Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Marrëveshja zgjedhore nuk ishte reformë, por vazhdimësi e së keqes

 

Image may contain: 1 person, suit and closeup

Bardhyl Berberi

 

Qëndruam në ekran deri në orët e vona për të parë rezultatin e bisedimeve për reformën zgjedhore, rezultati Zero. As lista të hapura, që është ‘thembra e Akilit’ për një normalitet, që të zhduken birbot ngaparlamenti dhe aty të ketë burra seriozë me mend të mos e braktisin atë sikur luajnë kalamanjtë, as president të zgjedhur nga populli. Asnjë ndërhyrje në kushtetutë.

Çfarë u bë, asgjë, nuk u bë reforma por vetëm një marrëveshje  as mish e as peshk… Vetëm në Shqipëri fati i një populli caktohet nga drekat dhe darkat… Darka me ngjala, darka me peshk,  një pazar tjetër tek pazari i ri, një tek gjiri i Lalëzit… Shqipëria nuk ka zyra, nuk ka institucione, por vetëm darka të sojit të bejlerçinave… Jemi një popull i marrë peng nga çadrat dhe nga darkat… bëhen ceremoni dhe lidhje malinje si ata çiftet që ziren me njëri-tjetrin dhe nuk lenë gjë pa thënë, por rrinë sëbashku për hatër të fëmijëve, ndërsa nuk lenë flirte pa bërë si njëri po ashtu dhe tjetri…

Darkat e shefave, takime të fsheta që nuk sjellin asgjë,  opozitës nuk sjell asgjë. Është situata më absurde e një populli që fatin ia vendosin çadrat apo darkat… Kërcënimet e presidentit  ndaj Europës dhe SHBA  janë  qesharake. Ai duket sikur po  lufton me mullinjtë e erës…

Tek ne nuk ka opozitë… Përplasje absurde e opozitës shqiptare me faktorin ndërkombëtar  është  fatkeqe… Opozita kërkon zgjedhje të ndershme… Okej, le të vendosi komisionerët  dhe vëzhguesit e saj  dhe le t`i ruajë zgjedhjet,  madje  edhe me pjesëmarrje masive nga ndërkombëtarët. Jo po ne ‘duam qeveri teknike’. Pse kur juve që ju rrëzoi nga pushtetit  PS  me më shumë se një milion vota ju që kishit pushtetin, cfarë bëtë përballë atij uragani popullor, pse nuk i fituat zgjedhjet se  ju kishit pushtetin? Të kesh pushtetin nuk të jep siguri se mund të fitosh zgjedhjet. Përkundrazi  sovrani i rri gjithmon në gjoks një ulurimë  e krijuar nga varfëria dhe oligarkët që po bëjnë kërdinë…

Ka brenda të djathtës  edhe deputetë që duan normalitet, duan që abuzuesit të venë para ligjit,  duan që Shqipëria të shkojë drejt Europës me dinjitet, ashtu siç i ka hije. Natyrshëm lind  pyetja? – A keni ju të  drejtë të protestoni ndaj kësaj mazhorance? Sigurisht që keni mazhoranca  ka patur një thes me të meta, ka patur një sërë ministrash të paaftë në qeveri, nepotizmi është zhvilluar në  mënyrë galopante, pushtetin e kanë ndarë me njerëzit e afrëm: kunati, baxhanaku, motra, vëllai, nipi; a thua se në pushtet i ka sjellë rrethi familjar.

Nëse ne do të kishim një opozitë të vërtetë, qeverisë do t`i lëkundëshin këmbët jo në fund të mandatit, por që në vitin e parë të qeverisjes  kur të gjitha premtimet elektorale ia mori era. Do apo nuk do dikush, atë do ta vendosi populli me votën e tij në zgjedhjet e ardhshme. Sovrani ka pare, ka vështruar, e ka ndjerë gjithçka mbi shpinë dhe në kutinë e votimit të bën gjëmën me vote…

Një gjë nuk ka të qartë opozita se miratimi i Reformës në Drejtësi krijon një front opozitar, përballë të keqes së madhe që na ka kapur të gjithëve si një oktapod dhe po na merr frymën…

Kjo  opozita e sotme,  tha një plak i mençur nga Mokra, i ka hipur kalit mbrapsh …  Realizohen skenarë që si e si Shqipërinë ta mbajnë peng dhe Basha të mbetet kryetar partie edhe pse mund të humbasi zgjedhjet… Del nga parlamenti si pa të keq duke zhgënjyer ata që i dhanë votën, nuk hyn në zgjedhje lokale e dhuron pushtetin në tavolinë

E dimë se të gjitha, këto nuk i bëni rastësisht. Madje-madje më duket naive të mendohet se përplasjet i bëni në mënyrë aksidentale. Jo këto janë të qëllimshme, ju kërkoni anarshi dhe mjegull të abuzoni dhe ta shtrydhni si limoni këtë popull fatkeq!

E vërteta është se ju po realizoni skenarin e ishit që ua shtyp  butonin nga distanca, me një qëllim të vetëm: Të mos ketë opozitë të vërtetë dhe të konsoliduar dhe të bashkuar, dikush  nuk do që në Shqipëri të ketë ligje dhe shqiptarët të jenë në Europë.

E dinim të gjithë se dora e zezë do të zgjatej dhe do të kurdiste  kukullat  prej tij dhe këto kukulla do të thoshin atë monolog sabotues, do të kërkonin gjilpërën në  kashtë për të gjetur një arsye që të sabotoje reformat…

Ju i komplikonit gjërat, zotërinj opozitarë edhe kur ato  janë shumë të thjeshta. Zatën, kjo është strategji e njerëzve destruktivë, e atyre që në vend të kompromisit, përpiqen ta imponojnë mendjemadhësinë dhe mjegullën. Ju e doni pushtetin në tavolinë, me përgjimë false dhe Babalet tani që doli në shesh e vërteta.  Çfarë ju mbeti: U munduat të vinit vetulla dhe nxorrët sytë tuaj. Akoma më keq me ato 1300 kontenjerët e plerave! Doli përsëri bllof, Italia bëri arrestimet, por bashkëpuntorët e tyre që ngritën këtë tymnajë nëpërmjet medjave të rrëzonin qeverinë me gënjeshtra përkundrazi e forcojnë më tepër.

Prisnim Reformën Zgjedhore dhe katandisën në një marrëveshje të vjetër, pa bukë, e cila dhe në të ardhmen do të kenë problem zgjedhjet në parlament, do të na vijnë sërish sharlatanë dhe mediokër. Çfarë ju pegonte të bënit zgjedhje të lira, me lista të hapura si Kosova apo Maqedonia apo varianti danez që prezatoj  amabasadoria amerikane? Ishte rreziku që nga njëshi juaj i opozitës apo mazhorancës po të dilnit në shesh të burrave  ballë përballë me kandidatë do ta pësonit si Ramiz Alia me  atë inxhinjerin anonim të minierave. Por ju doni të bëni listat, të vini ata që doni, ju i keni listat si presion dhe si kapital se po u zgjodhën deputetët nga populli ju do t`ju ngelen kyçet e kashtës dhe ekzistenca juaj në krye të partisë do të jetë në humnerë. Populli thotë se e vërteta del, por, nëse deri dje qytetarët mendonin se kanë opozitë  ndonëse të dobët,  por e kishin ama, tashmë nuk besojnë? Shumë vështirë pas këtij skandali politik që ju bëtë duke ju shkatërruar atyre këtë ëndërr të madhe  Europën…

Unë jam shumë i sigurtë, se ata që sot i keni në rresht në  fakt nuk  janë me ju , nesër do të jenë përkrah  progresit: Vazhdimësia e së keqes shqiptare do të ngelet si një ishull i vetmuar… Do të ketë një fund të turpshëm, kjo është e vërtetë si drita e diellit. Në gjuhë sportive, po ju themi sinqerisht që keni bërë bërë autogol dhe keni humbur një ndeshje të rëndësishme, Shqipërinë po e lini në stacion pa hipur në trenin që e çon në drejtim të Europës dhe kjo do të ketë një kosto, do t’iu sjelli një faturë. Edhe kalimi i kësaj marrëveshje në parlament është bërë i vështirë. Kanë dalë hapur si Murrizi dhe Koka dhe disa eksponentë të tjerë që nuk do ta miratojnë këtë marrëveshje të cilët duan lista të hapura dhe ndëryrje në Kushtetutë, po u ndërhy në kushtetutë patjetër duhet që presidenti të zgjidhet nga populli. Deri tani ndodhemi para një mish mashi që askush nuk e zgjidh dot…

Duke i patur parasysh të gjitha këto gjëra, një rrjedhojë logjike thotë se asgjë nuk ndodh rastësisht në opozitën shqiptare, që senatorët e vjetër të saj emblematikë i ka flakur si kore pjepri. Populli thotë nuk bëhet ‘stan me lepuj’ me ata që ka mbledhur Basha e që i rrinë gatitu.   Dhe një gjë kam në përfundim: Të mobilizohemi të gjithë  për të ndihmuar opozitën shqiptare që ka humbur rrugën  se sinqerisht  opozitën  e duam dhe për të kemi nevojë… por atë opozitën e vërtetë aman…

 

 

 

Please follow and like us: