LE MATIN, 1921/MË SHUMË SË NJË VIT PAS VRASJES, TRUPI I ESAT PASHËS GJENDET ENDE NË MORG, NË FILLIM TË RRUGËS AUBERVILLIERS, NË PARIS
Esat Pasha në Paris (Excelsior, 4 prill 1916, fq.5) – Burimi: gallica.bnf.fr/Bibliothèque nationale de France.
Nga Aurenc Bebja*, Francë.
“Le Matin” ka botuar, të martën e 25 tetorit 1921, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me trupin e pajetë të Esat Pashë Toptanit, më shumë se një vit pas vrasjes, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar
Trupi i Esat Pashës është ende në morg
Kujtojmë ende vdekjen e gjeneralit Esat Pasha, ish-diktatorit të Shqipërisë, i cili, më 13 qershor 1920, u vra me revolver, në rrugën Rivoli, nga një prej bashkatdhetarëve të tij.
Trupi i gjeneralit fatkeq u transportua më pas në hotelin që kishte marrë me qira, Vila Said dhe mbeti aty dy ditë, i ekspozuar në një katafalik. Pastaj, në pritje të ardhjes së gruas së tij, e cila do të vendoste për datën e varrimit, trupin e gjeneralit shqiptar e dërguan në morgun e qytetit të Parisit.
Por, pasi familja e tij që jeton jashtë vendit nuk e ka kërkuar kurrë trupin e tij, Esat Pasha është akoma duke pritur, midis katër fletëve plumbi dhe katër dërrasave abanozi, në fillim të rrugës Aubervilliers, që ta dërgojnë në shtetin e tij.
Në morg, na deklaruan:
— Ne nuk kemi pse të shqetësohemi për gjeneralin. Ai është në një sallë të ajrosur mirë dhe po presim vetëm një fjalë nga gruaja e tij që ta nisim me tren në destinacion të Shqipërisë. Ne marrim çdo muaj, përmes një banke, 45 franga të parashikuara nga rregullorja për kujdesjen e trupit. Ne nuk kërkojmë më shumë…
— Por, për sa kohë ju mund të mbani arkivolin?
— Rregullorja nuk parashikon një datë. Ne do ta mbajmë atë për aq kohë sa familja paguan. Dyqind vjet, në qoftë se i pëlqen të paguajë 45 franga gjatë dymbëdhjetë muajve për dy qind herë…
— Po sikur familja të mos paguajë më?
— Atëherë do ta varrosnim trupin në “transhenë e lirë”…
* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/le-matin-1921-me-shume-se-nje-vit-pas-vrasjes-trupi-i-esat-pashes-gjendet-ende-ne-morg-ne-fillim-te-rruges-aubervilliers-ne-paris/.