Albspirit

Media/News/Publishing

Yuri Kim: Raporti i Venecias të shihet si një mundësi për të ecur përpara

Ambasadorja Yuri Kim ka deklaruar se raporti i Venecias mbi emërimet në Gjykatën Kushtetuese duhet të shihet si mundësi për të ecur përpara dhe jo të festohet se kush fitoi a kush humbi.

Në një intervistë në A2CNN, ambasadorja amerikane tha se Reforma në Drejtësi është në një fazë kritike dhe se është bërë mjaftueshëm përparim.

Sipas saj thuajse të gjitha institucionet janë ngritur dhe se Gjykata Kushtetuese ka ngecur për çështje të vullnetit politik.

Jemi në një fazë kritike. Është bërë mjaftueshëm përparim… Institucionet janë ngritur. Thuajse të gjitha janë ngritur dhe funksionojnë, përveç BKH-së, ku presim përzgjedhjen e drejtorit të parë, dhe sigurisht, Gjykata Kushtetuese. Këto institucione duhet të bëhen funksionale dhe çështja e Gjykatës Kushtetuese ka ngecur për një kohë të caktuar. Një pjesë është ligjore, e mirëfilltë. Një pjesë është politike. Ekziston vërtet në themel një çështje e vullnetit politik dhe në kohën që do transmetohet kjo intervistë, Komisioni i Venecias mund të ketë nxjerrë opinionin përfundimtar. Me aq sa jam në dijeni për opinionin, ai ofron mundësinë që jo të festohet se kush fitoi a kush humbi, por të shihet si një mundësi për të ecur përpara. Sepse ajo që shoh tani është disa do të donin që reforma në drejtësi të sillej rrotull e rrotull në një rreth, si kali në lëmë. Ajo që na duhet është që reforma në drejtësi të ecë përpara dhe, siç e kam thënë më parë, është diçka që nuk do të jetë e përsosur menjëherë. Nuk do të jetë e lehtë, nuk do të jetë e shpejtë, por e dini çfarë? Është e rëndësishme, është e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Ndaj njerëzit duhet të mbeten vigjilentë, duhet të vazhdojnë të kërkojnë ndryshim dhe shpresoj që nuk do të dorëzohen sepse kemi bërë kaq shumë rrugë dhe do të ishte tragjike të hiqej dorë tani.”, tha ambasadorja Kim.

Komisioni i Venecias ka publikuar sot opinionin përfundimtar për çështjen e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese në Shqipëri ku thotë se procedura për shkarkimin e presidentit Meta nuk është e justifikuar dhe i jep të drejtë atij sa i përket respektimit të radhës së emërimeve.

Venecia argumenton se zbatimi i radhës së emërimit në rastin konkret ka rëndësi pasi zgjedhja e njërës palë ndikon në përbërjen e listës për palën tjetër. Sipas tyre situata mund të shkonte në atë mënyrë që lista e Kuvedit të ishte vetëm me një anëtar ç’ka e kthen procesin mbrapsht pasi sipas Kushtetutës ata duhet të zgjedhin ndërmjet tre anëtarëve.

Sa i përket betimit me shkrim që gjyqtarja Vorpsi bëri, Venecia thotë se Kushtetuta specifikon qartë që betimi duhet bërë “përpara” Presidentit.

Venecia vlerëson si të drejta veprimet e Presidentit Meta në raport me emërimet.

Nga tjetër anëtarët e komisionit gjejnë përgjegjësi tek KED për gjithë situatën e krijuar. Shprehimisht në raport thuhet se “KED nuk ka vepruar në mëyrë transparente” pasi ka mbajtur jashtë mbledhjeve avokatin e Popullit dhe se vonesa që bëri kreu i KED me dërgimin e listave jo në një kohë tek Presidenti dhe Kuvendi shkaktoi incidentin e madh procedural.

Please follow and like us: