LEXIMI I EGZISTENCËS SHQIPTARE NË FILMAT E VIKTOR GJIKËS
Natasha LAKO
Me rastin e 83-vjetorit të lindjes së Viktor Gjikës
Të gjithë mund ta përfytyrojnë një djalosh të ri dhe simpatik, që mori kamerën në duar, në mes të shekullit të XX, menjëherë pas përfundimeve të studimeve për operator në Moskë, në institutin e njohur, ku bazat e para të praktikës dhe të teorisë së filmit i kishte hedhur Ezenshtejn, një nga gjenitë e parë të kinematografisë. Ky ishte kineasti i ditëve tona, i riu Viktor Gjika, i cili ndoshta nuk e dinte as vetë se sa do të ndikonin në krijimtarinë e vet, Ezenshtejni i madh, qyteti i Korçes, i ati Gon Gjika, një ish mërgimtar i kthyer nga Amerika në qytetin e tij dhe nëna e tij Meropi, e konvertuar në protestanizëm, e cila nuk e ndau asnjë çast Biblën nga duart edhe kur u mbyllën kishat e xhamitë.
Kthimi i Viktor Gjikës në atdhe, pas ritmeve dhe zbulimeve të bukurisë së dokumentarit, shënon shartimin e parë të punës profesionale artistike të kamerës dhe fuqisë së saj absolute ndaj kohës, me atë të aktorit. Lind ndoshta tipari i parë i krijimtarisë së Viktor Gjikës. Kamera fikson imazhin njerëzor, botën shpirtërore dhe psikologjike me të gjithë potencën e vet të shprehjes dhe zotërimit të sekreteve të gjuhës filmike. Mjeshtëria e kamerës krijon në regjinë e tij dritëhijet e fytyrave të njohura skenike dhe horizontin e tyre të shikimit. Nis kështu rruga e tij e gjatë e kërkimit dhe e shprehjes. Një varg filmash të tij, mbështeten në krijime karakteresh të fuqishme dhe ballafaqimeve të personalitetit të njeriut, për të veçuar në kërkime filmin “I teti në Bronx”, 1970, me Mevlan Shanaj dhe Yllka Mujon, “Gjeneral gramafoni” të vitit 1978, me aktorin Bujar Lako dhe filmin “Në çdo stinë”, të vitit 1980, me Anisa Markajan. Këtë tipar të vizatimit të karaktereve regjisori vazhdon ta konsolidojë me figurat e njohura të botës kulturore-historike shqiptare në disa dokumentarë të prodhimit të pas viteve ‘90.
Sot, fondi i filmit shqiptar spikat me protagonistët e pashlyeshëm dhe figurat qendrore vitale të Viktor Gjikës të realizuar në filmat e tij prej Sandër Prosit, (Nëntori i dytë) 1982, Tinka Kurtit, (Yjet e netëve të gjata, 1972) Rikard Ljarjes (Komisari i dritës, 1966), (Rrugë të bardha, 1974), Roza Anagnostit, (Komisari i dritës, 1966) Mevlan Shanajt, (I teti në bronz, 1970), Timo Fllokos (Njeriu me top, 1977), Bujar Lakos, (Përballimi, 1976, Gjeneral gramafoni), Dhimitër Orgockës (Horizonte të hapura, 1978), Llazi Sërbos (Yjet e netëve të gjata, 1973), etj. Beteja e parë filmike e Viktor Gjikës ka qenë përcaktimi i një fytyre social-psikologjike të heronjve të vet. Kaq e fortë ka qenë kjo betejë që përcakton edhe fatin e filmit, sa shpesh herë tepër kërkues ka arritur me këmbëngulje të sjellë në ekran e t’i shndërrojë në figurat më të njohura të ekranit shqiptar si Bujar Lako dhe Robert Ndrenika të cilët administrata politike i kishte lënë shpesh herë mënjanë për arsye të dosjeve të tyre të koklavitura me kërkesat politike.
