Vandalizmi në Apoloni, reagon Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore
Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, përmes një deklarate, shprehet se drejtuesit e parkut arkeologjik të Apollonisë, pranuan vandalizimin e ndodhur më 13 prill nga dora e njeriut e dy prej kolonave të fontanës monumentale të Apollonisë, një monument unikal në botë. Sipas FMTK, në përgjigjen publike, për hir të “opinionin publik dhe taksapaguesit shqiptarë”, ka ende pikëpyetje që kërkojnë përgjigje.
1. Përse nuk u përfshi monumenti i Nymfeut të Apollonisë, si monument unik i qytetërimit antik në projektin prej 800.000 euro të viteve 2016-2017, që parashikonte ndërhyrje në Manastirin e Apollonisë dhe në hapësirën e Parkut Arkeologjik? Kush i hartoi termat e referencës dhe a përgjigjen ata për lënien në mëshirën e fatit të monumenteve të tilla si Nymfeu, Teatri, Kolona e Shtyllasit apo nekropoli?
2. Çfarë përgjegjësie ka kompania, që ruan Muzeun dhe Parkun Arkeologjik për këtë vandalizim dhe çfarë masash janë marrë nga ana e drejtorisë dhe Ministrisë së Kulturës ndaj saj?
3. Nëse qenka denoncuar ky krim në polici, si janë ndjekur hetimet e drejtorisë së policisë Fier, drejtoria e anti-terrorit apo seksione të tjera, që hetojnë këtë krim të rëndësishëm? Sa shoqërime janë bërë, sa takime me grupin hetimor janë kryer? A ka ndonjë të dyshuar për autorët dhe motivet e tyre?
4. Çfarë përgjegjësie ka drejtoria e parkut dhe Ministria e Kulturës për faktin që monumenti ishte i parrethuar, pa tabelën e monumentit të kulturës, pa tabelën shpjeguese të monumentit?
5. Pas deklaratës së drejtorisë së Parkut, që ua lë përgjegjësinë arkeologëve për njoftimin e Institutit të Arkeologjisë, (është e vërtetuar se nuk është njoftuar as drejtori i Institutit e as autori i gërmimit të monumentit, prof. Neritan Ceka), a mund të ngrihet pyetja përse nuk u bë publik në media ky dëmtim?
Përballë kësaj situate në Apolloni, forumi bën thirrje që të zhvillohet një seancë dëgjimore, për të gjetur përgjigjet për këtë çështje. “I bëjmë thirrje komisionit parlamentar të Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik Kuvendi i Shqipërisë që të zhvillojë një seancë dëgjimore me ministren e Kulturës dhe drejtorin e përgjithshëm te Policia e Shtetit dhe të kërkojë përgjigje për këtë çështje, që nuk mund të trajtohet kaq periferike”, përfundon deklarata.