip njeriu kriminel, se krimineli është një person anormal, por vallë sa e vërtetë është kjo teori? Unë, në fakt, jam nga ata tipa njerëzish që përpiqem të ndjek një logjikë arsyetimi të ngadaltë dhe të arrij konkluzionet e mbështetjes ose jo të teorie në fund. Megjithatë paraprakisht mund të them se njeiu lind i pastër, një foshnjë as nuk mund të mendoj e as nuk mund të veproj si një kriminel, por gjatë rritjes për arsye nga më të ndryshmet përfshirë edhe anomalitë e Lombrozos shndërrohet në kriminel…

Një nga gjërat kryesore është kuptimi i fjalës kriminel. Jo çdo njeri që kryen një vepër penale është një kriminel… Më thoni a do ta quanit ju kriminel një njeri i cili për të çuar nënën e sëmurë në spital me urgjencë nuk i bindet urdhërit të policisë për të ndaluar? A do ta quanit ju kriminele një vajzë që vret përdhunuesin e saj?…

Unë jo! Kriminel është ai individ i cili kryen një seri veprash të rënda penale, por mbi të gjitha i kryen ato me dëshirë, pa asnjë nxitje të jashtme aq të fuqishme, i kryen në seri gjatë gjithë historisë së ti, apo që me vetëdije të plotë është pjesë e një organizate kriminale, megjithëse nëse do ndalesha tek pjesëmarrësit e organizatave krimanele, unë do të ngrija pikëpyetje të tilla si:

– A janë të gjithë pjesmarrësit kriminel? Po ata të penduar që duan të largohen? Sa ndikim ka mbi ta ligji i mafias prej së cilës del vetëm i vdekur, të vritet familja , të afërmit; a janë kriminelë ata “mafiozë” që veprojnë nën këto kërcenime?…

Por le të kthehemi tek kriminelët që padyshim janë të tillë, janë ata që i adhurojnë dhe nuk shohin problem në veprat e tyre. Një kriminel merr kënaqësi nga ajo që bën pavarësisht synimit për të cilin vepron. Një kriminel merr kënaqesi nga vuajtjet e viktimave të tij, mendja e tij punon në këtë drejtim kriminal, ai e bën këtë në mënyrë të përsëritur, kjo sjellje i është bërë mënyrë jetese. Më lejoni t’iu përmend mjekët e eksperimenteve naziste dhe më thoni që për këta individë Lombrozo e ka gabim kur thotë se janë anormalë, që diçka nuk shkon me këta persona që në lindje!

Ka vërtet diçka të lindur brenda një krimineli të vërtet, rastet e shembujt shpresoj shumë të mos ju lodhin, por nuk mundem të mos i përmend për konkretizime të ideve të mia. Kjo diçka e lindur tek një kriminel ndodhet vërtet kudo brenda tij, në ftohtësinë e mendimeve, mungesën e ndjenjave dhe gjakftohtësinë e veprimeve. Ka me mijëra fëmijë afrikanë që merren e stërviten për të vrarë, këta fëmijë kthehen në kriminelë të detyruar nga rrethanat, këta janë ata që vërtetojnë se sjellja kriminale është e mësuar, po ata që i rekrutojnë ata që të panxitur nga askush i rrëmbejnë nga gjiri i familjeve të vafëra, u vrasin prindërit, motrat, shokët dhe u japin armët ku nën tortura çnjërëzore këta fëmijë bëhen njëlloj çnjerëzorë?

Çfarë janë këta udhëheqës, çfarë situate vallë mund të shtyj në këto sjellje? Këta individë për mua kanë elementë kriminalë të lindur që nga pamundësia nuk u shaqen kur janë foshnja e janë të pastër, por me rritjen e tyre krijojnë këtë sjellje. Kudo në botë kemi shembuj se kriminelë që kanë kryer masakra, nga më të ndryshmet, kur janë vërejtur nga mjeku ligjor kanë rezultuar me probleme mendore. Por le të mos shkojmë larg, a ju kujtohet “Monstra e Selenicës”, i cili me gjakftohtësi maksimale vrau tetë familjarët e tij në mënyrë barbare dhe nuk shfaqi asnjë lloj pendese, ky individ nuk u mësua nga askush dhe nga asnjë rrethanë të jetë një kriminel, por rezultoi se kishte një çrregullim psikik. Edhe këtu na del se Lombrozo ka patur të drejtë me teorinë e tij të “Njeriut- Krimenel”.