Viktor Gjika bëhet kështu një nga përcaktuesit e tipareve të kinematografisë shqiptare, dhe promovimit të sistemit të yjeve të kinemasë shqiptare, e cila e afron atë edhe në momentet e izolimit më të madh me të gjithë kinematografinë botërore. Ai ka një aftësi të madhe bashkëpunuese për të thithur brenda veprës së tij filmike potenciale të mëdha të penës, muzikës, apo aktrimit. Zhvillimi i aksionit të imazhit deri në përmasat e metaforës, përbën një tipar tjetër të rëndësishëm të individualitetit të këtij regjisori, një gjuhë që ai e zbërthen nëpërmjet sekreteve të kamerës dhe zotërimit të saj të fuqishëm në kohën e tij regjisoriale. Ai vizaton me penën e tij dramatike të imazhit, portretin e njeriut, që bashkon në një të tërë, meditimin me aksionin dhe lojën psikologjike. Kjo e lejon të krijojë metafora të fuqishme, në konflikte të shumëllojshme dhe gati ekstreme, ku njeriu shfaqet si bir i natyrës. Njeriu i regjisorit Gjika është aq madhështor sa përbën një ishull të madh, herë kur është i rrethuar nga dallgët e detit, (Horizonte të hapura), herë nga dallgët e grurit dhe të mbarësisë, (I teti në bronx), nga dëbora e pafundme, (Rrugë të bardha) apo deti njerëzor i masave, (Nëntori i dytë).
Kjo hapësirë metaforike e çliron aktorin e filmave të tij nga gjendja romantike ose gjëndja e thatë realiste dhe e ve në një raport shumë të gjerë me botën rreth e rrotull. Por, Viktor Gjikës nuk i mafton vetëm kaq. Planeve të afërta që zbulojnë botën e brendshme dhe planeve të mëdha të misanskenës së re filmike dhe atmosferës, i shtohen në regjinë e tij, ansamble të gjera aktoreske si meteorë rreth figurave qendrore, plot kolorit atëror, si Kadri Roshi, në “I teti në bronz” dhe batutat e tij maksima, si Pandi Raidhi në filmin “Yjet e netëve të gjata”dhe “Përballimi”, Antoneta Papapavli po në të njejtën vepër, deri te Shpëtim Shmili (Robert Çamçakizi), i filmit “Horizonte të hapura”, Drita Pelingu në rolin e hallës së Mato Grudës në filmin “Njeriu me top” që përqendrohet rreth hakmarrjes. Të gjithë e mbajnë mend aty figurën e Mere Fizit, ose Kadri Roshin që luan me tespijet, si të kryejë vetë vendosjen e rrjedhës së ngjarjeve të papritura dhe paralajmeruese, të ndërvarura nga një botë e thellë njerëzore që ai e njeh mirë dhe që është e mbushur plot kontraste. Viktor Gjikës, i duhet vetëm kjo lojë e tespijeve, që të paralajmërojë të gjithë ngjarjet komplekse të filmit. Shkopi i gdhendur në dhjetra vjet me bëma dhe përvoja të mëdha dramatike, do ta bëjë Sulejman Pitarkën në filmin “Gjeneral gramafoni” një bosht meditacioni, ndonëse kemi të bëjmë me një personazh episodik. Po në këtë film, si një i ftuar i veçantë dhe episodik, por i jashtëzakonshëm për nga domethënia dhe kontekstet, mbetet njeriu i varur në litar i interpetuar nga Sandër Prosi, të cilit regjisori i ve në gojë, me guxim, ndoshta në sajë të rrëfimeve dhe kujtesës atërore, si edhe në shumë raste të tjera të ndërtimeve dhe përvojës së karaktereve, frazën e famshme monumentale të presidentit Linkoln: “një njeri mund të gënjejë një tjetër për një kohë, mund të gënjejë edhe një popull për një kohë, por nuk mund të gënjejë kurrë një popull të tërë për gjithë kohën!” Krijohet kështu një nga episodet e ambiguitetit të rrallë dhe pothuaj të pamundur në prodhimin e kohës. Rëndësi ka që krijuesi të gjejë terrenin e vet të sigurtë ku të dijë ku të shkelë. Është fakt historik arritja e vonuar e Isa Boletinit (Reshat Arbana) në Vlorë në ditën e shpalljes së pavarësisë, (filmi Nëntori i dytë) por kjo kthehet në një skenë të madhe metaforike të vonesës së shqiptarëve të Kosovës në pavarësinë dhe vetëvendosjen. Ndoshta janë tema që ripërsëriten nga një popull në tjetrin. Mund të themi se filmi “Nëntori i dytë” ka për kinematografinë shqiptare rëndësinë e filmit “Lindja e një kombi” të Grifitit. Viktor Gjika, në mënyrë të veçantë, operon me emocione të fuqishme në finalet e filmave të tij.