Çfarë po bëhet në Amerikē dhe çfarë po bën Amerika?
Margarita Kola
Çfarë po bëhet në Amerikë?! Mos vallë u dashka që të bardhët të gjunjëzohen, linçohen dhe diskriminohen që të kënaqen iluzivisht të zinjtë dhe kështu të mendojnë se nuk janë më të diskriminuar? Mos vallë të drejtat që të legjitimohen duhet të ndërrojnë ngjyra? Një diskriminim nuk çbëhet me një diskriminim tjetër. Një dhunë dyfishohet kur i shton një tjetër.
A mund të mendohet historia e Amerikës pa Abraham Linkoln? Kujt i shërben sulmi mbi përmendoren e Abraham Linkoln dhe simbolet amerikane? Çfarë do të ishin të zinjtë pa një Amerikë që iu dha të drejta dhe liri? Çfarë do të jenë të zinjtë pa një Amerikë që nuk është e kristaltë, por çështjen e të drejtave e kupton qartësisht si një normë bashkëqytetarie më mirë dhe më domosdoshmërisht se të tjerët? Çfarë vlerash do të besoj unë se prodhon për mua djegia, plaçkitja dhe dhunimi nën flamur antidiskrimini? A duhet të rrëzojmë ‘realitetin’ jo të përsosur për të shitur një iluzion ‘të përsosur’?
Ja, pra që çfarë po ndodh sot në Amerikë nuk është vetëm çështje të drejtash, lirish dhe diskriminimi.
Komunizmin e bëri kaq të urryer vetëm Amerika ashtu siç bëri të besueshëm ëndrrën për dinjitet dhe prosperitet njerëzor vetëm Amerika. Gjithashtu, luftën e nxehtë e bëri luftë të ftohtë vetėm Amerika ashtu siç shumë ekuilibra gjeopolitikë i vendosi Amerika kur as dorën dhe as këmbën nuk e ngriti askush dhe as për kërrkënd që kishte nevojë nevojë për të drejta dhe liri.
Ja pra që çfarë po bëhet me Amerikën nga grupe të dhunshme të dirigjuara është çështje përplasmërie të eleminimit politik dhe gjeopolitik të fuqisë dhe simbolit që përfaqëson Amerika. Demokratët mbështesin turmën që të rrezikojnë Trump në zgjedhje si një president atipik që rrezikon establishmentet jo vetëm të demokratëve por edhe të republikanëve, ndërsa Sorosianët komunistë avancojnë në tezën ‘eleminim i superfuqisë amerikane’ në botë duke krijuar paqëndrueshmëri sociale në shtetin jo vetëm të bardhëve dhe të zinjve, por në tokën e çdo ngjyre. Mosbindja e demokratëve është ilaçi kundër përgjumjes së një kanditature presidenciale që ata vetë e dinë që nuk fiton dot pa mposhtur me çdo kusht atipikun e paparashikueshëm, të tanishmin president amerikan. Vetëm turmat e emocionuara kanë fuqi ta bëjnë këtë dhe janë ‘thirrur në ndihmë’ nën divizën e së drejtës së shkelur.
Po çfarë po bën Amerika? Naivët që jargaviten nga turpi dhe ‘ndërgjegjja e vrarë’ se janë të bardhë nuk bëjnë gjë tjetër veçse legjitimojnë ofensivën e plaçkitësve, hajdutëve dhe anarshistëve që nuk ka pse të falen nën nënshtrimin nga frika se janë te zinj ata në rrugë që mund të vetëshpallen të diskriminuar. Përulja e tyre konformiste është aq e dëmshme sa është i dëmshëm edhe përdorimi i turmave nga masonia financiare tradicionale amerikane.
Ka shumë gjëra që amerikanët dhe Amerika duhet t’i rregullojnë e t’i ndryshojnë, por një Amerikë në duart e vandalëve dhe plaçkitësve ju duhet vetëm armiqëve të saj. Të drejtat evolojnë si në kuptim dhe zbatim, por të drejtat pa detyrimet nuk kanë kuptim asnjëherë dhe kjo nuk kushtëzohet as nga lëkura dhe as nga dëshira. Amerika duhet t’i imponohet dhunës së rrugës me detyrimin e ligjit të krijuar prej krijuesve të saj.
Unë nuk kam turp se jam e bardhë sepse paraardhësit e racës sime duke gjetur shtegun e dritës u përmirësuan, u përpoqën dhe përplasën me dogmën e vet dhe zbuluan se lirinë dhe të drejtat duhet t’ia jepnin dhe të tjerëve që nuk i kishin si ata sepse ishin të një ngjyre tjetër. Është më e dhimbshme të japësh se sa të marrësh dhe kur ata të bardhët këtë e bënë e drejta për të mos e mohuar është detyrim për mua. Të bardhët dhe të zinjtë luftuan bashkë për të ndryshuar botėn. Të bardhët luftuan për të ndryshuar vetveten dhe brenda llojit të tyre, të zinjtë luftuan për të ndryshuar të bardhët dhe jashtë llojit të tyre.
Unë nuk kam turp gjithashtu t’i kem miqtë e mi edhe të zinj, të kuq edhe të verdhë sepse me ata përbëj familjen e homo-sapiensave mbi këtë tokë. Por unë kam turp t’i përulem si soditës shkatërrimit të asaj që është bërë nga idealistët e kësaj bote të çfarëdo ngjyre që ata kanë qënë. Kishat e prishura dhe përmendoret e përmbysura nuk i japin dot të drejta dhe liri më shumë seç kanë atyre që i kërkojnë, përveçse ju marrin të drejta disa të tjerëve që shkojnë, besojnë dhe paqtojnë në to. Në Amerikë janë shkelur edhe të drejtat e të kuqve dhe të verdhëve, por asnjë nga këto komunitete nuk ka zgjedhur dhunën për të fituar të drejtat e veta.
Amerika dhe amerikanët duhet të ngrihen në këmbë me vështrimin nga statuja e lirisë dhe të qëndrojnë fort kundër çdo ngjyre që ka plaçkitja, vjedhja, shkatërrimi, anarshizmi dhe diskriminimi. Kur Martin Luther King kërkoi të drejta nuk i kërkoi në një tokë tjetër të djegur, por në Amerikën e ëndrrës së tij. Çfarë duhen dhe vlejnë të drejtat me kah të ndryshuar vektorial? Të drejtat dhe liritë nuk kanë kahe, por janë të njëjta dhe të barabarta për të gjithë. Derisa nuk i kemi të barabarta për të gjithë duhet të përpiqemi t’i arrijmë, por ato nuk bëhen kurrë të barabarta në ‘peshë’ duke ua marrë të parëve dhe dhënë të dytëve sipas ngjyrës që nxjerr në modë ‘establishmenti i padukshëm’.
Përndryshe, të gjithë do të jemi ndryshe me një Amerikë të gjunjëzuar në dhunë dhe të thyer në liri.