Unë jam nga ata persona që ende mendoj se sjellja kriminale në shumë raste është e lindur dhe këtë mund ta them pa frikë paragjykimesh që shpesh i kam marrë nga kolegë të mi, që më thonë shpesh se një teori e tillë është e turpshme për tu mbështëetur në këtë periudhë që në jetojmë dhe në kohën që jemi duke kryer studimet ligjore. Por unë jam e bindur se secila teori ka disa aspekte të vërteta dhe besoj se tek disa persona ka diçka të lindur kriminale, diçka të veçantë në ndërtimin e tyre, përsa kohë që marrin kënaqësi nga vepra të tilla si tortura e eksperimente çnjerëzore, rekrutime e përdhunime të miturish që më pas i kthejnë në ushtarë të tyre, vrasje më vuajte të rënda paraprake të familjarëve?

Vallë përse një finacier i zoti , me kulturë dhe arsimim të lartë, me të ardhura të mira, me një shoqëri e cila nuk shfaq asnjë problem, shkon e kryen krime seri në fushën fianciare, kryen mashtrime e vjedhje, pasi shumica e këtyre krimeve kryen pikërisht nga këta individ më njohuri, arsimim dhe punë të tilla. Ka diçka që nuk shkon me këta njerëz… ka vërtet diçka që nuk shkon! Por do doja tani të kaloja në anën tjetër të mendaljes, në faktin që sjellja kriminale është e mësuar, unë këtë padyshim nuk mund ta mohoj.

Ka me mijëra faktorë socialë, ekonomikë, mjedisorë e të tjeta që ndikojnë në krijimin e një sjellje kriminale tek individi. Kryesisht vëmë re se krimi mbizotëron në vendet e varfëra, në vendet problematike dhe në familjet e shoqëritë që paraqesin probleme, madje dhe veprat penale që ata kryejnë janë të lidhura me këto vende e sitauta, çka padyshim të bën të besosh se sjellja kriminale është e mësuar dhe unë besoj se kështu është në këto situata. Ndikimi i mjedisit social – ekonomik është tepër i rëndësishëm, bazuar edhe në teorinë sociale të Ferrit e të francezit Laskanjë ky i fundit ka thënë: “Mjedisi social ushqen kulturën e kriminelit dhe krimineli është mikrob i këtij mjedisi”.

Krimineli dhe sjellja e tij lind dhe ushqehet nga mjedisi social ku ai jeton… një fëmijë me një familje problematike priret të jetë më agresiv apo i ndrojtur në dy limite të kundërta, por tepër i ftohtë dhe i dhunshëm, po ky fëmijë mund të jetë më lehtësisht i shoqërueshëm dhe i prirur për t’u bashkuar me një organizatë kriminale , për t’u bashkuar me rrjetet e trafikimit të drogës, për të kryer vrasje, rrahje, tortura etj. Këta fëmijë janë larguar edhe nga shkolla e shumë raste të tilla. Madje një nga problemet e krimet që sot cenojnë vlerat ndërkombëtare janë krimet e kryera nga organizatat terroriste. Shumë herë pjesëmarrës në to janë persona të cilët tërhiqen nga feja dhe “Lufta e drejtë e Zotit” të cilën ata e besojnë, pasi mendojnë se po bëjnë mirë dhe është e vërtet se feja normalisht nuk të shtyn kurrë të bësh veprime negative. Por personat që i rekrutojnë ata e përdorin fenë për qëllimet e tyre kriminale. Dashje e padashje le të themi këta persona bëhen kriminelë dhe kjo është një sjellje kriminale e mësuar.

Pa dashur të zgjatem së tepërmi pasi besoj se me sa më sipër kam arritur në një përfundim. Ka padyshim diçka të lindur tek disa tipe kriminelësh, diçka që të bën të besosh se diçka nuk shkon tek këta individë, ndërsa tek shumë kriminelë sjellja kriminale është e mësuar dhe e diktuar nga mjedisi social, ekonomik, kulturor apo shkaqe të tjera të ndryshme nga ato që janë të lindura. Pra mund të thuhet se sjellja kriminale nuk mund të jetë kurr vetëm e lindur apo vetëm e mësuar, por është një përzierje e këtyre të dyjave. Tek shumë kriminelë është elementi i brendshëm kriminal, i lindur më të që e personalizon dhe krijon karakterin e tij kriminal e te shumë të tjerë situata e ngjarjt apo shumë probleme të tjera që kurrsesi smund të jenë të lindura krijojnë tek ata karakter kriminal, pra krijimin e një sjellje të caktuar kriminale. Teoria e relativitetit!…

Please follow and like us: